MENU
klinika

Shek XIII-XIX

Si dënoheshin ata që nuk zbatonin normat e parimet fetare

27.11.2018 - 17:06

E njejta dukuri ose proces natyror dhe sidomos i njejti model sjelljeje, mund të përcjellë njëherazi mesazhe të ndryshme, deri krejt të kundërta për njerëzit që janë të pranishëm. Po i konkretizojmë ide të tilla përmes analizës së një shembulli. 

Nga shekulli XIII deri në shekullin XIX, në Spanjë dhe në disa koloni të saj në hemisferën perëndimore, në Hollandë dhe në disa vende të tjera që më parë kanë qenë pjesë e Perandorisë Romake,kanë funksionuar të ashtuquajtur gjykata të shenjta ose gjyqe të inkuizicionit, të cilat hetonin, gjykonin ose dënonin çdo person që dyshohej për herezi ose futej në rrugën e herezisë, domethënë shmangej nga parimet dhe normat fetare ose i dhunonte ato.

Gjyqi i inkuizicionit ka vepruar me metoda të skajshme, veçanërisht në Spanjë. Inkuizicioni i ndiqte në fshehtësi të plotë personat dyshuar si heretikë, por shpallja e vendimeve për dënimin e tyre dhe zbatimi i vendimeve deri me djegie në turrën e druve realizoheshin me ceremoni publike që quhej autodafe.

Në çdo rast kryetari i kësaj gjykate eprore, që quhej Inkuizitori i Madh, i dërgonte ftesë një numri të caktuar njerëzish të rëndësishëm të shoqërisë si: nëpunës të strukturave të pushtetit qendror ose vendor, klerikë dhe sidomos shkencëtarë, filozofë ose artistë të shquar.

Ftesa me ngjyrë të gjelbër që dërgonte Kryeinkuizitori për të marrë pjesë në autodafe, përcillte këto mesazhe kryesore për pjesmarrës të ndryshëm:

I pari, nderim të veçantë për besimtarët fanatikë që përkrahnin në gjithçka mundësitë dhe praktikat e inkuizicionit. Si dëshmi besnikërie, një ftesë e tillë simbolikisht shprehte mundësi të gjera të kësaj kategorie pjesmarrësish, për të përparuar jo vetëm në karrierën kishtare, por edhe në atë politike, administrative etj.

I dyti, për një grup tjetër pjesmarrësish, ftesa me ngjyrë të gjelbër dëshmonte simbolikisht ndihmesën e tyre të fshehtë për zbulimin dhe faktimin e veprimeve të kualifikuara si heretike të personit që gjykohej nga Gjyqi i Shenjtë.

I treti, ftesa me ngjyrë të gjelbër disa pjesmarrës i vinte nën hijen e zezë të dyshimit për herezi ose të paktën për joshje nga veprime të caktuara të heretikëve.

I katërti, sidomos kur përsëritej për herë të dytë kjo ftesë simbolikisht përbënte një kërcënim të frikshëm: i ftuari mund të ishte në bankën e të akuzuarit në autodafen pasuese.

Me një tip të tillë ‘ftese’ është “nderuar” mëse një herë edhe piktori i madh spanjoll Francisco Goja (1746-1828).