MENU

105 vjetori

Kur Petro Marko ofendoi rektorin e Universitetit të Athinës

25.11.2018 - 13:18

Petro Marko, arsimtar, publicist, gazetar, shkrimtar shqiptar, lindi në fshatin Dhërmi, në 25 nëntor 1913, nga prindërit Marko e Zoica, por u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros, por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.

Pasi kreu filloren në vendlindje më 1924, shkoi në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë.

Pasi kreu shkollën u soll në Tiranë, takoi Hilë Mosin, asokohe ministër Arsimi. U caktua mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit.

Më 1934 ishte pjesë e Grupit Komunist të Tiranës, duke marrë pjesë në takimet e të cilit pa ditur se kush ishte kryetari.

Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petro i jepte nxënësve literaturë komuniste.

U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye Dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për në Athinë, ku kishte të vëllanë Dhimitrin, që ishte larguar që fëmijë nga fshati.

Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njihte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu: “Turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!…”, replikë që i shkaktoi përjashtimin.

Nëpërmjet punëdhënësit të të të vëllait u krijua mundësia të hyjë në një shkollë joshtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik.

Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku në atë kohë ishte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi.

Kthehet pas vendosjes së qeverisë liberale të Mehdi beut, në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së një gazete (“Koha e Re”) si organ i qeverisë, iku prej aty pasi nuk iu pranua një artikull. Shëtiti nga një gazetë në tjetrën dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 1-rë nga regjimi zogist.

Pas gjyqit e dënojnë me 6 muaj internim në Porto Palermo, ku bën vetëm 2 javë. Pas pak javësh në Llogara, lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos.

Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”, por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin ‘Pse nuk jam marksist i detyruar nga censura e kohës’.

Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro-proletariatit, i hyn si halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë në Athinë e të japë ca provime, duke tejparë pas këtij propozimi.

Takohet me Migjenin para se të niset dhe me të mbërrirë në Athinë merr anijen për në Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin.

Merr direktivat nga një shok serb që mbante si nofkë “Robert” dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 vetësh që u nis për në Albacete ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica.

Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga ‘Ndihma e Kuqe Internacionale’ u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.

Hyn në Itali nga fundi i ’39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porosi t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit.

Në Vlorë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në maj 1940. Pas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit te jugut të Italisë nga anglo-amerikanët, çan burgun me të burgosurit e tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.

Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet në Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve të tjerë në kohën kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi.

Në fundin e 1944 gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur po bastisej nga trupat jugosllave. Ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947. Nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë.

Më 1957 u bë mësues në teknikumin “8 nëntori”. Në 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Pas rrëzimit të diktaturës themelon së bashku me Sabri Godon dhe Vangjush Gambeten Partinë Republikane të Shqipërisë.

Më 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni.

Në vitin 1998 është nderuar me titullin ‘Mjeshtër i Madh i Punës’. Ka marrë çmimin ‘Penda e artë’ në vitin 2000. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës në vitin 2002 dhe në vitin 2003, Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, e dekoroi Petro Markon me Urdhërin “Nderi i Kombit”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Flet kolosi i viteve 30'

Ballkani sociologjik nga Branko Merxhani