MENU
klinika

Sipas kanunit…

Çfarë u ndodhte burrave malësorë, nëse nuk merrnin hak?

14.12.2018 - 18:16

Në disa segmente të shoqërisë tradicionale shqiptare, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës, anëtarëve të ndonjë familjeje dhe veçanërisht burrave të saj u imponoheshin disa modele veshjeje, sjelljeje dhe vendqendrimi në mjedise publike të ndryshme nga ato të anëtarëve të tjerë të bashkësive fshatare. 

Më konkretisht: burrat dhe të gjithë anëtarët e familjes shkonin në kishë me “jagës mi krie” (kapuç mbi kokë), domethënë me pamje të shëmtuar, sepse kapuçi u mbulonte dhe me hije një pjesë të konsiderueshme të fytyrës. 

Djemve të një familje të tillë, me burra të mbuluar me kapuç në mjediset e kishës muk i jepte nuse asnjë familje dhe vajzat e saj nuk i kërkonte askush për nuse. Me përçmim thuhej se këtyre familjeve i “jesin (mbesin) cucat si lopët”. Dhe për më tepër, burri përfaqësues i një familje të tillë nuk kishte vend ndër burra në kuvende.

burrat ne kuvende

“Në kuvend theksohet te Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës, ka vend anas, veç tagër fjale ska”.

Veçimi nga burrat e tjerë dhe mohimi i të drejtës për të folur në kuvend ishin poshtërime të rënda, të papërballueshme për burrat. Poshtërime të tilla kanë qenë më shumë hipotetike se sa të praktikuara në jetën e përditshme.

Natyrshëm lindin pyetjet: Pse këto familje diskriminoheshin në kufijtë e të padurueshmes? Çfarë vesesh kishin anëtarët e tyre? Çfarë krimesh kishin kryer ata? 

Kjo gamë fyerjesh dhe poshtërimesh të rënda, simbolikisht identifikonte familjen, burrat e të cilës nuk kishin marrë hak, nuk kishin vrarë burrin ose burrat që i kishin fyer, poshtëruar ose vrarë mikun ose miqtë.

Modele sjelljesh të tilla, drejpërdrejt dhe sidomos tërthorazi, dëshmojnë rëndësinë e veçantë që kishte miku, si institucion shoqëror, në funksionimin e shoqërisë tradicionale shqiptare.

Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”