Nëse ka një futbollist nga Kombëtarja shqiptare që po shkëlqen me ekipin e tij në Europë, ai është Myrto Uzuni, që po përjeton momentin më të mirë të karrierës.
Mesfushori me tipare sulmuese ka shënuar sot në përballjen kundër Slaven Belupos golin e tij të radhës, i katërti për këtë sezon. Uzuni ndihmoi Lokomotivën e Zagrebit të shmangte humbjen, duke shënuar në minutën e 80-të ndeshjes.
Miqtë ishin në avantazh të një goli, kur ai goditi bukur me kokë, duke barazuar ndeshjen. Uzuni është zgjedhur edhe 5 herë pjesë e formacionit më të mirë të javës. Kjo pikë e ngjit Lokomotivën në kuotën e 30 pikëve, duke vazhduar të mbajë vendin e dytë me 6 pikë më pak se Dinamo e Zagrebit e vendit të parë.
Një pjesë loje edhe për Lirim Kastratin, i cili u fut në fushë në fillimin e pjesës së dytë. Sulmuesi i Kosovës vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i Lokomotivës me 7 gola, ndërsa katër minuta përpara fundit u ndëshkua me karton të verdhë.