MENU
klinika

Ivan Turgeniev

Shkrimtari që nuk vdes kurrë

09.11.2018 - 14:19

“Lumturia është si shëndeti: nëse nuk e dallon do të thotë që e ke”.

“Do të jesh i lumtur? Mëso më parë të vuash”.

Ivan S. Turgeniev, mjeshtri i penës ruse të shekullit XIX, lindi në 9 nëntor 1818 në një familje aristokratike dhe vdiq në Bugival të Francës në 1883. Turgenievi është bashkëkohësi i korifejve rusë e francezë të shekullit XIX si Pushkini, Gogoli, Dostojevski, Tolstoi, Balzaku, Mopasani, Floberi, Sendi, Merime etj. Shkrimtari i madh është njëherazi poet, romancier, dramaturg dhe tregimtar.

I lindur në Orel, një fshat i vogël 350 kilometra në jug të Moskës, Ivan Turgenievi ia kushtoi gjithë rrugëtimin e jetës letërsisë: së pari si botues (në veçanti korrespondencën e Pushkinit), më pas si përkthyes (autorët francezë që lexonte), para publikimit të punës së tij.

Jeta e shkrimtarit ka qenë mjaft e trazuar, një diagramë rrëshqitëse me ngritje e zbritje, me ngjarje që i lanë mbresa të trishtuara, duke ruajtur në vetevete një lloj hedonizmi për ta shijuar atë. Hapat e para i hodhi me poezinë dramtike dhe lirike, ndërkohë që vijonte studimet në Universitetin e Shën Petersburgut në Fakultetin e Filozofisë, për ta përdorur më pas penën në shërbim të një ideje që shpejt zuri mendjet më të mira të viteve 1840: të përshkruante “natyrshëm” jetën ruse, pa romantizëm apo idealizim, duke kërkuar të drejtën atje ku ajo fshihej, në skutat dhe qoshkat më të errëta, nganjëherë më të shëmtuarat, për të treguar bukurinë e vërtetë të saj, atë që buron nga njeriu.

Në Berlin, Turgenevi frekuentoi rusët e mërguar: Timofei Granovski, Nikolai Vladimiroviç Stankeviç, por edhe Mihail Bakunin. Miqtë e prezantuan me veprën filozofike të Hegelit, vepra e të cilit do linte gjurmët e veta në orientimin e mendimit politik të Turgenevit. Kështu, shumë shpejt autori do radhitej në kampin e “perëndimorëve” siç e quajmë brezin e të rinjve, të cilët bënin thirrje për modernizimin e regjimit carist dhe kundërshtonin ndikimin e Kishës Ortodokse.

Do jetë një periudhë kohe larg Rusisë: nga Berlini në Romë, ku do të qëndrojë për gati një vit me Stankeviçin, pastaj nga Baden-Baden në Paris. Në vendlindje kthehet në vitin 1850, pasi kishte nënën sëmurë, kështu që shkrimtari nuk reshti së shtegtuari nga lindja në perëndim. Puna e tij, larg vuajtjeve të këtyre zhvendosjeve të pandërprera, do të pasurohet gjithnjë nga këto tutje-tëhu. “Këto udhëtime e lejuan të ketë një vështrim të distancuar për atdheun e tij”, – shprehet Alexander Zviguilsky, Presidenti i Shoqatës së Miqve të Turgenevit.

 

Turgenievi u kushton një vëmendje të posaçme personazheve të tij, në një kohë kur proza ruse përcaktonte koracën e “tipeve” psikologjike që ajo mishëronte, duke përdorur gjithfarëlloj mjetesh formale, por që do të teorizoheshin vetëm më vonë

Është autor i dhjetra veprave të famshme si: “Senilia” (1878), “Dy miq”, romanin “Etër e bij” (1862), “Mbreti Lir i stepës”, novelat “Dashuria e parë”(1869), “Ngadhënjim i dashurisë” dhe “Asja” etj.

Një vit pasi kishte botuar novelën ‘‘Asja’’ (1858), Turgenievi i shkruante L. Tolstoit: ‘‘Unë e shkruaja novelën me shumë zjarr, gati me lot në sy’’. Kryesisht novelat janë liriko-psikologjike, me shpërthime hovesh shpirtërore, me zbulime ndjenjash të sinqerta, krahasime me natyrën, me vërshime të ujërave pranverore.

Duke përshkruar ryesisht karaktere femërore të pavarura, Turgenievi gjithmonë do të jetë një hap përpara kohës së tij. Tek “Lisa Kalitina”, një pasuese e denjë e Tatianës së Eugjen Oniegit të Pushkinit, tregon një përmbysje të guximshme. Puna e shkrimtarit është plot me heroina moderne.

I vetmi njeri i fortë i romancave të tij, Insarovi, Tek “Në Vigjilje”, ishte… bullgar! Romani “Etër e bij” (1861), një nga veprat e tij më të mira, do bëjë që autori të akuzohet për tradhëti. Kritika radikale e regjimit carist, që mban karakterin e Bazarovit, një student i ri nihilist, i atribuohet autorit të saj. Megjithatë, shkrimtarit do t’i duhet të presë deri në vdekje për të bërë një kthim triumfues në Rusi. Trupi i tij prehet në varrezën Volkovo, Shën Petersburg.

Puna e Turgenievit dallohet nga ajo e bashkëkohësve të tij, për mungesën e sofistikuar të hiperbolës, vlerësimin dhe shqetësimin për vlerat artistike. E rëndësishme për të ishte letërsia aktuale, e përkushtuar, që kishte një apel universal në hijeshinë e historisë së dashurisë dhe mprehtësinë psikologjike të portretizimit. Po ashtu ishte penëartë në qëndisjen e letrave, shkruar me hijeshi, zgjuarsi dhe ndershmëri të madhe.

Reputacioni i tij mund të jetë lënë disi në hije nga Dostojevski dhe Tolstoi, por cilësitë e tij të qartësisë dhe elegancës dhe, mbi të gjitha, ndjenja e paçmuar që kishte për bukurinë e jetës i vesh punës së tij një magji që mbart hijeshinë e përjetshme. Gjuha e pastër, bukuria e shprehjes së ndjenjave që rrjedhin si ujërat pranverore, na njeh me Turgenievin, psikologun e thellë, stilistin e përkryer dhe, mbi të gjitha, shkrimtarin që iu dha me mish e me shpirt vendit të tij.