MENU
klinika

Miqësorja

Sot Shqipëri-Uells, e fundit për Panuccin?

20.11.2018 - 11:55

Mbrëmjen e sotme, pikërisht në orën 20:00, në “Elbasan Arena”, Kombëtarja shqiptare do të luajë miqësoren e radhës, ku përballë do të jetë Uellsi, që drejtohet nga Ryan Giggs. Shqipëria dhe Uellsi vihen përballë për herë të tretë në historinë e tyre.

Më parë, kuqezinjtë dhe britanikët janë ndeshur në kuadrin e eliminatoreve të “Euro 1996”. Sfida e parë u luajt në shtator 1994, me Uellsin që fitoi 2-0, me gola të Chris Coleman dhe Ryan Giggs.

Në nëntor 1995 u luajt ndeshja e dytë në Tiranë, e cila përfundoi me barazimin 1-1. Golat u shënuan nga Sokol Kushta (4’) dhe Pembridge (42’). Uellsi pozicionohet në vendin e 18-të të FIFA-s, referuar renditjes aktuale botërore të kombëtareve, ndërsa kuqezinjtë e Panuccit janë të 60-tët.

Pasi përfundoi i dyti në grupin e vet të Ligës së Kombeve, pas Danimarkës, Uellsi do të synojë t’i japë fund vitit 2018 në mënyrë pozitive, me një fitore në Shqipëri. Skuadra e drejtuar nga Ryan Giggs ka dhënë disa shenja inkurajuese nën drejtimin e trajnerit të ri.

Shqipëria ka humbur pesë dhe ka barazuar dy nga shtatë miqësoret e saj të fundit në shtëpi. Uellsi nga ana e vet ka humbur gjashtë dhe ka barazuar një nga shtatë miqësoret e fundit.

Dyshja mbrojtëse, Paul Dummett dhe James Chester, do të mungojnë te Uellsi, për shkak të dëmtimit. Chris Gunter i Cardiff-it do ta fillojë si titullar dhe ai do të luajë ndeshjen e tij të 93-të me kombëtaren. Një rekord!

kombetarja
kombetarja

Gareth Bale pritet të luajë, gjithashtu, edhe pse Real Madridi e ka kushtëzuar të mos jetë në fushë 90 minuta të plota. Shqipëria ka disa ndeshje që luan pa njërin prej kërcënimeve kryesore të saj në sulm, Armando Sadiku, me lojtarin e Levantes jashtë fushave të blerta, pas një operacioni në gju.

Humbja e Shqipërisë ndaj Skocisë, më 17 nëntor në “Loro Boriçi”, ishte më e rënda për të në më shumë se shtatë vitet e fundit, edhe pse ia vlen të kujtohet se luajti pjesën më të madhe të lojës me 10 lojtarë.

Dhe pikërisht kjo disfatë ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Christian Panucci në stolin e Kombëtares shqiptare, aq sa pyetja e vetmja sonte është: Do të jetë ndeshja e fundit e teknikut italian si drejtues kuqezi?

panucci kombetarja
panucci kombetarja

FORMACIONI                             

Pritet një Shqipëri shumë e kujdesshme sot ndaj Uellsit, ndërsa me shumë gjasa do t’i rikthehet skemës klasike: 4-5-1. Binaku, Gjimshiti dhe Ndoji u larguan nga grumbullimi, por me shumë gjasa edhe Manaj nuk do të luajë, pasi është me grip.

Rikthimi i Bashës dhe Hysajt, të cilët nuk ishin të gatshëm për ndeshjen me Skocinë, duket sikur janë pikat ku do të mbështetet Panuçi. Ndryshimet pritet të nisin që nga porta, ku me shumë gjasa do të nisë takimin si titullar Strakosha.

Veseli të zëvendësojë Gimshitin dhe Ismajli, Binakun. Pra, mbrojtja në këtë sfidë do të rreshtohet në vijë të drejtë me katër lojtarë; Mavraj dhe Veseli në qendër, ndërsa Ismajli dhe Hysaj nga krahët.

Italiani ka menduar të luajë me dy lojtarë “organizatorë” para mbrojtjes: me Bashën dhe Kaçen. Para tyre do vendosen Xhaka-Grezda-Gavazaj, ndërsa në sulm në mungesë të Manajt, Balaj dhe Vrioni shpresojnë deri në momentin e fundit vendin e titullarit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kreu i FSHF-së nuk nxitohet

A do ta shkarkojë Duka trajnerin Panucci?