MENU
klinika

517 nga 999 vota

Annegret Kramp-Karrenbauer zgjidhet pasardhëse e Merkelit

07.12.2018 - 17:32

Bashkimi Kristian Demokratik i Gjermanisë ka zgjedhur Annegret Kramp-Karrenbauer si udhëheqësen e re të partisë. Ajo fitoi 517 vota nga 999 të tilla, duke mposhtur Friedrich Merz, i cili mori 482 vota.

Si kreu i partisë më të madhe të Gjermanisë, Kramp-Karrenbauer mund të bëhet kancelarja e ardhshme gjermane, ndonëse do të duhet të presë. Merkel ka thënë se ajo ka ndërmend të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2021.

Kramp-Karrenbauer,  shihet si kandidatja që do të vazhdojë politikat e Merkelit, në një kohë kur pjesa më e madhe e CDU-së  janë të etur për ndryshim. Në dallim nga dy kandidatët meshkuj, Kramp-Karrenbauer shihet si besnike ndaj Merkelit, dhe pikëpamjeve të saj liberale. Ajo ka shërbyer me sukses në rajonin gjerman Saarland.

Zgjedhja e liderit të CDU erdhi pas votimit të 1,001 delegatëve në konferencën vjetore të partisë, e cila u mbajt në një qendër kongresesh në qytetin e Hamburgut.

Deri kohët e fundit, Merkeli pritej gjerësisht të kërkonte një mandat tjetër si udhëheqëse e partisë. Por pas rezultateve të dobëta  të zgjedhjeve, ajo e tronditi botën politike gjermane në tetor duke njoftuar se nuk do të kandidonte më.

Merkel asnjëherë nuk e pranoi publikisht por mbështetja e saj për Kramp-Karrenbauer ishte gjerësisht e njohur.

Me fitoren e Kramp-Karrenbauer, Gjermania ka gjasa, edhe pse jo e sigurt, të ketë një kancelare të dytë femër.

Ndërkohë, kryetarja e deritanishme e partisë kristiandemokrate CDU Angela Merkel, u largua nga ky post, pas 18 vitesh, me një fjalim, i cili u përcoll me brohoritje dhe duartrokitje frenetike ditën e sotme.

“Ka qenë një nder i madh, një kënaqësi e madhe”. Me këto fjalë Merkel përfundoi fjalimin 35 minutësh, për herë të fundit si kryetare e CDU-së. Merkel bëri një rishikim të kohës në krye të partisë, duke theksuar sukseset por edhe dështimet në faza të ndryshme. Kancelarja tha se tani ka ardhur koha “për një kapitull të ri”, dhe  ftoi partinë e saj që të mbetet e bashkuar.

Pas fjalimit ajo u përshëndet me një duartrokitje të gjatë prej gati 10 minutash. 1001 delegatët e mbledhur në Hamburg u ngritën nga vendi, shumë prej tyre mbanin pankarta me mbishkrimin: “Faleminderit shefe”.

Nuk mungonin as lotët tek shumë delegatë. Ndërsa Merkel gjatë fjalimit ishte shumë personale dhe e prekur nga duartrokitjet e gjata, të cilat ndërprenin shpesh fjalimin e saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Gjermania, qendra e Bashkimit Europian"

Evropa në duart e pasardhësve të Merkelit…