MENU
klinika

Pas draft-marrëveshjes së Brexit

Tronditet Britania/ 4 ministra japin dorëheqjen

15.11.2018 - 17:43

“Tërmet” në qeverinë e Tereza Mej pas arritjes së marrëveshjes me Brukselin për Brexit.

Ministri për marrëveshjen me Bashkimin Europian, Dominic Raab, ministrja e punës MekVei dhe ai për Irlandën e Veriut, kanë dhënë dorëheqjen. Me anë të një mesazhi në Twitter, tashmë ish-ministri Raab u shpreh se nuk mund të mbështeste kushtet e marrëveshjes. E menjëhereshme ishte dhe dorëheqja e zëvendësministres për Brexit Suela Brejvërmen. Ndërsa Mekvej këmbëngul se kjo marrëveshje nuk nderon rezultatin e referendumit.

Najxhel Faraxh, eurodeputeti themelues i Ukip, një nga bashkëautorët e BREXIT, u shfaq i entuziazmuar për dorëheqjen e ministrit Dominik Raab. Me anë të një mesazhi në Twitter ai u shpreh se ishte në pritje të dorëheqjes së kryeministres Mej. Menjëherë pas marrëveshjes, Faraxh u bëri apel ministrave të Mej që të largoheshin nga qeveria duke e cilësuar marrëveshjen si më të keqen në histori.

Por pavarësisht dorëheqjeve të njëpasnjëshme, kryeministrja britanike Tereza Mej ka këmbëngulur se marrëveshja e arritur me Bashkimin Europian është një zgjedhje e bërë në interes të vendit.

Ajo premtoi se kjo marrëveshje do të garantojë daljen e vendit nga Bashkimi Europian në kohën e duhur, dhe se alternativa e vetme e saj do të ishte mungesa totale e një marrëveshjeje.

Ajo pranoi se negociatat kanë kërkuar zgjedhje të vështira dhe se respektonte vendimin e Dominik Raab dhe të tjerëve që dhanë dorëheqjen, por nuk i kuptonte.

Ajo ka mohuar në mënyrë kategorike mbajtjen e një referendumi të dytë për këtë çështje. Dhe vlera e stërlinës vuan pasojat e situatës politike të krijuar në vend pas dorëheqjes së ministrave, duke shënuar rënie përballë euros dhe dollarit.

Krerët e BE do të takohen më 25 nëntor për të miratuar marrëveshjen e divorcit që është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit.

May do të përcaktojë afatet e marrëveshjes së tërheqjes të tërheqjes të enjten në Dhomën e Komuneve,që duhet të miratojë marrëveshjen përpara se Britania të largohet nga BE më 29 mars.

Kryeministrja siguroi mbështetjen e kabinetit të saj për projekt-marrëveshjen të mërkurën, pas një takimi pesë orësh. “Vendimi kolektiv i qeverisë ishte se qeveria duhet të pajtohet me projekt-marrëveshjen” tha May të mërkurën.

“Ky është një hap vendimtar, i cili na lejon të ecim përpara dhe të finalizojmë marrëveshjen në ditët e ardhshme”, shtoi ajo. “Këto vendime nuk u morën lehtë, por unë besoj se ata ishin në interesin kombëtar”.