MENU
klinika

Mazhoranca rrëzon dekretin e Metës

Buxheti 2019 do të miratohet pa ndryshime

18.12.2018 - 15:10

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka rrezuar dekretin e Presidentit për buxhetin e shtetit, duke e çuar sërish ligjin të pandryshuar për votim në seancën plenare. I pranishëm në Komision, Ministri i Financave Arben Ahmetaj i gjykoi të pabaza argumentat e Presidentit, ndërsa i bëri apel që duhet të kontribuojë në nxitjen e dialogut midis studentëve dhe qeverisë.

Ahmataj tha se buxheti aktual për arsimin universitar i jep zgjidhje 8 kërkesave të  studentëve dhe krijon hapësira për të ndërhyrë me subvencionimin e tarifave për studentët.

Në argumentat e tij, Presidenti u shpreh se, duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, ai vendosi ta kthejë për rishqyrtim buxhetin e vitit të ardhshëm. Presidenti vuri në dukje se kërkesat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme.  Sipas tij, ky vendim mbështet interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale, të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës.

Kuvendi pritet ta votojë pa asnjë ndryshim ligjin për buxhetin e vitit 2019, çka do ta bëjë dekretimin e tij të detyrueshëm nga Presidenti i Republikës. Kushtetuta i njeh Presidentit të drejtën për t’i kthyer ligjet për rishqyrtim në Kuvend vetëm njëherë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN