MENU
klinika

Universiteti i Tetovës

24 vite nga Universiteti i parë shqiptarë në Maqedoni

15.12.2018 - 15:55

Me një ceremoni solemne Universiteti i Tetovës shënoi 24 vjetorin e themelimit. Të ftuar në këtë akademi ishin edhe përfaqësues të Qeverisë, Kuvendit, rektor të universiteteve të ndryshme në vend, si dhe përfaqësues të botës shkencore dhe akademike.

Rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti fillimisht falënderoi studentët e parë që ngritën UT-në, nderoi themeluesin dhe rektorin e parë Fadil Sulejmani, familjen e dëshmorit Abdylselam Emini, si dhe të gjithë ata që ndihmuan në themelimin e UT-së në forma të ndryshme.

Po ashtu, Ahmeti, numëroi sukseset e arritura deri më tani duke theksuar mbështetjen për studentët e shkëlqyeshëm si për ciklin e parë dhe të dytë dhe organizimin e konferencave shkencore.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë, Arbër Ademi, tha se qeveria është e angazhuar seriozisht që në partneritet me menaxhmentin e arsimit të lartë ta ngrenë në nivele edhe më të larta cilësinë e arsimit, që njëherit është kërkesë e të rinjve, duke qenë të vetëdijshëm se vetëm me studime të thelluara mund të shënojnë rezultate si në rrafshin personal ashtu edhe në atë profesional.

Në këtë akademi me një fjalë rasti në emër të kryeministrit Zoran Zaev, u paraqit këshilltari i tij Ismet Ramadani, i cili tha se kryeministri është i interesuar edhe për Universitetin e Tetovës duke përmendur shpesh këtë institucion si shembull bashkëpunimi me universitetet e tjera. /Konica.al/