MENU
klinika

Dossier/Pjesa e Tretë

Shkollat profesionale dhe përvoja e ngritjes së shtetit

06.11.2018 - 20:02

Shkolla e Bashkuar u krijua në vitin 1945 dhe në fillim ishin 200 vetë që përgatiteshin për ushtarakë. Për një kohë të shkurtër aty u vendosën një sasi e madhe kuadrosh dhe një armatë për sistemin komunist. Këta ishin kryesisht ushtarakë që i shërbenin me devotshmëri vendit.

Një nga profesionsitët e dalë nga shkollat profesionale në Shkollën ‘’Skënderbej’’ në kohën e komunizmit, kur ajo kishte dhe profesionalët e profilizuar të famshëm për vendin, ishte Vangjel Nase, pensionist që përveçse ka qenë specialist i sistemeve automate në fushën e inxhinierisë elektrike, si dhe i rrymave të ulta, gjithashtu ka qenë edhe nxënës, edhe mësues në shkollat profesionale në Shkollën e Bashkuar, në shkollën e tanishme ‘’Hary Fultz’’ si edhe profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në lëndët e sistemeve automate.

Specialist, profesionist me një karrierë të pasur profesionale dhe ushtarake, nga specialist i mirëfilltë i profilizuar në shkolla profesionale për aparaturat elektrike, në Pashaliman tek nëndetëset, deri në gradën e nënkolonelit dhe me funksionin e shefit të shtabit në batalionin e tankeve në Tiranë e gjithashtu ekspert i elektricitetit si dhe profesor i jashtëm e UT.

Po çfarë mendimi ka ai për shkollat profesionale në lidhje me sistemin e hershëm ku për shumë vite ministria e Mbrojtjes kishte në veten e saj edhe Shkollën e Bashkuar ‘’Skënderbej’’ ku u gërshetuan edhe shkollat profesionale?

Ekskluzivisht për Konica.al ai dha një intervistë për shkollat profesionale që u zhvilluan për një kohë të shkurtër brenda shkollës Skënderbej, prirjet dhe zhvillimin e tyre.

Kur ka filluar si funksionim shkolla teknike-ushtarake ”Skënderbej”?

Si shkollë teknikë-ushtarake është hapur në vitin 1972 me komplet organizmin e ri dhe si qendër e zhvillimit të profesioneve ndërlidhur me mësimin e lëndëve ushtarake?

Çfarë organizmi ka pasur kjo shkollë, pra cila ishte struktura e organigramës së kësaj shkolle?

Ajo kishte komandën e shkollës, kishte drejtorinë, këshillin pedagogjik, kishte një vend ku bëhesh praktika mësimore. Ofiçina fillonte që nga kovaçana, axhusteria, tornot, elektriku, radio etj., pra ishin të ndara nëpër sektorë të profilizuar. Kurset ato që ishin në Politeknikumin ‘’17 Nëntori’’, i hoqën prej andej dhe i sollën këtu në Skënderbej. Laboratorët modernë të kohës.

Gjithë ai kontingjent që doli prej andej dhe që kur ka filluar kjo bëhej aty, madje aty ishte edhe metalurgjiku, kjo do i duhej edhe ministrisë për të përpunuar ato metale që do t’i hynin në punë ushtrisë.

Kurse nga ana mësimore varej nga ministria e Arsimit e atëhershme. Pra gërshetohej midis ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrisë së Arsimit.

Njësoj si është ngritur si strukturë në Francën e dikurshme me shkollat profesionale? 

Po njësoj si aty…

Më pas varej direkt nga shkolla, nga drejtori e shkollës. Profesionistët pedagogë ishin ushtarakë dhe njëkohësisht pedagogë me formim profesional që vareshin nga ministria e Mbrojtjes.

A vazhdoi gjatë kjo shkollë me funksionimin e saj si përzierje e profesioneve me ushtrinë?

Kjo shkollë nxirrte për vetë funksionin njerëz të kompletuar. Edhe ushtarakë, edhe teknikë, ajo vazhdoi deri në vitin 1978 si shkollë e përzier më pas ajo u mbyll. Iku dhe matura e fundit, e mbylli Mehmet Shehu. Sipas mendimit tim u bë shumë shtrenjtë, nuk e përballonte dot shteti. Ajo si shkollë ishte shkollë shumë e mirë ëëëë….

Një pjesë e kuadrove që ishin në politeknikum shkuan edhe në Universitetin e Tiranës. Psh, Musa Muka, Muhamer Dobi, ishte drejtor, nga Gjirokastra, lindur në Stamboll. Kekezi, Fatmir Sukaj, Bedri Hankollari në bazën ushtarake Pashaliman, inxhinier elektrik, ai që kishte mbaruar në Rusi ishin plot, bashkë me mua.

Sa vazhdonin këto kurse në vite për të nxjerrë një specialistë në profesione?

4 vjet, njësoj si shkollat e larta sot, dhe dilje teknik i mesëm. Në atë kohë më shumë teknikë të mesëm duheshin, ata e mbanin punën, sistemin, planifikimet. Edhe sot e kësaj dite, zyrat për mua janë tangërllëk, nuk është jeta në zyrë, prodhimi jeta materiale është në realitet. Këto duan politika të dretjpërdrejta, me fjalë të drejtpërdrejta.

Franca ka pasur si pararojë teknikët e mesëm, Napoleoni shkonte gjithmonë aty, me ata donte të fitonte si shpjegohet sipas teje?

Ai ka mbaruar artilier, domethënë ka qënë në një lloj sensi i profilizuar për ushtri, është njësoj si ‘skënderbegsat’ më përpara nxirrnin, jo vetëm thjesht ushtarakë, por ushtarakë të profesionalizuar, ashtu siç thashë më parë.

Me matematikë, me elektricitetin, ushtarak me rrymat e dobta, me ekonominë, dhe i shërbenin më mirë, 14 vjeçari i shërbente me devotshmëri, rrinte midis mureve aty në shkollë dhe merrte kulturën e shkollës, ishte i disiplinuar. U mbajt sistemi, këto lloj shkollash e mbajtën dhe e zhvilluan sistemin. Teknologjia ishte e kohës.

Ai dilte me kategorinë e 6 dhe merrte 6 mijë lekëshin, po cunak i ri, të merrje 6 mijë lekë në kohën e monizmit ishte kryevepër. Ne trajtoheshim, kishte dhe një 70 vjeçar që të orientonte, usta e profesionist i mirë, kishte referencë edhe u bënë ustallarë mjeshtra.

 

Puna është se a mund të rregullohet ekonomia me këto shkolla me aq sa gjykon ti?

Bëhet ajo bëhet. Dalin shumë të mirë si specialistë. Psh, automatiku kallashnikov u prodhua në Poliçan, Gramsh, megjithëse idenë e kishte tjetri, ne e mbajtëm linjën, mbajtëm difektet, e zhvilluam me atë teknologji.

 Niveli profesional ishte i lartë. Kishte aq kualifikim sa saldonin të futur në det me orë të tëra, kur erdhi TAP dhe kërkoi saldatorë si ata të dikurshmit nuk kishte Shqipëria, i mori nga jashtë shtetit, po mund t’i kishte Shqipëria dhe përfitonte punëtori, kishte përgjegjësi për hekurin, për elektrikun. Ne si ekip kemi bërë elektrifikimin e pallatit të sportit ‘’Partizani’’ në taracën e saj që është dhe sot e kësaj dite, ishim ‘begsa’. Si kjo punë kemi bërë me mijëra dhe jemi shpërblyer, nuk na duhej fare ideologjia.

Kishte një rregull dhe disiplinë, nuk e mbante vendi të riun, për rrogën, stimulin dhe vrullin që kishte si i ri. Si i thotë populli, ‘’çante dheun’’. Me atë u bënë gjithë veprat e vendit, me punën e profesioneve, një pjesë e vogël ishte dhe nga shkolla profesionale në Shkollën e Bashkuar.

Po sikur kjo shkollë ta shtonte stafin e saj dhe të silleshin laboratorë modernë, investime dhe të themi të dhjetëfishohesh numri i kurseve profesionale apo shkollave teknike, a mund të ketë zhvillim sot me kushtet e sotme?

E para është puna e politikës, ajo i fut hundët e i prish gjërat, çfarë thotë sot njëri nuk thotë tjetri. Në qoftë se do të ishte ngritur do të kishte zhvillim shumë të madh po zor se bëhet, vështirë…

Kemi ne stafe të burimeve njerëzore për të ngritur këto shkolla?

Sa të duash, kemi njerëz të aftë që lihen mënjanë, por problem është se duhen edhe pjesët. Dikur ishin moderne të kohës, sot as aparaturat nuk janë të sakta. Kur unë bëj me instrumente ndonjë rregullim pjesësh elektrike ato kanë gabim shumë të madh në matje. Duhet vegla të reja, mjete të reja, duhet një sërë lëvizjesh. Edhe mentaliteti.

Me aq karrierë sa ke pasur ti në ushtri, a ka ambiente të bollshme, si psh reparti si i ‘’Zall Herit’’ për të zhvilluar këto shkolla nga ministria e Mbrotjes?

Ka sa të duash, gjenden ato gjenden po të duam. Shumë u shitën si ambiente, u shitën mekanizma, pajisje, deri tek tanqet, tornot moderne, e megjithatë vende gjen, duhet vetëm dëshirë e mirë.

 

Nga ana profeisonale, cilat të kanë vlejtur më shumë, qënia me profesion, apo empiricizmi i dijeve të shkollës?

Ne jemi brymosur me dijet teknike dhe dijet absolute, për ne është kjo që sjell zhvillimin shoqëror, njeriu pa ditur proceset e natyrës, ashtu si ato të biologjisë nuk mund të zhvillojë dot arsyen. Baza e bazave është profesioni dhe ajo të zhvillon në jetë. Unë jam i kënaqur me profesionin që kam pasur dhe sot e dua. Kushte për të lexuar dhe për t’u futur shumë në dije empiriciste nuk kemi megjithëse i kam dashur shumë, premisa që mungojnë për jetën tonë në Shqipëri.

Ju faleminderit!

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN