MENU

Hulumtimi dhe dëshmitë

Sky News: Bandat shqiptare shesin vajzat si prostituta

18.11.2018 - 22:33

Trafiku i qenieve njerëzore për fat të keq vijon të ketë rritje vitet e fundit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera, të cilat njihen për demokraci të konsoliduar.

Ky fenomen duket se gjen shteg edhe në vendet më të zhvilluara se Shqipëria , pasi strukturat dhe aktiviteti i tyre drejtohet nga njerëz që kanë lidhje në të shumtën e herëve edhe me vetë struktuarat ligj-zbatuese.

Televizioni britanik “Sky News” i ka kushtuar një material të gjatë trafikut të qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt Britanisë, ndërsa për këtë jep edhe shifra të cilat duket se janë rritur me 35 për qind.

Sipas investigimit të medias angleze, thuhet se shumica e të trafikuarve përdoren për prostitucion në rrugë, një pjesë tjetër përfundon në ruajtjen e plantacioneve të drogës, shitjes së saj e deri tek ushtrimi i punës në të zezë.

Gazetari Dan Whitehead dhe kolegët e tij të Sky News në funksion të këtij hulumtimi kanë vizituar edhe Shqipërinë, ndërsa shifrat e raportuara prej tyre janë konfirmuar edhe nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Angli apo e njohur ndryshe përmes akronimeve si (NCA).

Gazetarët anglezë janë ndalur fillimisht në Vlorë, në një qendër ku ndodhen 15 femra, që kanë qenë viktima të trafikut dhe janë janë kthyer së fundmi nga Anglia. Këto femra janë torturuar barbarisht, janë goditur edhe pse ishin shtatzëna.

Një nga personazhet e intervistuar për median britanike ishte Besjana, e cila tregoi se pasi kishte mbetur shtatzënë, familja, kryesisht vëllai dhe nëna i kishin bërë dalje, ndërsa kishin ushtruar dhunë mbi të me qëllim që të dështonte fëmijën.

Agjencia Kombëtare e Krimit në Angli raporton me të dhëna zyrtare se numri i qenieve njerëzore të trafikuara është rritur në 5145 nga viti 2016 deri në vitin 2017.

Sipas NCA-së, shumica e të trafikuarave janë nga Shqipëria. Ato trafikohen nga një rrjet i gjerë bandash të cilat veprojnë në të gjithë Europën, ndërsa në gjuhën e tyre ata e konsiderojnë si një shkëmbim “malli”, veprimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

Zv/drejtori i NCA-së, Tom Dowdall, ka thënë se bandat shqiptare janë të rrezikshme, madje i cilëson ato si banda poli-kriminale.

Bandat kriminale të organizuara shqiptare janë duke operuar në mënyrë të sofistikuar dhe aktivitetin përveç në Britaninë e Madhe, e ushtrojnë dhe në vende të tjera të BE-së”. Ata janë ato që ne e quajmë ‘poli-kriminelët”, ka thënë zv/drejtori i NCA.

Media britanike sjell edhe histori të tjera, të cilat kanë si kryefjalë mashtrimin dhe detyrimin për të prostituuar në rrugët e Anglisë, kjo e bërë nga bandat shqiptare, të cilat ende nuk janë kapur nga autoritetet angleze dhe ato europiane.

Ndërkohë aktiviteti i këtyre bandave është shumë i zgjeruar, pasi krahas trafikut të qenieve njerëzore, ata kanë shitur edhe armë dhe drogë në vende të ndryshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN