MENU
klinika

Kreu i FSHF-së te “Kampionët”

Duka: Nëse Panucci dëshiron të largohet…

25.12.2018 - 17:47

I ftuar në emisionin “Kampionët” në “Vizion Plus”, presidenti Armand Duka ka bërë bilancin e vitit 2018 rreth kampionatit, investimeve apo edhe Kombëtares dhe trajnerit Panuçi në raport edhe me De Biazin.

Si ju është dukur futbolli shqiptar për vitin 2018?

2018-ta, nga janari që përbën dy gjysmë edicione, është një hap pozitiv për futbollin shqiptar.

Dhuna është zbehur në vitet e fundit në kampionatin shqiptar, por çalojmë akoma me infrastrukturën dhe stadiumet…

Zhvillim më të madh sesa infrastruktura e futbollit në Shqipëri, unë nuk besoj të ketë ndonjë fushë tjetër e jetës. Madje, i pari është futbolli dhe pas shumë vendeve bosh, mund të jetë ndonjë gjë tjetër.

Kemi stadiume për të zhvilluar të gjitha nivelet e kompeticioneve, në Elbasan, në Shkodër po ndërtojmë në Tiranë dhe do të ndërtojmë një projekt në Kukës. Kemi fushat e lojës të të gjitha niveleve dhe parametrave të pranueshëm. Kemi fushat e stërvitjes. A kemi mjaftueshëm? Jo, nuk kemi mjaftueshëm edhe si inventar fizik.

duka liga profesioniste
duka liga profesioniste

Flasim për ato fusha si në ndeshjen Orikumi-Tomori…

Një ndeshje që mbushet fusha me ujë dhe anulohet, ndodhi edhe në Xhenoa-Napoli. Nuk ndodh vetëm në Orikumi-Tomori.

Nëse vjen vendimi për dënimin e Skënderbeut, çfarë ndodh në FSHF?

Ne duhet të presim dhe të flasim pas vendimit. S’bëjmë skenar (qesh).

Si e shikoni rivalitetin mes Partizanit, Kukësit dhe Skënderbeut?

Një rivalitet normal i të gjithë kampionateve me dhjetë skuadra. Ekipet e kreut mund të themi që janë gjashtë, nga Partizani te Flamurtari, janë të mundshëm për të dalë kampionë sepse jemi vetëm në gjysmën e edicionit. Uroj të jetë me garë të fortë deri në fund.

Dy fjalë edhe për Tiranën…

Tirana është një klub shumë i mirë në histori, por jo i mirë në fakt. Do doja shumë që Tirana të ishte aty ku është Partizanit sot, të luftonte për titull dhe i ka të gjitha mundësitë për të luftuar për titull. Madje, ka mundësi akoma më të mira sesa Partizani, pasi ka infrastrukturë më të mirë si klub.

Ka mundësi që të ketë më shumë alternativa, pasi është klubi i Tiranës dhe në njëfarë mënyre, popullsia e Tiranës e dëshiron fanellën e saj për ta veshur. I ka të gjitha mundësitë. Në këtë kampionat, nuk ka bërë mirë deri tani. Në të gjitha rubrikat u tha se fitorja me Vlorën është pikë kthese dhe uroj të jetë vërtet pikë kthese dhe Tiranën ta shoh pretendente për titull.

duka panucci
duka panucci

Raportohet se ka pasur telefonatë nga Roma për Panuccin…

Nuk e kam lexuar. Mund të jetë ndonjë “lajm i rremë”, mund të jetë e vërtetë ndonjë telefonatë. Por, besoj se nuk ndodh që një trajner profesionist si Panucci që të bëjë biseda të tjera në një kohë që është trajner i Shqipërisë.

Nuk mund të komentoj. Mund t’ju them me bindjen timen që Panucci dhe të gjithë ata që janë profesionistë, të bëjnë negociata për kontrata, ndërkohë që janë nën kontratë.

Ndoshta është i pakënaqur nga ju…

Nga mua mund të jetë i pakënaqur, por ka një kontratë që duhet ta respektojë. Megjithatë, nëse ka një propozim për një karrierë shumë të mirë të Panuccit, mund të vijë dhe ne do ta diskutojmë. Por, nuk ka ndonjë të vërtetë. Nuk besoj se do të largohet.

Keni problem për stadiumin kombëtar me qeverinë për mosrimbursimin e TVSH-së. Dolët me deklaratë që rrezikon…?

Kur e nisëm, kishim bërë një plan financiar se sa do financonim ne dhe sa kompania bashkëfinancuese. E bëmë llogarinë që faturat janë me TVSH, dhe TVSH-ja do të na rimbursohej. Na u dha përgjigje nga Drejtoria e Tatimeve sikur kërkesa jonë ishte bërë disa ditë më vonë dhe nuk besoj se është rasti për ta anuluar.

E apeluam në Ministrinë e Financave dhe përsëri na është refuzuar. E vazhduam për ta animuar në gjykatë. Kam biseduar me kryeministrin dhe ai është mes dy zjarresh, siç kuptohet nga biseda që kam bërë me të.

Punimet në stadium?

I kam kërkuar kryeministrit fond shtesë për ta bërë akoma më të bukur.

Kishte lidhje ardhja e drejtuesve të UEFA-s me këtë problem?

Një nga gjërat ishte edhe kjo. Sepse FSHF i ka siguruar fondet për stadiumin 100% nga UEFA dhe nuk mund të shohim një financim të tillë që shteti kërkon të përfitojë nga fondet që janë donacione të UEFA-s.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN