Tashmë Golden State Warriors mund të konsiderohet pa frikë një skuadër zyrtarisht në krizë. Kampionët në fuqi të NBA pësuan humbjen e 4-t radhazi pasi u shkërmoqën brenda në Oracle Arena nga Oklahoma City Thunder me rezultatin e thellë 95-123.
Problemet e brendshme, por edhe dëmtimet e lojtarëve me peshë si Curry, Green e Cousins po bëjnë të vetën te Golden State. Gjermani Dennis Schroder me 32 pikë ishte basketbollisti më i mirë mbi parket për Oklahomën, ndërkohë që vendasve nuk u mjaftuan 54 pikët e realizuara nga dyshja Durant-Thompson.
LeBron James rikthehet si mbret në “Quicken Loans Arena”. 34-vjeçari bën ligjin dhe largohet nga Ohio me një paraqitje fantastike që i dha fitoren Los Angeles Lakers, duke gëzuar tifozët e 16-herë kampionëve të NBA dhe duke hidhëruar ata të Cleveland Cavaliers.
Me 32 pikë, 7 asiste dhe 14 rikuperime, LeBron udhëhoqi Lakers-at drejt fitores së 10-të sezonale, me shifrat 109-105, duke i shkaktuar Cleveland-it disfatën e 3-të rresht.
Në Konferencën e Lindjes, ligjin e bën Toronto Raptors. Skuadra kanadeze mori fitoren e 15-të sezonale, pasi mposhti lehtësisht në transfertën e Georgias Atlanta Hawks 124-108, në një ndeshje ku lituanezi Valanciuanas me 24 pikë dhe kamerunasi Siakam me 22 ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për skuadrën kanadeze.
Vazhdon të mos gjejë qetësi Boston Celtics. Skuadra më e titulluar e NBA po kalon një periudhë të errët, pasi u mposht edhe nga një skuadër në krizë si New York Knicks brenda në TD Garden, me shifrat 109-117, në një sfidë ku spikati Burke për miqtë me 29 pikë 11 asiste dhe 6 rikuperime.