MENU
klinika

Këshilla dhe zgjidhje!

Si të mbani fytyrën të bukur!

01.11.2018 - 11:52

Shumë djem dhe vajza të moshës së adoleshencës kanë probleme me fytyrën si: puçrra, njolla, quka etj.

Mosha 15-25 vjeç kanë probleme me fytyrën dhe puçrrat që krijohen si rezultat i ndryshimit hormonal të moshës dhe shpesh dalin në fytyrë puçrra me maja të kuqe, me infeksion e qelb që herë pas here kjo moshë i ngacmon, e më pas dalin edhe probleme të njollave të fytyrës.

Kunja të zeza e shumë probleme të tjera që e detyroojnë vetë personin e kësaj moshe të ndërhyjë me mjaft metoda në formë maske, gjë që bën pastrim total të fytyrës, puçrrave dhe njollave deri në shërimin e tyre.

Janë shumë faktorë që ndikojnë në prishjen e pamjes së fytyrës si: njollëzat e fytyrës nga dielli, rrudhat e moshës, puçrrizat e fytyrës, aknet dhe puçrrat me qelb.

Për të mbajtur fytyrë të lëmuar dhe për zbardhjen e saj, mund të përdorni disa metoda:

Merrni 150 gr brumë buke thekre të porsa dalë nga furra, 4 të bardha vezësh të freskëta, ¼ e litrit të uthullës së fortë rrushi. Këto i përzieni bashkë, pastaj të ngjeshur mirë me një lugë druri, kullohen me një napë. Me një pëlhurë të butë, të njomur me këtë lëng fërkoni në darkë fytyrën. Këtë procedurë e vazhdoni 5-6 mbrëmje.

Merrni patate të ziera, i qëroni, i shtypni, i përzieni me qumësht dhe i ngjeshni derisa të marrë formën e puresë. Me këtë lyeni e fërkoni fytyrën çdo mbrëmje.

Kur skuqet fytyra nga dielli, merrni lëng limoni, vaj pambuku në sasi të barabarta. Pasi ta përzieni, me këtë mjekoni 2-3 herë në ditë pjesët e skuqura të fytyrës.

Për puçrrat e fytyrës përdoret edhe lëngu i trangujve. Merrni 2-3 tranguj (kastraveca), i çani në 4-5 pjesë, i fusni në një litër ujë. Në të fusni 10 gjethe vishnje të njoma, 6 gjethe lisi, 70 gr kripë. Pas 3-4 javësh këtë përbërje e kaloni nëpërmjet një nape. Me këtë njomni një copë pambuk dhe lyeni fytyrën, duke e lënë ashtu nga darka deri në mëngjes.

Për puçrrat e moshës rinore merrni ujë kovaçi atje ku temperohen hekurat e nxehtë, ku shuhen hekurat e skuqur, sepse në këtë ujë ka përbërje dhe kristale të çdo lloj metali dhe ky shërben për të përtharë dhe zhdukur puçrrat e moshës.

Merrni lëngun e shegës të shtrydhur nga kokrrat e saj dhe mbushni 1 filxhan kafeje. Me të njomni fytyrën në drekë, kurse në mëngjes esëll pihet 1 filxhan kafeje me vaj ulliri.