MENU
klinika

Tirana e pavarur

Si sot më 1912, u ngrit flamuri në Tiranë!

26.11.2018 - 16:05

Më në fund, pas 500 vjet sundimi otoman, më 26 nëntor 1912, në sheshin përpara Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, u ngrit për herë të parë flamuri i Pavarësisë nga patriotët Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu, Shefqet Ndroqi. 

26 Nëntori mbetet përherë ditë historike për Tiranën e fisnikërisë dhe bujarisë. Plot 106 vite më parë kur forcat serbe po i afroheshin Krujës, Durrësit dhe Tiranës, këto burra të mençur e fisnikë që nderuan historinë e këtij qyteti, iu bashkuan arkitektit të pavarësimit Ismali Qemal Vlora, në projektin që më pas do të shënonte ditën e lindjes së shtetit shqiptar.

Më 25 Nëntor, një ditë përpara çastit që do shënonte ngritjen e flamurit, qyteti i Tiranës po kalonte momentet më dramatike të tij. Historiani dhe njëkohësisht qytetar nderi i Tiranës, prof. Kristo Frashëri, shkruan se ato ditë të rënda të vitit 1912, historia e Tiranës zhvillohej jo me javë e as me ditë, por me orë.

Ushtritë serbe kishin arritur të shtinin në dorë Krujën dhe me padurim donin të shtinin në dorë edhe Tiranën. Por, patriotët e ndritur tiranas ndryshuan rrjedhën e historisë si një shembull i jashtëzakonshëm i qëndresës dhe dëshirës për pavarësim e mëvetësi. Anëtarët e Këshillit të Tiranës u mblodhën menjëherë, pa humbur kohë, më 26 Nëntor të vitit 1912 për të shpallur vetëqeverisjen.

Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920 me vendim të Kongresit të Lushnjës. Ajo ishte themeluar për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull që vuante mungesën e një tregu të afërt.

Bërthama e parë historike e qytetit lindi së bashku me xhaminë e vjetër te Sulejman Pashës në qendër të strukturës së sotme të Tiranës. Bashkë me xhaminë në fjalë u ndërtuan edhe banesa të tjera, midis tyre edhe ato të feudalëve dhe të të afërmve të tyre. Në distancë 50-60 metra në perëndim të xhamisë, u ndërtuan një furrë, një banjë publike dhe një han.

Këto ndërtesa, së bashku me banesat, oborret, puset, rrugicat, sheshet dhe varrezat, të gjitha të përqendruara rreth ndërtesës së xhamisë, formonin një njësi pronësie, gjinie dhe lidhje familjare jo vetëm në krijimin e saj, por edhe shumë kohë më pas.

Bërthama e dytë urbanistike u krijua në fillim të shek. XVIII rreth xhamisë së Firës, e zhvendosur rreth 600 metra në veriperëndim te bërthamës së parë, pikërisht aty ku takohen sot rruga e Barrikadave dhe rruga Fortuzi. Kjo ndërtesë e amortizuar u rindërtua mbi themelet e saj në vitet 1859, duke u quajtur kësaj radhe xhamia e Beshirit sipas emrit të tregtarit që e ndërtoi.

Ndërtimi i xhamisë së Zajmit në 1775 shënon fillimin e ndërtimit të bërthamës së tretë.

Bërthama e katërt nis me kohën e themelimit të xhamisë së Haxhi Et’hemit, e cila u vendos rreth 200 metra në perëndim të xhamisë se vjetër. Në këtë logjik, në pika te ndryshme, gjithnjë në një distancë të afërt me bërthamën e parë, formohen me kohë edhe bërthama të tjera, me qendër një xhami si ajo e Stërmasit, ndërtuar më 1840, e Kokonozit dhe e Berxollit në shek. XIX, e Karapicit në 1858, e Mujos, e Reçit, etj., duke lëvizur në mënyrë vicioze nga qendra në periferi e përsëri në qendër.

Ndërtimi i xhamisë se Sulejman Pashës (1614), së bashku me banjat publike, hanin dhe furrën e bukës, simbolizon nga pikëpamja historiko – arkitektonike lindjen e qytetit te Tiranës.

Sot nuk ekziston asnjë prej tyre, pasi xhamia e vjetër u prish gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore, kurse objektet e tjera gjatë rregullimeve të pasluftës. Në këtë kompleks objektesh bënte pjesë edhe Tyrbja e Sulejman Pashës (që ekziston sot) ndërtuar nga i biri, Kapllan Pasha, si një varr monumental përkujtimor për të atin.

