MENU
klinika

Nga Dashnor Kaloçi

Fotot e rralla/ Taksa e rrugës që rrëzoi kabinetin e Mehdi Frashërit në 1936-ën dhe falenderimi i kryeministrit të dorëhequr për gazetarët që denoncuan aferën korruptive

19.12.2018 - 16:44

Historia e panjohur e konfliktit në mes qeverisë së Kryeministrit Mehdi Frashëri dhe Parlamentit të kryesuar nga Koço Kota, i cili nuk pranoi që ta zbriste taksën e rrugëve që propozonte kabineti Frashëri.

Të gjitha debatet e acaruara në mes deputetëve, të cilat u pasqyruan me detaje dhe hollësira nga shtypi i atyre ditëve, si dhe votimi i zhvilluar në Parlament më datë 6 nëntor 1936, ku qeveria Frashëri mori vetëm 3 vota

Edhe pse Mbreti Zog gjatë gjithë periudhës 15-vjeçare që qëndroi në pushtet (1925-1939) nuk e lejoi pluripartizmin, regjimi monarkik që sundoi në Shqipërinë e atyre viteve pothuaj nuk kishte asnjë ndryshim me pjesën më të madhe të shteteve të ndryshme të Perëndimit, të cilat kishin një demokraci të konsoliduar qindravjeçare.

Krahas ekonomisë së tregut të liberalizuar, veç të tjerave regjimi monarkik i Zogut u ofroi shtetasve të tij edhe një liri të plotë shtypi, duke u bazuar në ligjet më të përparuara të shteteve perëndimore, gjë e cila bëri që shtypi shqiptar i atyre viteve të kishte një zhvillim të madh jo vetëm në sasinë e gazetave dhe revistave të shumta që botoheshin, por edhe në cilësinë e përmbajtjes së tyre.

Duke bërë përjashtim familjen mbretërore, që asokohe ishte e ndaluar me ligj që të kritikohej e përgojohej në shtyp, çdo shtetas shqiptar apo i huaj kishte të drejtë të shkruante pa frikë për të gjithë të tjerët, duke filluar nga Kryeministri e deri te zyrtari më i thjeshtë i administratës mbretërore të asaj kohe.

Nisur nga ky fakt, në atë kohë mjaft nga botuesit shqiptarë patën polemika të ndryshme në shtyp me krerët më të lartë të shtetit, si Kryeministrin, kryetarin e Parlamentit, ministrat e Financave, anëtarët e tjerë të kabineteve qeveritare të Monarkisë, si dhe me mjaft zyrtarë të lartë të administratës vendore.

Përveç lirisë së shtypit, ajo që e vinte Shqipërinë e atyre viteve në një stad me shtetet e tjera evropiano-perëndimore, ishte dhe jeta politike e parlamentare e saj, e cila zhvillohej njësoj sikur në vend të ekzistonte një opozitë e vërtetë që i bënte oponencë qeverisë në çdo hap të saj.

Kjo gjë bëhet e ditur jo vetëm nga shtypi i atyre viteve, ku jeta politike e parlamentare pasqyrohej gjerësisht, por edhe nga dokumentet arkivore që hedhin dritë mbi debatet e shumta të zhvilluara në qeveritë dhe Parlamentin e asaj kohe për probleme nga më të ndryshmet.

Aq e fortë ishte lufta parlamentare gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, sa që herë pas here krijoheshin konflikte të ashpra ndërmjet qeverisë dhe Parlamentit, të cilat kishin lidhje me ligjet që qeveria u dërgonte për miratim deputetëve.

Madje përplasjet e shpeshta qeveri-parlament jo pak herë krijuan dhe kriza qeveritare, siç është rasti i qeverisë së Kryeministrit Mehdi Frashëri, e cila më datën 6 nëntor të vitit 1936 u rrëzua me votat e deputetëve të Parlamentit, pasi ajo nuk kishte realizuar një sërë detyrash që i kishin lënë deputetët.

Po cilat ishin arsyet e vërteta të konfliktit mes qeverisë Frashëri dhe Parlamentit të asaj kohe, që i detyroi deputetët të mos i jepnin votëbesimin e kërkuar dhe ta rrëzonin atë kabinet?

Për të gjitha këto na njohin disa shkrime të gazetave të atyre ditëve (gusht 1936), të cilat përcollën me detaje dhe hollësira të gjitha zhvillimet e konfliktit të qeverisë së Mehdi Frashërit me deputetët e Parlamentit të kryesuar nga Koço Kota.

Një nga ato gazeta të asaj kohe, që i kushtoi faqe të tëra konfliktit qeveri-parlament, ishte dhe “VATRA”, prej së cilës kemi përzgjedhur disa shkrime, që po i publikojmë më poshtë në këto faqe të rubrikës sonë, duke mos iu bërë asnjë ndryshim nga gjuha e shkruar në vitet e Monarkisë së Zogut.

