Kategoria Superiore shumë shpejt mund të humbasë shumë nga bukuria dhe rivaliteti që ka pasur deri tani, pasi një prej klubeve të elitës së futbollit shqiptar rrezikon të shpërbëhet thuajse plotësisht duke filluar që nga muaji i ardhshëm.
Problemet mes drejtuesve të skuadrës së Luftëtarit dhe mosshlyerja e detyrimeve ndaj lojtarëve dhe palëve të treta kanë bërë që në janar një pjesë e rëndësishme e ekipit të largohet nga gjirokastritet që do të mbeten kësisoj mes katër rrugëve.
Problemet kanë filluar që tre muaj më parë, kur bashkëfinancuesi Artan Dadaj shiti aksionet e tij te Bekim Halilaj. Ky i fundit dhe vëllezërit Tavo, që kishin nën administrim skuadrën, nuk kanë rënë dakord sa u përket kuotave të pagesave, duke mos bërë asnjë shlyerje detyrimi deri tani, ndërsa Bashkia e Gjirokastrës që ka 25% të aksioneve, prej kohësh është në “gjumë” në këtë aspekt.
Kjo konfirmohet nga shkresa e publikuar sot në “Panorama Sport” ky drejtori sportiv, Rigels Malile, lajmëronte aksionerët e klubit se tanimë edhe restorantet u kishin mbyllur dyert dhe se lojtarët që jetonin me qira në Gjirokastër, do t’i nxirrnin jashtë qiradhënësit.
Njëkohësisht, ai bëri të ditur se emrat kryesorë të ekipit kërkonin largimin në janar e sipas rregulloreve mund ta bënin lehtësisht një gjë të tillë. Apeli i Maliles ishte i qartë: skuadra rrezikon shpërbërjen e plotë.
Sigurisht që një situatë kaq dëshpëruese do kohë të rregullohet dhe nuk ofron kushtet e duhura që Luftëtari të vazhdojnë garën denjësisht, ashtu siç i duhet Superiores.
Me largimin e titullarëve në janar dhe pa financat për t’i zëvendësuar, për skuadrën gjirokastrite lufta për mbijetesë dhe rivaliteti që ka dhuruar deri tani do të bëhet e pamundur. Kësisoj, skuadra rrezikon të nisë rrugëtimin drejt të Parës shumë para kohe.