MENU
klinika

P. I . Çajkovski

“Të përsëriturit është nëna e dijes”.

06.11.2018 - 20:23

Kompozitori i famshëm rus i të gjitha kohërave, Pyotr Ilyich Tchaikovsky, ose ndryshe Çajkovski, vdiq më 6 nëntor 1893 në Shën Petersburg.

Muzika e tij ka qenë një apel i përhershëm për publikun e gjerë, në sajë të melodive të tij të ëmbla dhe të çiltra, të harmonive mbresëlënëse dhe orkestrimeve piktoreske e plot kolor, të cilat ngjallin gjithmonë reagime të thellë emocionale. Puna e tij përfshin 7 simfoni, 11 opera, 3 balete, 5 suita, 3 koncerte për piano, një koncert për violinë, 11 uvertura, 4 kantata, 20 vepra korale, 3 kuartete harqesh, një sekstet dhe më shumë se 100 këngë dhe pjesë pianoje. Çajkovski, muzika e të cilit shquhet për pasion, lirizëm dhe kolor orkestral, është kompozitori i unitetit melodik magjepsës.

Çajkovski studioi në Shën Petersburg, në qendrën kryesore të kulturës së lartë në Rusinë perandorake. Ishte fëmija i dytë nga gjashtë të mbijetuarit e Ilia Çajkovskit dhe Aleksandra Asierit, pasardhëse e emigrantëve francezë. Interesin për muzikën e shfaqi që në vogëli, madje kur ishte katër vjeç bëri përpjekjen e parë në kompozim, për një këngë të shkruar me motrën e tij të vogël Aleksandra. Në 1850, hyri në Shkollën prestigjioze Imperial të Jurisprudencës në Shën Petersburg, një shkollë me konvikt vetëm për djem, ku kaloi nëntë vjet.

Gjatë viteve të fundit të shkollës, babai i Çajkovskit, i vetëdijshëm për prirjen e të birit ndaj muzikës, punësoi mësuesin profesionist Rudolph Kündinger për t’i dhënë mësime pianoje. Në moshën 17 vjeçare, Çajkovskin e mori nën ndikim instruktori italian i këndimit Luigi Piccioli, personi i parë që vlerësoi talentin e tij muzikor, gjë e cila më pas do çonte në një pasion të përjetshëm të Çajkovskit për muzikën italiane. Don Zhuani i Wolfgang Amadeus Mozartit qe një tjetër zbulesë, që ndikoi thellësisht në shijen e tij muzikore. Verën e vitit 1861 udhëtoi për herë të parë jashtë Rusisë, duke vizituar Gjermaninë, Francën dhe Anglinë, kurse në tetor të atij viti filloi të ndiqte klasat muzikore të ofruara nga Shoqata Muzikore Ruse. Çajkovski ishte ndër studentët e parë të Konservatorit të Shën Petersburgut, ku kaloi gati tre vjet duke studiuar muzikë dhe kontrapunkt me Nikolaj Zaremba, kurse kompozim dhe orkestrim me Anton Rubinstein.

Ndër veprat e hershme orkestrale ishte uvertura The Storm (1864). Ekzekutimin e parë në publik e pati në gusht të vitit 1865, kur Johann Strauss i Riu drejtoi Vallëzimet Karakteristike të Çajkovskit në një koncert në Pavlovsk, pranë Shën Petersburgut.

 

Pas diplomimit, në dhjetor 1865, Çajkovski u zhvendos në Moskë për të dhënë teorinë e muzikës në Shoqërinë Muzikore Ruse, më pas u riemërua në Konservatorin e Moskës. Brenda pesë viteve Çajkovski kishte prodhuar simfoninë e tij të parë, Simfoninë Nr. 1 në G Minor (1866, Fantazi dimri) dhe veprën e tij të parë, The Voyevoda (1868). Në 1869, Çajkovski përfundoi Romeo dhe Zhulieta, uverturë ku përshtati me delikatesë format e sonatave me shembullin e strukturës dramatike të Shekspirit. Nikolai Rubinstein kreu një ekzekutim të suksesshëm, duke e shndërruar në kompozimin e parë të Çajkovskit të përfshirë në repertorin klasik ndërkombëtar. Në 1871 përfundoi Kuartetin e Harqeve Nr. 1, kurse në prill të po atij vitit operën Oprichnik. Gjatë verës së vitit 1875, Çajkovski kompozoi Simfoninë Nr. 3 në D Maxhor, kurse në vitin 1876, pas një udhëtimi nëpër Evropë, përfundoi të magjishmen Liqeni i Mjellmave, fillimisht në formën e një baleti.

Periudha e largimit nga Moska rezultoi shumë produktive. Në 1878, përfundoi disa nga kompozimet e tij të famshme, si: operën Eugjen Onegin, Simfoninë Nr. 4 në F Minor dhe Koncertin për Violinë në D Maxhor. Gjatë 10 viteve të ardhshme Çajkovski krijoi Mazepa (1883, bazuar tek Poltava e Aleksandër Pushkinit) dhe E magjishmja (1887), si dhe simfonitë mjeshtërore Manfred (1885) dhe Simfonia Nr. 5 në E Minor (1888). Arritje të tjera qenë edhe Serenatë për Harqe në Maxhor C, Opus 48 (1880), Kapriçio italiane (1880) dhe 1812 Uverturë (1880).