Në shek. XVIII, u themelua në perëndim të Tiranës Panairi i Tregtisë së Shën Lleshit, i cili u bë një pikë takimi dhe pol tërheqës interesash blegtorale dhe tregtare, duke shërbyer si mjet ndërlidhës i qytetit me fshatin dhe me qytete te tjera si me Shkodrën, Beratin, Elbasanin si edhe me krahinat më të largëta si Dibra apo Kosova.

Më 1871 ky panair filloi sërish të rimëkëmbej, duke u zhvilluar pothuajse një herë në vit.

Viti 1920 e gjen Tiranën një qytet me sipërfaqe 305 hektar, ku zona e banimit zë 98,2% të sipërfaqes së qytetit, popullsia numëron 15000 banorë dhe dendësia e popullsisë është afërsisht 50 banorë për hektar. Qyteti zhvillohet rreth celulës së pazarit dhe zona e banimit shtrihet kryesisht në veri dhe lindje të qytetit.

Në vitin 1923 hartohet plani i parë rregullues i qytetit, nga arkitektë dhe inxhinierë austriakë. Plani rregullues i vitit 1923 kërkon të arrijë një zgjidhje kompromisi midis ndërtimit të një rrjeti rrugor të rregullt drejtkëndor, rregullimit dhe përshtatjes së atij ekzistues.

Pas një periudhe politike të rrëmujshme dhe me ardhjen në pushtet të qeverisë së udhëhequr nga Ahmet Zogu, autoritetet e asaj kohe e orientuan politikën e vendit nga Italia.

Në mungesë të mjeteve financiare, qeveria kërkoi një ndihmë ekonomike nga Italia për rilevimin gjeodezik të qyteteve shqiptare si dhe për hartimin e planeve të tyre rregulluese. Kjo kohë shënon fillimin e periudhës së dytë të rëndësishme të transformimit të strukturës urbane dhe arkitektonike të Tiranës.

Përpjekja e parë nga autoritetet e kohës, qe ftesa që iu bë profesionistëve me emër të asaj periudhe si arkitekti italian Brazini në vitin 1925. Plani rregullues i vitit 1935, i ashtuquajturi plani Italian, hedh themelet e para të planifikimit urban në qytetin e Tiranës. Themeli i këtij plani është ndërtimi i një institucionaliteti për qytetin e Tiranës përmes ngritjes së një kompleksi administrativ (duke qenë se Tirana ishte kryeqytet) e hapjes së një bulevardi që ende sot është zemra e kryeqytetit, si dhe ndërtimit të zonave të reja të banimit.

Gjatë viteve 1945-1989 ka pasur dhe disa plane të tjera urbanistike që kanë sjellë disa ndërhyrje në Tiranë siç ka qenë sistemimi i lumit të Lanës, apo ndërtimi dhe ristrukturimi i sheshit kryesor të qytetit, aktualisht sheshi Skënderbej. 

Disa nga këto ndërhyrje kanë qenë domethënëse sikundër disa prej tyre kanë shënuar humbjen përgjithmonë të disa vlerave monumentale të qytetit të Tiranës siç ishin Pazari i Vjetër, apo godina e Bashkisë së Tiranës për t’u zëvendësuar me objekte si Pallati i Kulturës apo Muzeu Kombëtar.

Por plani i viti 1989 i shtroi vetes detyrën për të planifikuar për një popullsi që nuk do t’i kalonte 350.000 banorët (megjithëse nuk disponohet relacioni i plotë i planit). Sidoqoftë plani 1989 nuk mund të parashikonte ndryshimet thelbësore që pasuan në vitin 1990. Për rrjedhojë e vetmja ‘vlerë’ e këtij plani mbeti gjurma e rrjetit rrugor të propozuar, ndërsa funksionaliteti i zonave pothuaj nuk u mor parasysh në vitet në vijim.

Për më tepër shtrirja e qytetit as nuk përputhet dot me asnjë nga përcaktimet e planit. Sidoqoftë ‘Plani Rregullues 1989’ hedh disa ide për unazën e Tiranës, për një unazë të madhe si dhe për një lidhje të aksit të veriut.

Rajoni i Tiranës është rritur në këto vite nga një rajon me një popullsi rreth 350 mijë në vitin 1990 banorë në rreth 800 mijë banorë në vitin 2010. Vetë qyteti i Tiranës ka përjetuar gati një trefishim të popullatës nga 275.000 banorë në vitin 1990 në mbi 650.000 banorë në vitin 2010.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rrëfimi për Daily Telegraph (1928)

Mbreti Zog: Nuk do t’i nënshtrohemi kurrë Italisë


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit