MENU

Dossier

Rritet tregtimi i skrapit midis Shqipërisë dhe Kosovës

18.11.2018 - 16:35

Krahasuar nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017, bilanci tregtar i Kosovë me Shqipërinë ka një trend rritës, por njëkohësisht dhe negativ.

Në vitin 2005, eksportet kosovare në drejtim të Shqipërisë ishin 5.78 milionë euro, ndërsa importet ishin 18.1 milionë euro, pra më një ndryshim prej 12.31 milionë euro, kurse në vitin 2017 ky ndryshim ishte 91.56 milionë euro. Kosova, bilancin më të lartë tregtar kundrejt Shqipërisë e ka pasur në vitin 2015 ku arriti në 111.64 milionë euro.

Kështu thuhet në raportet e agjencive kombëtare që merren me matjen e tregtisë së jashtme.

Nga të dhënat e vrojtuara del se kompanitë kosovare në drejtim të tregut shqiptar gjatë vitit 2017 eksportuan 60.26 milionë euro nga 42.05 milionë që ishte një vit më herët, ndërsa Shqipëria në drejtim të Kosovës për një vit eksportoi 151.82 milionë euro. Krahasuar me vendet e CEFTA-së, Shqipëria merr pjesë me 17 për qind të eksporteve, ndjekur nga Maqedonia me 11.2 për qind, Serbia me 6.9 për qind dhe Mali i Zi me 3.6 për qind, nga totali prej 41.1 milionë euro.

Por çka importojnë dhe eksportojnë më shumë Shqipëria dhe Kosova ndërmjet vete?

Për vitin 2017, eksportet shqiptare në drejtim të Kosovës pjesën më të madhe apo 39.8 për qind e përbënin shufrat e hekurit dhe çelikut, kallami, këndet, format dhe pjesët e tjera metalike, ndjekur nga gëlqerja, cementi dhe materiali ndërtimor i fabrikuar me 11.3 për qind. Llogaritur në vlera, shufrat e hekurit dhe çelikut, kallami, këndet, format dhe pjesët e tjera metalike ishin 60.35 milionë euro, apo dyfish më shumë që ishin në vitin 2016 me 36.22 milionë euro, ndërsa gëlqerja, çimento dhe materiali ndërtimor i fabrikuar është 17.12 milionë euro nga 20.48 që ishte në vitin paraprak.

Në vend të tretë janë produktet e mbetura të naftës me një rritje prej 1.3 milionë euro më shumë sesa një vit më herët, ndjekur nga vajrat e naftës dhe vajrat e fituar me 8.9 milionë euro, perimet e freskëta, ftohta, ngrira ose konservuara me 7.31 milionë euro, pemët dhe lajthitë të freskëta ose të thara me 5.96 milionë euro, alumini dhe letra dhe kartonë prej letre me 5.2 milionë euro, xeherorë dhe koncentrate nikeli dhe mobiljet me pjesët e ndërlidhura me përkatësisht 3.35 milionë dhe 3.21 milionë euro.

Për sa i përket eksporteve nga Kosova në drejtim të tregut të Shqipërisë, mbeturinat dhe copëzat me përmbajtje hekuri, pijet alkoolike dhe gypat, tubat dhe profilet e shtrira, pajisje për gypa ose tuba përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve.

Sipas vlerave del se mbeturinat dhe copëzat me përmbajtje hekuri përbëjnë 19.6 për qind të eksporteve apo 11.83 milionë euro, ndjekur nga pijet alkoolike me 8.95 milionë euro apo 14.9 për qind dhe gypat, tubat dhe profilet e shtrira, pajisje për gypa ose tuba me 8.52 milionë euro apo 14.1 për qind.

Bizneset kosovare në drejtim të Shqipërisë për një vit kanë eksportuar 4.02 milionë euro miell gruri, ndjekur nga pijet joalkoolike dhe mbetjet me bazë jometali me 2.76 përkatësisht me 2.70 milionë euro. Tubat dhe pllakat plastike, perimet e freskëta, të ftohta, të ngrira ose të konservuara, si dhe përpunimet minerale nuk janë më shumë se dy milionë secila.

Shpesh qeveritë nga te dyja anët kanë premtuar se do të ndodhë heqja e barrierave kufitare për tregtinë, mirëpo të dhënat statistikore tregojnë se nuk ka bilanc të qartë të arritjeve dhe se shkëmbimet mes dy vendeve mbeten minimale.

Muajin e kaluar, Banka Botërore në një raport lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se në Shqipëri, konsolidimi fiskal, shpenzimet publike më efikase dhe reformat strukturore janë ende kritike për një rritje të qëndrueshme dhe të barabartë, kurse shpenzimet për mbrojtje sociale do të rrisin deficitin fiskal të Kosovës.

Raporti “Rritja më e lartë, por e brishtë”, thotë se rritja për rajonin e Ballkanit Perëndimor vlerësohet të konsolidohet në 3.5 për qind për vitin 2018.

Shqipëria pritet të zgjerohet me 4 për qind gjatë këtij viti nga 3.5 për qind që ishte vlerësimi i mëparshëm. Në Kosovë, rritja  pritet të stabilizohet në 4.2 për qind në vitin 2018 dhe do të arrijë në 4.5 për qind në periudhën 2019-2020.

Raporti bën thirrje edhe për integrim më të madh ekonomik për të nxitur një rritje më të lartë dhe të qëndrueshme dhe për të stimuluar krijimin e vendeve të punës. Kërkohet rritje e integrimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u fokusuar në tregti, investime, lëvizshmëri dhe integrim digjital, për të përshpejtuar rritjen, për t’i kapërcyer tregjet kombëtare të vogla dhe të fragmentuara dhe për të siguruar stabilitet afatgjatë ekonomik. /Konica.al