Në fillim të vitit 1885, i lodhur nga endjet, Çajkovski u vendos në një shtëpi me qira në afërsi të Klinit, jashtë Moskës. Atje iu përshtat një rutine të përditshme, që përfshinte leximin, shëtitjet në pyll, kompozimin në mëngjes dhe pasdite, si dhe në mbrëmje luante duet në piano me shokët. Në premierën e operës Cherevichki, në vitin 1887, së fundmi mposhti frikën e gjatë të drejtimit. Në gusht 1889 kompozoi baletin e tij të dytë Bukuroshja e Fjetur. Në pranverën e vitit 1891, Çajkovski u ftua të vizitojë Shtetet e Bashkuara me rastin e përurimit të Carnegie Hall në New York City. Rikthimi në Rusi çoi në përfundimin e dy kompozimeve të fundit për skenën – operën me një akt Iolanta (1891) dhe baletin me dy akte Arrëthyesit (1892), kurse në 1893 filloi të punonte në Simfoninë N. 6 në B Minor, e cila ishte e destinuar të bëhej kryevepra e tij e famshme.

Më 21 tetor, befas u sëmur i diagnostikuar me kolerë, një epidemi që po fshinte gjithë Shën Petersburgun. Pavarësisht përpjekjeve mjekësore për ta shpëtuar, ai vdiq katër ditë më vonë.

Pjesa dërrmuese e shekullit të 20-të, u shoqërua me kritika thellësisht të padrejta karshi jetës dhe muzikës së Çajkovskit. Gjatë jetës së tij, muzikantët rusë e sulmuan stilin e tij si të pamjaftueshëm nacionalist. Sidoqoftë, në Bashkimin Sovjetik ai u bë një ikonë zyrtare, për të cilin nuk tolerohej asnjë kritikë negative; nga ana tjetër, nuk u bë asnjë studim i thellë i personalitetit të tij. Gjithsesi, në Evropë dhe në Amerikën e Veriut, Çajkovski u gjykua jo rralëherë sa i përket parimit të seksualitetit, duke e interpretuar muzikën e tij si shfaqje e devijimit seksual. Jeta e tij u portretizua si një trazirë e pandërprerë emocionale, karakteri si i frikshëm, histerik, ose i fajshëm, veprat e tij u shpallën vulgare, sentimentale, madje edhe patologjike. Në shekullin e 21-të, një shqyrtim i ngushtë i korrespondencës dhe ditarëve të Çajkovskit, i cili më në fund u vu në dispozicion të studiuesve, çoi në përfundimin se portretizimi tradicional kishte qenë krejtësisht i gabuar. Siç nxjerrin në pah dokumentet arkivore, Çajkovski arriti të përshtatej me shoqërinë e asaj kohe dhe nuk ka arsye të besohet se ai ishte nevrotik apo se muzika e tij kishte mesazhe të koduara siç pohojnë disa teoricienë.

Muzika e tij nuk pohon thellësinë intelektuale, por përçon gëzimet, dashuritë dhe brengat e zemrës së qenies njerëzore me sinqeritet goditës dhe therës.

Çajkovski ishte eksponenti kryesor i romantizmit në shabllonin rus, i cili i detyrohet traditës muzikore franceze dhe italiane, po aq edhe asaj gjermane. Ai frymëzohej në mënyrë të qartë nga muzika popullore ruse. Kompozitori rus, Igor Stravinsky shprehej: “Çajkovski tërhoqi në mënyrë të pandërgjegjshme nga burimet e vërteta popullore të kombit tonë”.

Për më tepër, Çajkovski solli një tërësi të kompozimit, duke e ngritur baletin në nivelin e muzikës simfonike. Për këtë qëllim, ai përdor ndjesinë e simfonistit të një strukture me gamë të gjerë, duke organizuar vallet e njëpasnjëshme nëpërmjet përdorimit të çelësave për të krijuar një ndjenjë koncentruese të qëllimit, në dallim me paraqitjen e rastësishme ose dekorative në baletet e paraardhësve të tij. Ndikimi i tij eksperimental dallohet dukshëm në baletet Sergej Prokofiev dhe Aram Khachaturian.

Poemat simfonike të Çajkovskit janë pjesë e linjës së zhvillimit në veprat programatike të lëvizjes së vetme të iniciuar nga Franz Liszt, të cilat drejtojnë gamën e karakteristikave ekspresive dhe stilistike që karakterizojnë zhanrin. Fatumi (1868) tregon një liri forme dhe shprehje moderniste, ndërsa në ekstremin tjetër është ekuilibri klasik i uverturës Romeo dhe

Zhuljeta, ku romantizmi i pasionuar kundërpeshohet nga rreptësia e formës së sonatës. Për më tepër, Çajkovski shpengoi kufizimet e muzikës së dhomës, duke futur një metrik joortodokse në scherzo në Kuartetin e Dytë në F Major, Opus 22 (1874). Aftësia e tij në kontrapunkt, themeli i muzikës së dhomës, mund të shihet po ashtu në të gjitha veprat e tij të dhomës.

Alexander Poznansky