MENU
klinika

Shifrat e 8-mujorit 2018

10 mijë kursantë në formimin profesional  

02.12.2018 - 13:55

Mbi 10 mijë individë kanë ndjekur kurset e afatshkurtra të formimit profesional në 8 muajt e parë të vitit në qendrat që funksionojnë për këtë qëllim në të gjithë vendin. Shifrat zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit tregojnë një numër të lartë frekuentuesish, ndërsa kursi më i kërkuar rezulton ai për instalimin dhe riparimin e rrjeteve elektrike.

Konkretisht, ky drejtim 11% të totalit të të certifikuarve për periudhën Janar-Gusht 2018, duke u ndjekur nga kurset e kuzhinës me 9.6%, hidraulikët më 7.7%.

Ndërkaq, frekuentim kanë pasur edhe gjuhët e huaja, megjithëse në tendencë rënëse në vitet e fundit. Nga i gjithë totali i individëve që kanë marrë një zanat, 4310 prej tyre janë gra dhe vajza. Ndërsa gjatë gjithë vitit 2017 kanë ndjekur kurse mbi 17 mijë individë. Por, sërish problem mbetet integrimi në tregun e punës.

Përmes të dhënave zyrtare, vetë Shërbimi Kombëtar i Punësimit, bën me dije se nëse pjesëmarrja në kurset e formimit është e kënaqshme, punësimi pas certifikimit,vazhdon të mbetet  një problem serioz pasi, vetëm 4.9 % e punëkërkuesve të papunë të trajnuar gjatë 2017-ës në kurset e profesioneve, kanë arritur të punësohen, apo 1 në 20.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit po përgatit një program për trajnimin me detyrim dhe pagesë të të gjithë punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit si edhe të atyre që do të humbasin vendin e punës nga mbyllja e kazinove dhe basteve sportive.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN