MENU
klinika

Nga New York Times

Çfarë përfitoi Irani nga vrasja e gazetarit saudit?

13.11.2018 - 15:36

Vrasja e gazetarit saudit ka dëmtuar më tej strategjinë e brishtë të administratës së Trump për të ndaluar zgjerimin e ndikimit të Iranit.

Administrata e Trump nuk është e gatshme ta pranojë këtë, por strategjia e saj në Lindjen e Mesme është në vështirësi të mëdha, duke qenë se është komplikuar më tepër edhe nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Turqi muajin e kaluar. Presioni i fundit i administratës ndaj Sauditëve për një armëpushim në luftën e tyre në Jemen, tregon qartë se administrata dhe vetë presidenti Trump nuk besojnë më aq shumë tek Arabia Saudite.

Qëllimi i strategjisë ishte që SHBA të punonte me Arabinë Saudite që të frenonin ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme.

Nuk është se Irani pret ndonjë ndryshim në politikën amerikane ndaj saj pas përfundimit të çështjes Khashoggi. Në vend të kësaj, dobësimi i besimit tek Arabia Saudite në të gjithë rajonin, i konfirmon udhëheqësve të Iranit se duhet të vazhdojnë me strategjinë e tyre aktuale, të menaxhojnë presionet nga Amerika, të mbështeten tek Evropa, Kina dhe Rusia; dhe të konsolidojnë aleancat.

Gjatë vitit të kaluar, Irani ka qenë në gjendje të shmangë tensionet me Shtetet e Bashkuara, pjesërisht sepse ka besim tek Rusia. Ndërkohë, Irani nuk duket se do ta braktisë Sirinë, megjithëse qëndron çuditërisht i qetë përballë goditjeve të përsëritura izraelite në bazat iraniane atje.

Tani udhëheqësit në Teheran mund të presin që Arabia Saudite mund të detyrohet të përfundojë luftën në Jemen. Iranianët kanë kërkuar bisedime me sauditët, të cilët mund të jenë të gatshëm të flasin me ta. Qeveria në Rijad gjithashtu mund ta konsiderojë të nevojshme të përmirësojë marrëdhëniet me Iranin dhe të ribalancojë marrëdhëniet me Turqinë.

Irani ndoshta do të diskutojë me Shtetet e Bashkuara rreth programeve bërthamore dhe raketore.

Administrata e Trump e ka kundërshtuar marrëveshjen bërthamore, duke thënë se nuk ka arritur të frenojë ndikimin e Iranit dhe pretendon se dëshiron një marrëveshje të re të fortë.

Që në fillim, administrata Trump mendonte se mund të frenonte ndikimin rajonal të Iranit duke krijuar një partneritet me princin e ri të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Por vrasja e zotit Khashoggi e ka tronditur këtë partneritet.

Mashtrimet më të mëdha filluan në vitin 2015 me luftën në Jemen, pastaj me mbajtjen peng të kryeministrit të Libanit. Të gjitha ishin përpjekje për t’i bërë arabët të merreshin me Iranin dhe aleatët e saj. Të gjitha kishin efekt të kundërt, sepse lojtarët kryesorë të rajonit, dhe “miqtë” e Amerikës e shihnin Arabinë Saudite si një kërcënim më të madh se Iranin.

Çështja Khashoggi e dobësoi princin e kurorës, së bashku me partneritetin e tij me Amerikën.. Pushteti i Izraelit është dobësuar, ndërsa me Turqinë ka ndodhur e kundërta.

Tani është e qartë se Arabia Saudite nuk do të jetë në gjendje të udhëheqë një koalicion rajonal që ta detyrojë Iranin të largohet nga Siria, Libani, Iraku dhe pastaj Jemeni. Vetëm nëse Trump planifikon të dërgojë një numër të madh trupash për ta bërë këtë, ai mund të shpresojë për stabilitetin rajonal. I duhet dhënë kohë arabëve që të rimëkëmben, gjë që përfundimisht është mënyra më e mirë për të kontrolluar fuqinë iraniane.

Sa i përket Iranit, ai duhet thjesht të presë që administrata e Trump të vlerësojë plotësisht balancën e pushtetit në Lindjen e Mesme. Realiteti është disi i zymtë: Nuk ka sfidë arabe ndaj ndikimit rajonal të Iranit, as ndonjë perspektivë për ta zbehur atë me kërcënime dhe sulme  amerikane.

Vali R. Nasr është dekani i Shkollës së Johns Hopkins të Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara në Uashington.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN