MENU
klinika

Detajet

Bukuroshja e Strumit, vajza që çmendi edhe priftin

24.12.2018 - 18:35

Më shkove tek burimi/U hodhe në vah…

Fol moj bukuroshe e Strumit/Me shtëmba në krah,

Këto janë vargje të një ngjarjeje dramatike që mund t’i këndoheshin vetëm një Shën Mërie myzeqare. Autor nuk ka. Rrallë ngjan që, nga një këngë, të marrë jetë një legjendë e që kjo legjendë të kthehet në një kult. Një fshat i vogël ia ka dalë të nxjerrë një dhuratë të tillë bukurie. Çdo zonë e Shqipërisë ka patur dhe ka vajza të bukura. Ka ngjarje të bujshme të rrëmbimit, apo martesave të pashpjegueshme të tyre… Janë shkruar këngë për humbjet, vrasjet, dëshirat e paplotësuara, dashuritë e mohuara. Por jo në këtë formë e lehtësi ligjërimore sa ka shkruar dhe përjetësuar në këngë zona e Strumit bijën e vet. Me përceptim kaq të bukur artistik.

Historia e këngës

Sipas të dhënave të deritanishme, ngjarja që prodhoi ”Bukuroshen e Strumit” ka ndodhur në gjysmën e dytë të shek XIX në Strum, në lagjen afër kishës së Shën Gjergjit. Një çift kishte lindur shumë fëmijë, por kishte rritur vetëm një vajzë. Vajza ishte aq e bukur saqë me të bien në dashuri gjithë djemtë e fshatit. Madje, nga bukuria e saj marroset edhe prifti. Vajza, si të gjitha myzeqaret, merrej me punët e shtëpisë dhe shpesh ndihmonte edhe të atin në punët e bujqësisë. Këtë e dëshmojnë edhe vargjet e këngës:

Me dy qetë e zesë, punoje në arë

Me fustan të kuq, lesoje ugarë.

Sipas Nuri Plakut, drejtor i Muzeut Historik në Fier, bukuria e vajzës ngjalli konflikte të hapura midis djemve banorë të fshatit. “Për ta shmangur gjendjen e acaruar dhe për t’i larguar djemtë nga konflikti i mundshëm, por dhe prej vajzës, prifti organizoi me kryepleqësinë e Strumit, një “besëlidhje”. Ndryshe nga besëlidhjet e tjera që kishin në themel të tyre patriotizmin, mbrojtjen e atdheut, luftën, kjo besëlidhje mund të quhet ndër të rrallat e histories sonë. Ajo ishte besëlidhje për të mos përlyer bukurinë! Djemtë, sipas pikave të kësaj besëlidhje, nuk do të merrnin nuse brenda fshatit. Të gjithë cilësoheshin motra dhe vellëzër të një gjaku dhe besimi. Kjo manovër e shtyrë nga prifti, dhe e celebruar në besëlidhje, zbuti paksa xhelozinë midis djemve. Ndërsa për “vajzën bukuroshe”, e cila edhe sot vjen pa emër të regjistruar në zyrat e gjendjes civile, u shfaq një tjetër rrezik. Një oficer i ushtrisë turke, që shërbente në Garnizionin e Beratit, sapo i ra në vesh bukuria e rrallë që ekzistonte në një fshat të vogël, afër një kënete, që quhej këneta e Zezë, u nis për në Strum. Ai mbërriti në këtë fshat dhe i magjepsuar nga hiret e vajzës. Ajo jo vetëm e refuzoi. Por edhe u armatos. Kudo që shkonte; në burim për të mbushur ujë apo në arë, mbante gjithmonë një kobure në belin e bukur.

Një ditë, pasi oficeri humbi shpresat për ta bindur vajzën të martohej me të, ndodhi dhe tragjedia. Ai futet në shtëpi të saj për ta rrëmbyer dhe në përpjekje për t’u mbrojtur, vajza përdor armën. Në shkëmbimin e zjarrit, vajza vritet së bashku me të atin e saj të moshuar. Kjo ngjarje u përjetësua në këngë, e parapëlqyer nga këngëtarët më në zë të trevës. Një prej tyre ishte Joti Prifti në Marinëz.

Edhe udhëheqësi komunist i diktaturës në Shqipëri, Enver Hoxha, shkruan se kur ishte student në Francë, kaloi disa ditë me pushime në Sheqisht-Frashër, ku të afërmit e tij kishin prona. Daja i tij kishte shoqëri me Jani Priftin, sepse mbanin kopetë e bagëtive së bashku në zonën e Marinëzës dhe Myzeqesë. Ai i fton në dasmën e të birit, Jotit. Aty, për herë të parë, Hoxha dëgjon këtë këngë dhe i bëri aq shumë përshtypje, saqë u interesua për fatin e saj në takimin që pati me rininë dhe drejtuesit fierakë. Pas këtij interesimi, kënga u riprodhua dhe u paraqit në festivalin e Gjirokastrës.

Llazar Dumi nga fshati Daullas i Fierit është këngëtari që e e ngjiti në skenën e Festivalit të Gjirokastrës. “E dashuroj këtë këngë. Para se të shkoja në Gjirokastër, kemi bërë shumë prova. Provova ta këndoj me shumë këngëtarë të tjerë, sepse kënga ka thyerje mahnitëse në vijë muzikore, kërkon zë shpirti dhe mbi të gjitha rrjedh si vetë rrëketë myzeqare. Kur dola në skenën e festivalit, dhe intepretova, mbaj mend duartrokitjet e shumta”.

Specialistët muzikorë e përcaktojnë këtë këngë me tipare të thella myzeqare. Melodia e saj rrjedh, ka përthyerje muzikore dhe tonaliteti i zërit i ngjan pikërisht amplitudës së fyejve dhe të bilbilave që korin e krijojnë sikur mahniten nga bukuria.

Do t’i vinte radha edhe pikturës. Pandeli Lena e përjetësoi në një vepër arti “Bukuroshen e Strumit”, në vitet ’80. Ai kujton se si gjithçka mori jetë në prag të përgatitjeve për në festivalin folklorik të Gjirokastrës. ”Ishim të gjithë duke diskutuar lidhur me këngën tashmë të njohur për këtë bukuroshe. Pëllumb Hazizi më tregoi interesimin e Enver Hoxhës. Poetë dhe muzikantë po përpiqeshin të jepnin sa më mirë portretin e saj në vijë letrare dhe muzikore. Ishte diçka e bukur kur shikoja në prova të tëra këngëtarë dhe njërëz që përpiqeshin të jepnin atë që na kishin përcjellë vitet. Diskutohej edhe për kostumografinë e Ansamblit fierak. Këtu më lindi edhe ideja për të realizuar pikturën. Punova shumë e kam përjetuar fort emocionalisht. Si figurë zgjodha një balerinë, valltare të Ansamblit “Myzeqeja”.

Piktura paraqet një vajzë shumë të bukur, me hiret dhe levizjet tipike të një myzeqareje, duke shkuar në burim. Ndërsa kalon, shkel përmbi qeleshet e djemve që “vdesin” ta shikojnë e jo më t’i flasin. E kanë ëndërr të shkëmbejnë me këtë bukuri një fjalë, por ajo thjesht i sheh nga lart. Në sfond krijohen tymnaja thashethemesh, ndërsa prej bukurisë së saj edhe demat që kullosin në fushë “tërbohen” Ajo është pjesë e fondit në Galerinë e Arteve Fier.