MENU
klinika

Javë kritike për Britaninë

Theresa May: Nëse largohem unë Brexit s’do të jetë i lehtë

18.11.2018 - 13:41

Zonja May, kryeministrja britanike, është përballur me mundësinë e votës së mosbesimit nga disa prej deputetëve të saj që nga publikimi i planit të saj për largimin nga BE të mërkurën.

May mund të përballet me votë mosbesimi nëse së paku 48 ligjvënës konservatorë , 15% të partisë parlamentare, e kërkojnë atë me letra zyrtare.

“Një ndryshim i lidershipit në këtë pikë nuk do t’i bëjë më të lehtë negociatat “- tha ndër të tjerash kryeministrja.

Ajo tha se bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me BE ishin duke vazhduar përpara një samiti të pritshëm të BE-së javën e ardhshme.

May tha për Sky News “Politika është një biznes i vështirë dhe unë kam qenë pjesë e saj për një kohë të gjatë”, tha ajo, duke shtuar se shtatë ditët e ardhshme do të jenë kritike për të ardhmen e Britanisë së Madhe.

Ka pasur kritika të gjera për draftin e marrëveshjes së tërheqjes të arritur mes Britanisë së Madhe dhe BE, e cila do të nënshkruhet në një samit të posaçëm javën e ardhshme. Ka gjithashtu dyshime se a mund të fitojë miratimin nga të gjitha palët, duek qenë se partitë e opozitës, duke përfshirë Partinë e Bashkimit Demokratik të Irlandës së Veriut, e kundërshtojnë atë.

Marrëveshja e tërheqjes prej 585 faqesh, e cila u botua së bashku me një dokument shumë më të shkurtër që përcaktonte se si mund të dukeshin marrëdhëniet e Britanisë së Madhe dhe BE në të ardhmen, ka shkaktuar dorëheqjen e disa ministrave nga qeveria, duke përfshirë atë të Sekretarit të Brexit Dominic Raab. Disa të tjerë besohet të jenë ende duke u përpjekur të ndryshojnë qëndrim lidhur me çështjen.

Raab, i cili negocioi për Britaninë e Madhe me Michel Barnier të BE, ka shpjeguar vendimin e tij për të lënë detyrën. Ai tha se nuk e dinte se kush kishte futur një klauzolë mbi marrëdhëniet doganore në dokumentin e partneritetit të ardhshëm, por tha se ishte një “shkelje e qartë” e manifestit konservator.

Pse njerëzit janë të pakënaqur? Draft dokumenti përcakton kushtet e largimit të Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë detaje të tilla si sa para do të paguhen në BE, detajet e periudhës së tranzicionit dhe të drejtat e qytetarëve.

Si Mbretëria e Bashkuar, ashtu edhe BE duan të shmangin një kufi të vështirë me Irlandën e Veriut, kështu që ata ranë dakord të përfshijnë në marrëveshje, një “backstop”, në rast se ata nuk mund të arrijnë një marrëveshje tregtare afatgjatë.

Kjo do të thotë që Irlanda e Veriut do të vazhdojë të zbatojë rregullat e BE-së, dhe kritikët thonë se kjo është e papranueshme.