MENU
klinika

Fehmi Hoxha

Festat e fundvitit vijnë nëpërmjet pikturës

23.12.2018 - 19:26

Një nga emrat më të dashur për pikturën, Fehmi Hoxha – (Feho), mbajti të shtunën mbrëma ekspozitën e tij personale në Kosovë.

Muret në hapësirat e galerisë “H&B” ishin mbushur me pikturat e Fehos, që të gjitha të punuara përgjatë vitit 2018. Në to spikatet peizazhi i punuar në një stil krejt i veçantë.

Teknika e punës që përdor piktori Hoxha, sipas profesorit të Akademisë së Arteve – Hajrush Fazliu, bën dallimin e këtij piktori nga të tjerët, përpos vlerave tjera të shpërfaqjes së ideve në pikturë.

“Duke respektuar shumë elemente të artit pamor, si edhe parimet e saj, në pikturën e Fehmi Hoxhës e kemi edhe përmbajtjen dhe mesazhin e tij, që e paraqet çdo mendim të tij. E veçanta e tij është teknika dhe ajo e bën që ngjyra ta ndjen, e të na jep një vepër të sigurt figurative”, ka thënë Fazliu.

Kurator i ekspozitës ishte profesori Refki Gollopeni. 

“Nuk është fare vështirë të jesh kurator tek ekspozita e Fehmi Hoxhës, pasi çdo pikturë që merr ka vlerat e veçanta”, ka thënë Gollopeni.

Ndërsa vet autori e la veten që të flas i fundit, e potencoi se ai gjithmonë synon fuqizimin e institucioneve artistike, sikurse edhe tek galeria që organizonte këtë të fundit.

“Unë dua që secila galeri të fuqizohet sepse kështu është e tërë bota. Kjo ka qenë shtysa që të organizoj këtu ekspozitën dhe është ekspozitë që u kushtohet festave të fundvitit”, foli shkurt Hoxha.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 janar, teksa aty pikturat e ekspozuara do të mund edhe të blihen, me një çmim më të ulët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN