Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, u padit në Gjykatë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti Armand Duka për shpifje dhe fyerje. Edhe pse Braçe u paraqit në Gjykatë, ai nuk arriti dot të kapte orarin e gjyqit.
Ai mbërriti me 25 minuta me vonesë, duke bërë që gjyqtari Arben Micko të shtyjë seancën e parë atë të pajtimit, sipas procedurave. Në një prononcim për “Top Channel”, nga Gjykata, Braçe ka kërkuar që në sallën e gjyqit të jetë i pranishëm presidenti Duka së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Ilir Shulku.
“Po ka mendere, të vijë vetë dhe ta provojë, por të vij vetë ama, ai dhe ky manari që mban nga mbrapa, Ilir Shulku. Po t’i krahasosh statuset e mia me statuset e Armand Dukës dhe Federatës kundër meje, është njësoj si të lexosh vulgun me mendimet e mia për një ndeshje sportive dhe për ngjarje që trokasin prangat për zyrtarët e Federatës.
Të vijë dhe të provojë, nëse ka paguar gjatë këtyre viteve detyrimin prej 10 % të së drejtës televizive. Të vijë dhe ta provojë në gjyq, por pasi t’i ketë paguar, sepse deri tani nuk ka paguar asgjë”, – u shpreh Erjon Braçe.