MENU
klinika

Muzika Shqiptare

arTurbina rizgjon mjeshtrin Agim Krajka

04.12.2018 - 12:06

Agim Krajka është një nga kompozitorët më të dashur për publikun, ‘’Mjeshtër i Madh’’ dhe një nga pionerët e krijimit të këngëve të bukura shqipe dhe kulturës autentike shqiptare, si dhe një profesionist me një gamë të gjerë prodhimtarie në fushën e muzikës artit dhe të kulturës.

Në datë 7 dhe 8 dhjetor profesionalizmi i këtij kompozitori do të shfaqet në arTurbina në një ‘’Grand Gala’’ me moton ‘’Të gjithë e duan Agim Krajkën’’ të organizuar për nder dhe krijimtarinë e tij.

Kjo do të zhvillohet  në dy mbrëmje nga trupa e Ansamblit Popullor, artistët e muzikës së lehtë, dhe trupa me artistët e TOB nga 140 artistë. Ai ka një repertor të gjerë të kompozimit të këngë, muzikë filmash, vepra instrumentale dhe për orkestër.

Gjithçka do të jetë në skenë live për publikun me artistët që do të interpretojnë krijimtarinë muzikore të mjeshtrit të madh Agim Krajka. I njëjti koncert do të shfaqet në dy net, dhe live para publikut me këngëtarë të mirënjohur.

Si çdo artist në kohën e komunizmit edhe ai ka qenë në qendër të kritikave thumbuese apo në vëzhgimin e njerëzve që siguronin propagandën. Në shumë raste ka pasur edhe peripeci për këngët e tij, sidomos në muzikën e lehtë.

Pas viteve 1990 ai ka qenë dhe është një nga kritikët më të zjarrtë, ashtu si Aleksandër Lalo për nivelin e muzikës që është sot në Shqipëri.

Gjithashtu ai ka qenë në një debat të vazhdueshëm për problemin e këngës në forcën e ‘Sigurimit e Shtetit’ në regjimin komunist.

Ka qenë një debat i vazhduar për këngëtaren e njohur Parashqevi Simaku e polemizuar nga Gjergj Leka, ku Krajka ka mbrojtur figurën profesionale të këngëtares.

Në jetën e tij ka kaluar dhe episode si festivali i famshëm i 11 i këngës ku pati dhe të dënuar.

Për 16 vjet ai jeton në emigracion në Amerikë, dhe kur kthehej me mall dallonte ndryshime të mëdha, si për mirë, dhe për keq dhe e ka shprehur shpesh këtë.

Arti dhe kultura sipas tij pas 1990 janë tjetërsuar shumë, muzika është bërë mekanike. Ka qenë kritik për të drejtën e autorit si dhe një zë i ashpër për ministrinë e Kulturës.

Gjithashtu ai është mjaft kritik për tekstin, për një erotizëm bajat që ndodh çdo ditë në televizion, por që nuk mendojnë për këngën e vërtetë.

Cilat janë disa nga krijimtaritë e tij? E famshme është në muzikën e këngës së lehtë ajo e vitit 1961 me titull “Lemza” e kënduar nga këngëtarja e madhe Vaçe Zela.

Kënga e dytë “Djaloshi dhe shiu”, por më pas vjen dhe “Kënga e Gjyshes”,  “Kafe Flora burra plot” dhe vijon krijimtaria ndër vite me shumë këngë të tjera.

Idhulli i tij ka qenë gjithmonë Çesk Zadeja.  Për këtë event në nder të tij në arTurbina ai shprehet se ’’Jam i befasuar nga kjo gjë që po bëjnë për mua.’’

Agim Krajka lindi më 3 maj 1937 në Kavajë. I apasionuar që i vogël pas shumë instrumenteve sidomos pas firzamonikës, mandolinës, violinës rritet me frymën e artit dhe të muzikës.

Në atë kohë kishte një organizim të lartë të shtëpive kulturore për brezin e ri për të nxjerrë sa më shumë talente, një nga këto talente ishte dhe Agim Krajka.

Firzamonika u bë pasioni i tij. Kjo e çoi detyrimisht edhe në studimet e tij drejt artit. Në 1963 fillon studimet për kompozicion dhe në 1964 ai fillon instrumentist kompozitor dhe drejtues orkestre. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si firzamonicist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.

Prodhimtaria e tij është kryesisht në këngë të lehta por nuk mungojnë edhe ato në këngë popullore dhe orkestrale. Shumë këngëtarë sidomos të këngës së lehtë kanë kaluar në punën e tij, që nga këngëtarja Vaçe Zela si një ‘’këngëtare brilante e popullit’’ që këndonte gjithmonë natyrshëm sipas tij, e deri Parashqevi Simaku si ‘’një këngëtare shumë profesioniste’’, apo Irini Qirjako, Luan Zhegu si ‘’zëri më i mirë i zërave burërorë’’ sipas tij, këngëtaren Irma Libohova me një profesionalizëm të lartë etj.

Agim Krajka ka shkruar shumë këngë popullore për kanto e piano, romancë për vionlinë, orkestër sinfonike, uverturë rinore, suitë me valle popullore për orkestër simfonike etj.
Disa nga këngët e filmave më të dashur të publikut “Çifti i lumtur”, ”Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, Njësiti Gueril” ka qenë e kompozuar mjeshtërisht nga ai.

Ka vënë në skenë muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981.
Nuk ngelen pas edhe përpunime të valleve popullore që ai i kishte shumë për zemër si vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.

Si kompozitor ai ka marrë 20 çmime në festivalet e këngëve të lehta që  dikur ishin e vetmja dritare për t’u gëzuar nga të rinjtë dhe njerëzit e shikonin atë me një interes mjaft të madh.

Në emër të këtij personaliteti të shquar të muzikës shqiptare arTurbina rizgjon përsëri këngën e vërtetë, atë me standarde profesionale, në emrin e madh Agim Krajka. Mos mungoni!

Nga Eugent Kllapi