MENU
klinika

Kosto gjyqësore e dëmshpërblimit

35%…për të marrë atë që të takon

11.12.2018 - 08:49

Të zgjidhësh një kontratë mes palëve në Shqipëri, kërkon mjaft kohë, por edhe para. Të dhënat e Bankës Botërore për të bërit biznes, tregojnë se, duhen plot 525 ditë për të arritur në zgjidhjen e një kontrate nëpërmjet ndërmjetësimit.

Në Europë dhe vendet e Azisë Qendrore kjo kohë është disi më e ulët, në 496 ditë. Por, ajo që shqetëson më shumë, veç kohës, duket se është kosto. Kushdo që ngre një padi civile dhe kërkon një dëmshpërblim në vlerë monetare do të duhet të lërë rrugës rreth 35% të kësaj shume.

Kjo normë është ndjeshëm mbi mestaren europiane që fiksohet në 26%, ndërsa mesatarja e vendeve me të ardhura të larta të OECD fiksohet në 21%.Në krahasim me vendet e tjera të rajonit ndërkohë, vetëm Serbia duket se ka një normë më të kartë, në 40.8%.

Kjo duket se ka një shkaktar të dukshëm, kosto mjaft të larta për avokatët. Mesatarisht, ky i fundit do të kërkojë 25% të vlerës për të cilën është ngritur padia, pra ¼ e saj, që është edhe një ndër normat më të larta në Europë.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, vetëm në Kosovë avokatët kërkojnë më shumë para, 25.2% të vlerës së kontratës mesatarisht. Kosto e zgjidhjes së një kontrate civile në vendin tonë, prej 35%, ndahet kështu: 25% për avokatët, 5.7% si tarifë gjyqësore, dhe 4.2% si tarifë për zbatimin.

Ky është edhe një ndër proceset më të vështira në vendin tonë, një dhembje koke për shumëkënd, punëmarrrës, punëdhënës, biznesmen apo klientë qoftë. Banka Botërore ndërkohë, e merr parasysh edhe këtë, pasi në nën-indikatorin që mat cilësinë e procesit të zgjidhjes së kontratës, na jep 7.5 pikë nga 18 në total, duke na renditur padiskutim të fundit në rajon, por edhe më gjerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN