MENU
klinika

Miliona dollarë në lojë!

U bojkotuan nga Kina, “Dolce & Gabbana” kërkon falje

23.11.2018 - 20:18

Kina është një treg i madh dhe tejet i rëndësishëm për kompanitë globale dhe ta humbësh atë do të thotë miliona dollarë më pak.

Kjo gjë po i ndodh kompanisë “Dolce & Gabbana”, duke detyruar themeluesit e saj t’i kërkojnë falje këtij shteti për të shpëtuar markën e tyre.

Produktet e kompanisë u tërhoqën nga faqet kineze të shitjeve “online”, pas një vale polemikash që shpërtheu si pasojë e një fushate reklamash të saj.

Kompania postoi një video, ku shfaqej një modele kineze që stërmundohej të hante makarona dhe pica me shkopinj. Fushata u akuzua se tallej me kulturën kineze dhe se promovonte stereotipe të pahijshme.

Personalitete të shumta kineze kanë kërkuar një bojkot të markës. Kriza u thellua edhe më shumë, kur mesazhe që duket se ishin shkruar nga njëri prej bashkëthemeluesve, Stefano Gabbana, që mbanin komente fyese për kinezët, u bënë virale.

E këtë të premte bashkëthemeluesit e Dolce & Gabbana i kërkuan “falje” Kinës. Në video, Gabbana dhe bashkë-themeluesi Domenico Dolce thanë se kishin reflektuar seriozisht dhe ishin të trishtuar nga ndikimi i reklamës së tyre.

“Përballë keqkuptimit kulturor, ne shpresojmë që ju të mund të na falni,”-tha Dolce, duke folur italisht, në videon e ku dy stilistët shihen të ulur krah për krah. Gabbana gjithashtu u kërkoi falje të gjithë njerëzve kinezë nëpër botë.

“Ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë përvojë dhe mësim, dhe kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë më,”-tha ai.

Tashmë mbetet për t’u parë se si do të reagojnë kinezët pas faljes, duke qenë se ata përbëjnë rreth një të tretën e shpenzimeve për mallrat luksoze në mbarë botën.