MENU
klinika

Qëndra e Kontrollit Teknik

Durrës/ Radhë kilometrike të automjeteve te kolaudimet

29.12.2018 - 17:16

Radhë të gjata automjetesh dhe qytetarë që humbasin orë dhe ditë të tëra në pritje të kolaudimit në Qëndrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve në Shkozet të Durrësit.

Rruga qëndron e bllokuar përgjatë 24 orëve nga automjetet e tonazheve të ndryshme, që presin për të kryer kontrollin teknik dhe pagesën e taksave vjetore të qarkullimit rrugor.

Të shqetësuar nga vonesa dhe koha e humbur, drejtuesit e automjeteve kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të rregulluar situatën kaotike të përsëritur çdo fundvit. Ata kërkojnë hapjen e një pike tjetër kolaudimi nga konçensionari për automjetet.

Të pakënaqur nga situata e krijuar në këtë rrugë, janë dhe bizneset e shumta që kanë objektet dhe magazinat e tyre pranë Qëndrës së Kontrollit Teknik të Automjeteve në Shkozet.

Rruga është bërë e papërdorshme prej tyre për shkak të radhëve, por ankesat e qytetarëve bien në vesh të shurdhër. Askush nuk mban përgjegjësi dhe as nuk ndërhyn për të zgjidhur situatën.