Ditën e sotme këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora ka publikuar albumin e shumëpritur “Phoenix” për të cilin ka punuar jo pak por plot 6 vite.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për revistën “Style”, këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, ka folur për albumin e saj të dytë, i cili doli në treg vetëm një ditë më parë, por edhe për origjinën e saj.
27-vjeçarja ka folur rreth uljeve dhe ngritjeve të saj në karrierë vitet e fundit, vështirësitë për të qenë vetvetja dhe për të zbuluar hapur seksualitetin e saj.
Ashtu si një pjesë e madhe të intervistave të saj, Rita është pyetur edhe për origjinën e saj kosovare dhe çfarë do të thotë kjo për të.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar se çfarë do të thotë origjina ime për mua. Herët këtë vit performova në Kosovë për 10 vjetorin e Pavarësisë dhe ishte një eksperiencë e pabesueshme jo vetëm për mua por edhe për familjen time” ,-tha ajo e emocionuar.
E pyetur nëse flasin shqip në familjen e tyre Rita shtoi: “Po, është shumë e rëndësishme për ne që ta ruajmë atë”.