Dërgesat e emigrantëve janë rigjeneruar në vitet e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e remitancave për tremujorin e tretë arriti në 170 milionë euro, në rritje me 2.5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Për 9-mujorin, vlera e remitancave të dërguara në Shqipëri ishte 501 milionë euro, 8% më shumë në raport me 9-mujorin 2017.
Ky është një zhvillim deri diku i papritur; kjo mund të shpjegohet me përmirësimet e lehta në ekonomitë ku janë vendosur emigrantët shqiptarë.
Mbi të gjitha, rritja e dërgesave të emigrantëve në vitet e fundit i detyrohet kryesisht valës së re të emigracionit, të nisur pas heqjes së vizave me Bashkimin Europian dhe të forcuar sidomos në pesë vitet e fundit.
Nëse emigrantët e viteve ‘90 e kanë ngritur jetën jashtë vendit dhe i kanë ulur gradualisht lidhjet me Shqipërinë, emigrantët e rinj kanë krijuar ura të reja, që, mes të tjerash, kanë sjellë edhe rritje të flukseve të remitancave.
Dërgesat e emigrantëve ngelen një burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, sidomos në drejtim të zbutjes së varfërisë. Mijëra familje janë të varura prej këtyre dërgesave për mbulimin e nevojave jetike.
Gjithashtu, remitancat ngelen një mbështetje e rëndësishme edhe për tregun e pasurive të paluajtshme, ku një pjesë e konsiderueshme e blerjeve financohen pikërisht nga paratë e emigrantëve.