MENU
klinika

Premier League, Java 14

Arsenal jep spektakël, përmbys Tottenham

02.12.2018 - 17:11

Arsenal ka dhuruar spektakël në derbin londinez përballë Tottenham, teksa ka përmbysur nga 1-2 në 4-2 në sfidën e zhvilluar në “Emirates”. Një fitore me mjaft vlerë, teksa ka këmbyer edhe pozicionet në renditje, me Arsenal në vend të katërt dhe Tottenham në vend të pestë.

Të besuarit e Emery e nisin me një temp të lartë ndeshjen në Emirates dhe shpërblehen në minutën e 10’ me golin e Pierre-Emerick Aubameyang. Sulmuesi nga Gaboni ka zhbllokuar rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë. Arbitri Mike Dean akordoi penalltinë pas prekjes së topit me dorë të Jan Vertonghen.

Në minutën e 30’ përmendet Tottenham, që deri në atë moment ishte në gjumë. Ishte Eric Dier ai që barazoi rezultatin pas krosit të bukur të Eriksen. Pas golit pati një sherr masiv në anësore të fushës pasi Dier provokoi tifozët.

Katër minuta më vonë arbitri akordon një tjetër penallti pas rrëzimit të Son brenda zonës. Ishte Harry Kane ai që nuk fali përpara Leno-s. Tottenham, megjithëse pa meritë, arrin të përmbysë brenda katër minutave.

Pas pushimit është përsëri Arsenal ekipi më superior në fushë dhe Aubameyang barazon rezultatin në minutën e 56’ pas një goditjeje fantastike në hyrje të zonës. Vendasit marrin zemër dhe ushtrojnë presion mbytës ndaj Spurs, që duken të lodhur në fushën e lojës.

Dhe në minutën e 77’ erdhi goli i merituar i avantazhit. Ishte Alexandre Lacazette ai që goditi nga distanca një top që pasi devijohet përfundon në rrjetë. Fati ndihmon më të mirin dhe Arsenal ka treguar se e meriton më tepër se Tottenham. Vetëm një minutë më pas, Torreira ka vulosur fitoren e Topçinjve me një gol të bukur nga brenda zonës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN