MENU
klinika

Champions League

Eliminohet Inter e Napoli, anglezët me fat

11.12.2018 - 22:58

Kanë përfunduar ndeshjet e fundit në grupe të Champions League, teksa janë dhënë edhe verdiktet e fundit. Janë kualifikuar dy skuadrat angleze, Liverpool dhe Tottenham, ndërsa është eliminuar Inter dhe Napoli. Kalon më tej PSG, ndërsa Barcelona dhe Porto nuk pësuan humbje në grupe.

GRUPI A

Në këtë grup luhej vetëm për kreun, pasi fati i skuadrave ishte vendosur më parë, me Atletico Madrid dhe Dortmund të kualifikuar në fazën tjetër, ndërsa Club Brugge do të luajë në Europa League. Atletico Madrid nuk shkon më shumë se 0-0 në Belgjikë ndaj Club Brugge dhe kualifikohet si i dyti.

Dortmund shënoi gol në minutën e 15-të me anë të Guerreros, që blindoi fitoren 2-0 ndaj Monaco në transfertë në fundin e takimit. Me këtë sukses, Dortmund zë vendin e parë, falë edhe ndalesës së Atletico Madrid.

GRUPI B

Barcelona, edhe pse kishte siguruar kreun e grupit, nuk ka toleruar aspak me Tottenham. Me formacionin e dytë, katalanasit kaluan në avantazh me Dembele në minutën e shtatë të takimit. Por 5 minuta para mbarimit të kohës së rregullt, Lucas barazoi për anglezët, të cilët kualifikohen vetëm falë golaverazhit.

Inter ka vuajtur shumë në “San Siro” ndaj PSV-së. Zikaltrit janë gjendur në disavantazh në minutën e 13-të, kur Lozano shënoi për holandezët. Goli i Icardi-t në të 73-n ka qetësuar disi zikaltrit me shpresën se do të vinte përmbysja. Mbaron 1-1 dhe Inter që skualifikohet nga Champions, kalon në Europa League.

GRUPI C

Nënkampionit të Europës, Liverpool, i është dashur patjetër fitorja ndaj Napolit në “Anfiled Road” dhe këtë e kanë arritur falë golit të Salah në minutën e 34-t. Mjafton 1-0 dhe Liverpool zë vendin e dytë, ndërsa Napoli do të luajë në Europa League.

PSG e kishte e marrë seriozisht sfidën në Beograd ndaj Crvena Zvezdës, duke fituar 4-1. Cavani, Neymar, Marquinhos dhe Mbappe shënuan për parisienët, që zënë vendin e parë në grup.

GRUPI D

E vetmja gjë që kishte mbetur pa u përcaktuar nga ky grup ishte se cila skuadër do të zinte vendin e tretë dhe, për rrjedhojë, do të kualifikohej për në fazën pasardhëse të Europa League mes Galatasaray dhe Lokomotivës së Moskës.

Turqve, të cilët kanë pritur në shtëpi Porto-n, skuadra që siguroi vendin e pare në grup në javën paraardhëse, u duhej një fitore për të mbrojtur vendin e tretë ose që Lokomotiva e Moskës të mos fitonte në fushën e Schalke.

Takimi i luajtur në Stamboll ka qenë spektakolar nga fillimi deri në fund. Porto ka fituar 3-2. Fatmirësisht për turqit, Schalke ka mundur 1-0 Lokomotivën e Moskës me një gol të Schopf në minutën e 91-të, që i ka siguruar Galatasaray-t vendin e tretë.