Nga Sali Mehmeti
Shqipja, «gluha jonë», naltësohet kur përdoruesi i saj i domestikon aftësitë e saj të brendshme me folje, ndajfolje, emra ose mbiemra të foljezuara.
Kur krejt këto bahen bashkë vjen ai momenti hyjnor estetik ku, qysh thotë Orwell-i, «si kuaj të kalorësisë që i përgjigjen trumpetës, ato grupohen vetvetishëm simbas nji sjellje të padukshme».
Kqyre bre Nolin dhe qysh shqipja përndritet në përkthimet e tij! Atij i ka hije edhe kur përdorë anglicizma të shqipërume si «ritrata» (nga ang. ,,retreat” «…urdhëroi ritratën…») apo «sinistër» (nga ang. ,,sinister” «…hodhi një fije sinistre…»).
Fisnikërohesh kur mjeshtria e tij mrrin me i shqipërue edhe fjalë të tilla si sypamës (nga «eye-witness») apo luftëthirrje (nga «war-cry»). Ai krijon teksa përkthen, dhe përkthen teksa krijon.
Heidegeri me e pas njoftë gjuhën tonë, sigurisht kish thanë që shqipja âsht e pakufishme dhe qenia jonë banon në këtë univers me mundësi të pakufishme…