MENU
klinika

Por pak aplikojnë

Bizneset mund të kenë status VIP në dogana

21.12.2018 - 15:43

Bizneset shqiptare që janë transparente me administratën doganore kanë mundësinë të marrin një status “VIP”, apo status i Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OAE) i cili do të lehtësonte ndjeshëm tregtinë.

Aplikuesi nuk duhet të ketë kryer shkelje të rënda apo të përsëritura të legjislacionit doganor dhe rregullave tatimore.

Është e domosdoshme që biznesi apo sipërmarrja të ketë një sistem menaxhimi tregtar, nëse është e nevojshme edhe regjistra transporti, të cilat lejojnë kryerjen e kontrolleve doganore të përshtatshme. Një tjetër kriter i rëndësishëm është aftësia e mirë paguese .

Por, deri tani sipërmarrjet nuk kanë shfaqur shumë interes për të aplikuar. Aktualisht, e kanë përfituar këtë thjeshtim vetëm shtatë operatorë ekonomikë të cilët kanë plotësuar kriteret e përcaktuara. Për këtë, Ministria e Financave ia faturon fajin doganave.

Ndërsa përfaqësues të doganave shprehen se e kanë bërë punën e tyre dhe kanë informuar bizneset lidhur me përfitimet që do të kenë, por aplikimet mungojnë pasi sipërmarrja është skeptike.

Në mbledhjen e gjashtë të Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë u adresuan një sërë problematikash, dhe bizneset kërkuan që të përgatitet një paketë e plotë me propozime dhe zgjidhje konkrete në mënyrë që me marrjen e drejtimit të CEFTA-s në Janar të 2019, të mund të adresohen.