Policia e Sarandës ka arrestuar një 48-vjeçar, pasi është zbuluar se po trafikonte drejt Greqisë një sasi droge. Për bashkëshorten, e cila udhëtonte me të ka nisur ndjekja penale në gjendje të lirë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë të automjetit tip “Ford” me drejtues shtetasin F.C., shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me ato doganore, si dhe duke përdorur qenin antidrogë, kanë konstatuar të fshehur në shasi të automjetit një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit cannabis sattiva, me peshë totale prej 57 kilogramë.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Hetimit e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, F. C., 48 vjeç, banues në Sarandë.
Si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë bashkëshortja e tij, shtetasja M.C., 50 vjeçe, e cila udhëtonte sëbashku me bashkëshortin e saj në automjetin ku u gjet lënda narkotike.
Materialet do ti dërgohen Prokurorisë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.