MENU
klinika

Kinematografia shqiptare

Xhanfise Keko, ‘’Artistja e Popullit’’ punoi për fëmijët

01.11.2018 - 12:06

Shumë pak në brezin e sotëm e njohin. Ajo ishte dikur dashuria e filmit shqiptar. Koha e lirë e fëmijëve të mërzitur, imagjinata kureshtare e atyre që donin diçka më tepër në kohën e vështirë të komunizmit.

 

Një moment gëzimi dhe besimi që përshtatej për ndjenjat e tyre. Këto ndjenja si një nënë intuitive e dashur i sillte regjizorja Xhanfise Keko. Ajo ishte një regjizore e madhe e një natyre të thjeshtë dhe të afërt me fëmijët.

Ishte e vetmja regjizore në kinematografinë shqiptare që dinte të shfrytëzonte historitë dhe gëzimin fëminor.

Ishte gjithashtu femra e vetme regjizore në kinematografinë shqiptare përkrah regjizorëve të tjerë si Mevlan Shanaj, Dhimitër Anagnosti, Pali Kuke, Piro Mani etj.

Ajo quhet ndryshe regjizorja e fëmijëve pasi u përqëndrua vetëm tek temat me fëmijët. Shumë filma të saj janë bërë me famë ndërkombetare në festivale të ndryshme. Lindi në Gjirokastër në 27 janar vitin 1928.

Mund të thuhet se ishte nga të parat feministe e vërtetë shqiptare, pasi u fut në ato punë ku ishte tabu të quheshe femer dhe ajo e theu bindshëm këtë tabu si shumë femra të tjera traktoriste, shofere, drejtuese etj.

Në fillim punon si montazhiere në ‘’Kinostudion Shqipëria e Re’’ e më pas në 1970 si regjizore.

Ajo punoi në një periudhë të rrezikshme ku duhej përçuar njëkohësisht edhe ideologjia e sistemit komunist, edhe ëndrrat e fëmijëve. Ideologjia komuniste mundohej të shprehej dogmatizmi, ajo përpiqej të shprehej njerëzorja.

Ajo u mundua të jepte sa më pak nga kjo ideologji, megjithëse ishte e detyruar për arsye regjimi, dhe të shprehte botën fëminore. Dhe filmi i saj mbizotëroi si njerëzor e fëminor.

Bota fëminore është vendi ku ngjizet karakteri njerëzor, rikthehet shpirti i njerëzve të maturuar me nostalgji si dhe esenca e krijimit të karakterit të njeriut.

Këtu ajo ishte plus të tjerave një psikologe që dinte të ndërthurte imazhin me fjalën dhe të kuptonte sytë fëminore.

Ajo është femër unike që u mbrujt në një gërryerje të një sistemi paranoik, egocentrist, narcistoid dhe me doza të psikologjisë anormale, një çanomali e kohës që i mbivendosej punës së saj për t’u shpallur si vend i përkryer dhe  ideal në një skamje që ulej këmbëkryq, skamje në gjithë kuptimin e fjalës, jo vetëm ekonomike.

Regjimi komunist me diktatin e Enver Hoxhës u mundua ta shfrytëzojë deri në palcë kinematografinë për qëllime mirfilli propagande.

Në 1977 ajo i futet filmit artistik dhe krijoi ‘’Tomka dhe Shoket e tij’’ një film, aq i dashur dhe i ndjekur nga fëmijët që sot janë burra me fëmijë, sa ruan të njëjtat nostalgji si dikur. Dhe ajo i futet këtij rrugëtimi kinematografik e palodhur me punën e saj.

Ajo sfidonte vetveten, ishte novatore e situatave, dinte të gjente ngjyresat e ndryshme familjare që jepnin ndryshueshmëri dhe gëzim në shoqëri, bënte kamerën që të përputhej me hijet e publikut.

 Ajo ishte natyrshmëri e një sensualiteti femre me përkushtim mashkulli përballë një objektivi që ruante sistemin. E qeshur por si një fëmijë ajo ishte fëmijë për gjithë fëmijët e tjerë, ishte gëzim përpara ekraneve të televizorit.

Disa nga filmat më të dashur për publikun që ajo realizoi janë, ‘’Beni ecën vetë’’në 1975, ‘’Tomka dhe shokët e tij’’ në 1977, ‘’Qyteti më i ri në botë’’ në 1974. ‘’Taulanti kërkon një motër’’në 1984, ‘’Kur xhirohej një film’’ në 1981, ‘’Partizan i vogël velo’’ 1980, ‘’Tinguj lufte’’1976, ‘’Mimoza Llastica’’ në 1973.

Ajo ishte një femër humane që dha gëzim në atë kohë kur ideologjia i ndrydhte fëmijët, bëri 12 filma për fëmijët dhe ushqeu shpresë me vlerat kulturore që ajo përçoi. Ajo është një artiste për shoqërinë që meritoi, jo vetëm në institucione, por në zemrat e popullit titullin ‘’Artiste e Popullit’’.

U nda nga jeta në vitin 2007 për  të ngelur e paharrueshme nëpërmjet veprës së saj.

Nga Eugent Kllapi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit