MENU
klinika

Vjersha, poezia dhe letërsia

Vjershëro o vjershëtar një poezi

27.11.2018 - 17:25

Nga Andreas Dushi/

Pak ditë më parë keni lexuar rreth një shkrimi të dom Ndre Mjedës i cili, ndër të tjera tregon ndryshimin mes poezisë dhe vjershës. Ky shkrim daton thuajse një shekull më parë dhe jep një mësim për të cilin kanë nevojë edhe sot shumë vjershëtar që vjershërojnë poezi.

Në shkrimin e mëposhtëm nuk do të lexoni vetëm për vjershëtarët, por për të gjithë shkrimtarët në përgjithësi, pasi është shumë e padrejtë që të lë pa përmendur kategori të caktuar autorësh apo dramaturgësh veç për hir të titullit që shkrimi ka.

Në emisionin e mëngjesit “Wake Up” që transmetohet mëngjeseve në Top Channel, kritiku i njohur Agim Baçi bëri një veprim, për shumëkënd të dënueshëm, ama për mua mjaft me vlerë. Disa libra të cilët, sipas tij nuk vlenin, i hodhi në koshin e mbeturinave duke arsyetuar pse bënte diçka të tillë me to.

Këto libra ishin nga autorë të njohur në zhanerin e romanit dhe ndërlidhnin tre kategori: romanin për fëmijë, romanin për të rinj dhe atë për një moshë pak më të madhe. Koshi i cili u mbush me to ishte kosh “me fat” sepse u mbush me shkrimtarë jo të panjohur.

Imagjinoni pak sikur një tjetër Agim të dilte në ndonjë tjetër “Wake Up” për të hedhur në kosh libra që nuk kanë asnjë vlerë të cilët janë shkruar nga autorë krejt të panjohur dhe janë botuar nga shtypshkronja që paguhen për të nxjerrë në treg librin. Përveç faktit se një njeri i vetëm nuk do të mundte dot t’i mbante aq libra, do të duheshin disa nga kazanat e rrugëve për t’i hedhur.

Të parët sigurisht do të ishin librat me poezi të autorëve nga 10 deri në 100 vjeç. Poezi që vijnë nga idea se mjafton një indicie sado e pavlerë për të sjellë një vepër artistike sikurse poezia është. Poezi nga të cilat nuk merr asgjë, në të cilat nuk e takon asnjëherë autorin dhe që sjellin vetëm nota humori me figurat retorike qesharake dhe infantile që janë përdorur për t’i shkruar.

Pas tyre, radha do u vinte poetëve që shkruajnë vjersha, pa ditur se çfarë janë duke bërë. Ata që rapsoditë e maleve i nxjerrin në dritë si krijime personale si dhe ata që vetëm pse përdorin rimën thonë se kanë shkruar poezi, janë gjithçka përveçse poet. Kur janë të ndërgjegjshëm për këtë, nuk ka asgjë të keqe, ama kur shiten si poet… këtu fillon problemi.

Së treti, në koshat e rrugës për t’u bërë shkrimtar duhet të hidhen dramat që i vijnë lexuesit pa mbartur asnjë mesazh, pa transmetuar asnjë ndjesi, pa lënë asnjë shije dhe ku mbizotërojnë personazhe që nuk kanë asgjë të veçantë të cilët jetojnë në mjedise krejt normale dhe nuk bëjnë asgjë të veçantë. Karshi tyre duhet të jenë edhe “dramat për numër” të cilat shkruhen nga dramaturgë aq prodhimtarë që mund të bëjnë deri në një dramë në javë. Për këto ka dy mundësi: e para, janë si Shekspiri dhe e dyta, nuk janë dramaturgë! Unë nuk mendoj se mund të lind një Shekspir i dytë.

Çështjen e romaneve e lë në dorën tuaj, pasi e di se me to është pak problem, duke qenë se njerëzit kanë shije të ndryshme çka do të thotë se pëlqejnë edhe atë që nuk është letërsi. Por për këtë bota është e bukur, sepse ekziston llojshmëria. Për këtë, shpesh herë është edhe qesharake.