MENU
klinika

Edhe Banka e Shqipërisë e shqetësuar

Sejko: Vendosni tavan për PPP-të

19.11.2018 - 13:03

Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë shqiptare të vendosë një vlerë tavan për projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP). Në seancën e Komisionit të Ekonomisë, ku ishte thirrur për të dhënë një opinion rreth projektbuxhetit, Guvernatori Gent Sejko, kërkoi vendosjen e një tavani mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve.

“Banka e Shqipërisë vlerëson se përfshirja e tavaneve mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve në Ligjin Organik të Buxhetit do të ishte një element plotësues i kufizimit të parashikuar në këtë ligj mbi kufijtë maksimalë të lejuar për alokimin e fondeve për shërbimin e PPP-vë në një vit buxhetor. Gjithashtu, ai do të ankoronte në baza më të qëndrueshme, detyrimet potenciale që i vijnë buxhetit nga PPP-të,” tha Sejko.

Guvernatori theksoi gjithashtu nevojën për përmirësimin e kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon anës ligjore dhe financiare të tyre. Gjithashtu, PPP-të e kontraktuara në lëmin e investimeve publike duhet të jenë konform programit strategjik afatmesëm e afatgjatë të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet e zhvillimit të vendit.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë sugjeron që të merret në konsideratë mundësia e një uljeje më të shpejtë të borxhit publik në afatin e mesëm. Ky përshpejtim do të shërbente për të përballuar rritjen e pritur të kostos së shërbimit të borxhit në afatin e mesëm, si dhe do të rriste hapësirat për përballimin e goditjeve të mundshme negative në afatin e mesëm e të gjatë.

Sejko kritikoi edhe njëherë shpërndarjen e pabarabartë të shpenzimeve publike gjatë vitit, që rezulton ghithmonë në një përqendrim shumë të lartë të tyre në tre muajt e fundit të vitit.

“Ritmi i realizimit të shpenzimeve buxhetore gjatë vitit vazhdon të shfaqë një përqendrim të theksuar në tremujorin e katërt. Ky fenomen, i përsëritur dhe i diktuar në masën më të madhe nga ritmi jo i njëtrajtshëm i realizimit të investimeve publike, krijon luhatje të panevojshme gjatë vitit në treguesit e likuiditetit dhe të normave të interesit në tregun e brendshëm financiar. Gjithashtu, ai tenton të vështirësojë kontrollin e shpenzimeve dhe të respektimit të limiteve të buxhetit, si dhe të reduktojë efektivitetin e tyre,” tha ai.

Për sa i takon taksave, Banka e Shqipërisë mbron idenë e minimizimit të numrit të përjashtimeve tatimore. Sipas saj, me përjashtim të rastit të mbrojtjes së shtresave në nevojë, një sistem i thjeshtë tatimor lehtëson barrën e administrimit të sistemit tatimor dhe tenton të përmirësojë eficiencën e shpërndarjes së burimeve në ekonomi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN