MENU
klinika

Atmosferë Festash

Cili është kuptimi i bredhit dhe topave shumëngjyrësh?

08.12.2018 - 19:06

Nga Andreas Dushi/

Bashkë me dhjetorin, atmosfera e festave të fundvitit është ndezur gjithandej, duke i dhënë një shkëlqim më shumë se thjeshtë njerëzor shesheve të qyteteve në mbarë botën. Kur në vitin 1848, bashkëshorti i mbretëreshës Viktoria, princi Albert vuri të parën pemë Krishtlindjesh në oborrin e pallatit mbretëror në Angli, kjo traditë u përhap me shpejtësi fillimisht në kolonitë dhe ish – kolonitë angleze e më pas në të gjithë botën.

Por pema e parë e Krishtlindjes, sipas historisë, daton shumë vite më parë. Në dimrin e vitit 1510, në Riga, kryeqytetin e Letonisë, një njeri i panjohur dekoroi një bredh që kishte pranë shtëpisë me trëndafila artificialë. Kjo mënyrë dekorimi u përdor për dekada me radhë, pasi ato shërbenin për të nderuar Marinë, nënën e Krishtit që lind.

Ndërsa tradita e vendosjes së pemës së Krishtlindjes në shtëpi daton në gjysmën e shekullit XVI kur shumë pyje plot bredha u prenë pasi familjet gjermane filluan të arredonin me to shtëpitë e tyre.

E nisa për së prapthi vendosjen e fakteve historike, pasi kjo kohë gjatë së cilës pritet ardhja e shpëtimtarit përkon me momentet më të gëzuara të njerëzve e veçanërisht fëmijëve të cilët, në gëzim e sipër, kthejnë gjithçka mbrapsht. Kështu edhe unë, në shenjë “solidariteti” me to, e nisa shkrimin në këtë mënyrë.

Kur sheh pemën, natyrshëm lind pyetja “Çfarë personifikon ajo?” Me çfarë lidhet dhe pse vendoset pikërisht para Krishtlindjes e mbi të gjitha, përse quhet Pema e Krishtlindjes?

Jeta e një njeriu është si ajo e një peme. Fillimisht lind, pastaj jeton e në fund, vdes. Qëlllimi i jetës njerëzore është që gjatë ekzistencës së saj, t’ia dalë të jetë sa më e frytshme dhe e virtytshme që në fund, finalizimi të jetë plot lumutri, pasi nuk lë asgjë pas.

Kështu Pema e Krishtlindjes lidhet pikërisht me Pemën e Jetës. Në të, secili prej nesh duhet të shohë vetveten dhe të reflektojë mbi jetën e tij. Topat shumëngjyrësh dhe dritat lidhen me frytet e jetës sonë dhe me të mirat që ne kemi bërë me të, për të tjerët dhe për veten.

Ylli majë pemës ka dy kuptime. I pari është ai i një jete, deri tani, të frytshme e të denjë që të finalizohet me një yll. I dyti duhet parë në rafshin historik dhe fetar.

Në shumë vende të botës, nëpër oborre kishash si dhe në familjet e krishtera, nën Pemën e Krishtlindjes vendoset Betlehemi, vendi ku lindi Krishti. Në strukturën e tij, Betlehemi është shumë i thjeshtë: një grazhd, pak kashtë dhe një kasolle e vogël.

Sikurse dihet, kur Krishti lindi, tre mbretër shkuan pranë Tij me dhurata. Por si e gjetën ata të cilët qenë nisur nga kushedi ku, pa menduar se Mbreti do të lindte në një fshat të vogël? Sipas Biblës, ndoqën një yll i cili binte drejt e mbi kasollen e vogël.

Kështu edhe ylli majë pemës, parë në këtë kontekst, lidhet pikërisht me atë që tregoi vendin se ku Krishti lindi.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët