Tarifa ndaj Serbisë vijon të mbajë të ndarë në qëndrimet e tyre institucionet e larta të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionarja Malmstrom dhe Hahn i kanë dërguar zyrtarisht një letër të përbashkët kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ata kërkojnë anulimin deri të hënën të vendimit për taksën 100 për qind të produkteve serbe, ndërsa ofrojnë zëvendësimin e emërtimit UNMIK me Kosova në Marrëveshjen për CEFTA-së.
Të hënën në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndërsa zyrtarët e lartë të BE kërkojnë që para 17 dhjetorit Kosova të shprehë vullnetin e mirë për pezullimin e zbatimit të vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Në letrën që përfaqësuesit e Komisionit Evropian i kanë drejtuar Kryeministrit Haradinaj kanë adresuar edhe disa shqetësime që ai ua ka shprehur në letrën që ai e kishte dërguar më parë kur kishte sqaruar arsyet pse Kosova kishte vendosur këto masa.
“Ne kemi marrë në dijeni po ashtu edhe listën e rasteve të praktikës tregtare nga ana e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që, sipas këndvështrimit të Kosovës, paraqesin barriera në zbatimin korrekt të aranzhimeve të CEFTA-s dhe krijojnë problem domethënëse në terren për veprimet ekonomike dhe për qytetarët”, thuhet në letër.
Bashkimi Evropian i ka dërguar një letër Ramush Haradinajt duke i kërkuar që të anulojë deri të hënën tarifën ndaj Serbisë, duke i ofruar zëvendësimin e emërtimit UNMIK me Kosova. /Konica.al/