MENU
klinika

Protesta

Edmond Tupja reagon pas procedimit nga Policia: Duan të më bëjnë hero me zor!

12.12.2018 - 16:34

Profesori i njohur, Edmond Tupja ka reaguar pas vendimit të Policisë së Shtetit për ta shpallur atë si person që do të procedohet penalisht, për pjesëmarrje në një protestë të paligjshme.

Në një intervistë për “Panorama”, Tupja e quan vendimin e policisë si qesharak dhe të urdhëruar nga lart.

Ai pohon se ka qenë në protestë sëbashku me Robert Aliajn dhe qindra të tjerë, por ai nuk është organizator i kësaj proteste. Edmond Tupja thekson se me këtë vendim policia po kërkon ta bëjë hero me zor, por ai sqaron se nuk vuan për protagonizëm.

Ai ironizon me këtë vendim, teksa e paralelizon me Kontin e Monte Kristos, por në këtë rast Tupja thote se do quhej si Konti i Monte Brrakës, për shkak se banon në zonën e Brrakës në Tiranë.

“Unë s’kam dëshirë të bëhem hero, unë nuk vuaj për protagonizëm. Kurrë s’kam vuajtur për protagonizëm, por duan të më bëjnë me zor. Në qoftë se më vënë para togës së ekzekutimit apo para trekëmbëshit të më varin, ose duan të më bëjnë hero për së gjalli në burg.

Kjo të kujton Kontin e Monte Kristos që e futën 14 vjet burg. Nëse do më fusin në burg do më mbajnë 14 vjet, do më bëjnë hero të njohur botërisht. Do dalë një Alexandre Dumas që do shkruajë historinë e Konti Monte Kristos, por kësaj radhë do shkruajë për Kontin e Monte Brrakës, se e kam shtëpinë në Brrakë.

Për mua është një turp i madh, jo se jam unë personi i proceduar, por çdo procedim pa arsye thjesht se vjen me urdhër nga lart, nga një mendje e çuditërisht e sfazuar, unë se kuptoj. Ky është skandal. Më kujtohet koha e Pinoccetit në Kili, ka mbetur vetëm të na vijnë nëpër shtëpia dhe të na vrasin. Të na e bëjnë si në kohën e Enver Hoxhës”, thekson Tupja.

Edmond Tupja thekson se do jetë pjesë e protestave të ardhshme dhe se do të jetë në mbështetje të kauzës së studentëve.