MENU
klinika

Seksi i Dytë

Zbërthimi që Simone de Beauvoir i bëri gruaj

15.11.2018 - 17:06

Nga Andreas Dushi

Nuk kishin kaluar shumë vjet që prej momentit kur në Shqipëri filloi të flitej pa drojë për seksin, kur shtëpia botuese “Çabej” botoi dy vëllimet e romanit “Seksi i Dytë” shkruar nga Simone de Beauvoir disa dekada më herët. Me atë libër, figura e vajzës që kthehet në grua i bëri njerëzit t’i qaseshin ndryshe realitetit seksual dhe ndryshimeve mes burrit dhe gruas.

Në librin “Seksi i Dytë”, tema që trajtohet lidhet me figurën e femrës në tërësi në çdo aspekt të saj: si dhënëse dhe marrëse, si e dënuar dhe dënuese, si drejtuese dhe e drejtuar e të tjerë. Më së tepërmi, autorja ndalet në “femrën e njeriut që njihet si grua apo vajzë”. Që atëherë, de Beauvoir na thotë se me “femër” nuk mund t’i drejtohemi një njeriu, pasi çdo gjallesë shtazore e bimore njeh femrën dhe mashkullin.

Sikurse mendohet, duke qenë se ishte bashkëjetuesja e Sartrit i cili kishte edhe të dashura jashtë martese, de Beauvoir vendos të shkruaj për evoulimin e femrës, legjendat dhe mitet që lidhen me të dhe se si gjithë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm ndikojnë në të. Me një libër që duke u lexuar me një frymë, në të vërtetë të lë pa frymë, njohja e gruas arrin në dimensionet më të larta.

Thuajse gjithnjë është injoranca ajo që shkakton pranimin e së keqes e cila mund të shfaqet nëpërmjet keqtrajtimit apo diskriminimit. Kjo është arsyeja përse rregjimet diktatoriale punojnë pak në lëmet kulturore të popujve të tyre, apo ndikojnë fuqishëm në arsimim – asimilimin e fëmijëve. Duke ndjekur fijen e këtij arsyetimi, arrijmë në konkluzione që në librin “Seksi i Dytë” na jepen të gatshme: Janë burrat ata që gjithnjë e quajnë gruan si inferiore përballë tyre, pasi nëse i lejojnë të mos jenë të tilla, e dijnë se ata do të jenë mbi to.

Llojet e para të femrave në gjallesat prozatoike deri te gruaja, nëna e botës që vijon të zhvillohet pambarimisht nëpërmjet mitrës që duke pranuar, jep janë dy skajet e librit mes të cilëve qëndron shpjegimi thelbësor i gjithçkaje që flet për botën dhe gjysmën e saj.

Libri i flet vajzave që rendin të bëhen gra, grave që kujtojnë se feminilitetin e humbin bashkë me vajzërinë, djemve që vajzat i shohin si realizimi i dëshirës për t’u burrëruar dhe burrave të cilët burrërinë e masin me shërbimet që marrin nga gratë. Prandaj gjithkush duhet ta lexojë këtë libër që të kuptojë sa gabon kur mendon se ka të drejtë dhe se sa i drejtë është kur të tjerët mendojnë se e ka gabim.