Gazeta “Vatra”, për qeverinë Frashëri: Dy herë “bravo”

Dy “bravo” i takojnë Kabinetit Frashëri: E para i përket se preferoj të largohet nga fuqia se sa të linte me u rrëzue një dekret ligjë i cili mpron interesat e popullit, dhe bravoja e dytë ka lidhje me qëndrimin burrnor që mbajti kundrejt disa deputetëve të cilët për arsye më shumë personale përpiqeshin që të diskretitonin me rrëzimin e dekret ligjeve.

Nuk dimë se ç’përfundim do të ketë konflikti që rrodhi krejt pa pritur dhe pa pandehur midis Kabinetit dhe Dhomës (Parlamentit, shënimi ynë), por ajo që dihet dhe është konstatuar brenda këtyre orëve në qarqet e ndryshme të kryeqytetit, është kjo: Kabineti Frashëri edhe në u rrëzoftë, rrëzohet tue mbajtun malt flamurin e dinjitetit.

Edhe në u rrëzoftë, moralisht del triumfonjës.

Nga 15 franga ari që paguante sot populli në vit për taksë rruge, Qeveria e z. Mehdi Frashëri e zbriti vetëm në 6. Deputetët në vend që ta pranonin dekret ligjin me komplimenta për kujdesimin atnor që dëftoj kundrejt popullit të cilin ata përfaqësojnë, dalin dhe harxhojnë të gjithë volumin për të bindur kolegët e tjerë se ay dekret ligjë duhet refuzuar, dhe populli të vazhdojë me pague 15 franga.

Është thënë dhe është kujtuar se Ministrat janë axhamij në manovra parlamentare. Seanca e djeshme e Dhomës provoj të kundërtën. Provoi se janë deputetët me eksperiencë të gjatë ata që s’kanë haber nga takt dhe manovra parlamentare.

E provojmë: Kur iu rrëzua Qeverisë po në atë seancë dekret ligji pë transferimin e kredive dhe për shpenzime automobilash të Ministrave, Kabineti s’bëri zë. E pranoj rrëzimin dhe pranoj se në atë ishin sende që ndofta më mirë të mos ekzistonin.

Por kur erdhi çështja në dekret ligjin e rrugëve, Qeveria vate gjer në fund. E vuri çështjen në vot-besimi.

Se në atë dekret ligjë, mproheshin të drejtat e popullit, përkraheshin fukarejtë dhe dënoheshin zengjinjtë që shmangen përherë nga pagesa e taksave. Por deputetët me eksperiencë të gjatë u-lanë të kapen në grackë “të axhamive”.

Se s’mbeti njeri nga dëgjuesit e mbledhjes së djeshme dhe s’ka njeri nga ata që e mësuan rrjedhën e konfliktit, që të mos jetë edhe kundërshtarë të Qeverisë, dhe të mos ketë kondanuar qëndrimin e atyre deputetëve që donin të rrëzonin Qeverinë, dhe pse kjo mpron të drejtat e popullit dhe të mos ketë komplimentuar Kabinetin që vendosi të sakrifikohet në fushën e matjes së popullit fukara.

Qeveria e Mehdi Frashërit munt edhe të largohet. Nuk na intereson sot kjo pikë.

Ajo që na intereson sot është fakti se se kabineti korri një sukses parlamentar të jashtëzakonshëm, se dijti të provojë se është gati të sakrifikojë veten kur përpiqet të plotësojë misionin kundrejt popullit edhe se dha rast të konstatohet për azhurnimin (anullimit), e vendimit të tyre për sërën (rradhën), se deputetët t’anë janë të zott të krijojnë çështje por jo edhe të marrin përgjegjësi kur vjen sëra që të vendoset përfundimisht mbi çështjen e krijuar mes tyre.

Parashikimi i krizës qeveritare nga shtypi

Në Qarqet e Dhomës (Parlamentit), paraqitet se është e sigurt kriza qeveritare sot mbas dreke. Një shumicë e madhe deputetësh nuk do i japin vot-besimin Qeverisë. Cështja e ditës, s’është nevojë që t’a theksojmë, është qëndrimi i Qeverisë në fuqi ose jo. Opinioni i përgjithshëm, i bazuar në faktet e thata siç paraqiten në Parlament, Dhoma e Deputeteve nuk do t’i japi vot-besimin e kërkuar dje prej Qeverisë me rastin e dekret ligjit mbi detyrimet për rrugët. Ky është mejtimi i përgjithshëm që dominon sot qarqet e ndryshme të Kryeqytetit. Tashti le të ekspozojmë lëvizjet që u shënuan sot paradreke nga ana e deputetëve dhe nga ana e Qeverisë.

Aty nga ora 9 e 30, Kryeministri shkoj në Pallat (Pallati Mbretëror i Zogut), dhe u kthye mbas një gjysëm ore në zyrat e Kryeministrisë. Më orën 10, Kryetari i Parlamentit udhëhiqte në pallat anëtarët e Komisionit parlamentar për t’i paraqitur Sovranit përgjegjen e Dhomës Mesazhit të Fronit që u këndua me rastin e çeljes së sesionit që vazhdon. Në disa qarqe që interesohen më shumë për gjendjen e krijuar besohet sakaq se Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit bashkë me z. Fejzi Alizoti kanë biseduar veçanërisht me Mbretin konfliktin e ndodhur në seancën e djeshme. Por asgjë nuk u mësua mbi këto bisedime. Ndërkaq, simbas informatave që mujtëm të mbledhim nga burime të besueshme, na rezulton se Qeveria qëndron përherë në pikëpamjen e saj që çfaqi dje përpara Dhomës duke thënë se do kërkohet edhe sot vot besimi.

Po të bazohemi në qarqet parlamentare, Qeveria sot duhet të jetë e rrëzuar. Simbas këtyre qarqeve, sot në drekë u konstatua se një shumicë e madhe deputetësh kanë vendosur me gjithë mënt që të mos i japin vot besimin qeverisë. Për të plotësuar kronikën, shtojmë edhe disa hollësira rreth zhvillimit të bisedimeve të sotme, dhe parashikojmë në bazë të disa informatave që ndodhën në minutën që të vihet gazeta në shtyp. Me t’u çelur mbledhja, pra, do marrë fjalën një deputet i cili do t’i drejtojë Kryeministrit disa pyetje dhe mbasi të marrin fund përgjigjiet e z. Mehdi Frashëri, do të vihet menjëherë në votë propozimi i djeshëm i Kryeministrit. Rezultati i këtij votimi do të jetë, siç e thamë edhe më sipër në disfavor të Qeverisë.

Debatet në Parlament

Krejt pa-pritur në seancën e djeshme Qeveria u shtërngua të vërë çështje besimi.- Shkakun e dha dekret-ligji mbi rrugët.- Parlamenti azhurnoj mbledhjen për sot.-Dje pasdreke n’orën 3 e 45 u hap mbledhja e Parlamentit nën kryesinë e z Koço Kotta, me pjesëmarrjen e të gjithë trupit Ministruer. Vihet në bisedim projekt-ligji mbi ndryshimin e neneve 16 e 35 të Statutit Themeltar (Kushtetuta e Mbretërisë),(në parim). Rreth këtij projekt-ligji u zhvilluan bisedime të gjata.

Në këto bisedime muarën pjesë z.z. Hiqmet Delvina, Thoma Orollogai, Mihal Kaso, Fiqri Rusi, duke çfaq mendimet e tyre rreth ndryshimeve që do t’i bëheshin neneve të Statutit, por që të gjithë kundërshtuan bazën e popullsisë, mbasi regjistrimet e bëra deri me sot nuk janë ekzakte, dhe kërkuan që të bëheshin disa modalitete në projektin e paraqitur nga ana e Qeverisë. Kryeministri,z. Mehdi Frashëri, jep shpjegime të gjata rreth këtyre ndryshimeve, por z. Fejzi Alizoti kundërshton, duke thënë se mbasi një regjistrim të plotë nuk do të kemi, çfaqet kontra ndryshimeve. Mbasi folën edhe z.z. Ferit Vokopola, Eshref Frashëri dhe mbas shpjegimit të dytë të Kryemnistrit, projekti u pranua në parim dhe iu dërgua komisionit.

U pranua për herë të fundit projekt-ligji mbi Bankën Bujqësiore të Shqipërisë, projekt-ligji mbi aprovimin e marrëveshjeve të liodhura ndërmjet Qeverisë Mbretënore dhe Bankës së Napolit, projekt-ligji mbi shtimin e një fondi prej fr. ar 40.000 në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Mbrendëshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë. Gjithashtu u pranua në parim dhe u dërgua në komision prijeklt-ligji mbi bartje fondi prej fr. ari 2000 në buxhetin e Instituteve të Lartë dhe të Ministrisë së Financave, dhe dekret-ligja mbi mëkëmbjen e Shoqërisë “Portland Cemento Shkodra”. Merret në bisedim dekret-ligji mbi krijimin e një nënpunësije kimisti, kontrollues alkoli dhe pijesh alkolike me një rrogë prej fr. ari 350 në muaj për t’u pranuar në parim.

Edhe rreth këtij projekti zhvillohen bisedime të gjata. Z.z. Thoma Orollogai, Fejzi Alizoti, Mihal Kaso, Jashar Erebara e kundërshtuan pranimin e këtij projekti, kurse z. Kasëm Radovicka propozon që të pranohet. Më në fund flasin kryeministri z. Mehdi Frashëri dhe Ministri i financave z. Rrok Gera, me argumentat dhe arsyetimet e tyre e bindin më në fund Dhomën që të pranohet në parim.

Rrëzimi i qeverisë pasi mori vetëm 3 vota

Qeveria u rrëzua n’orën 16 nga Dhoma.- Kabineti i ri do të formohet shpejt për të patur kohë me votue nenet e Statutit për zgjedhje gjer të Martën.- Kush munt të formoj Qeverinë e ardhshme?- (nëntitujt e gazetës “Vatra”). Informatat që i dhamë publikut dje me botimin e parë gjetën vërtetësi në përfundimin që dha dje mbasdreke m’orën 4 shumica më e madhe e deputetëve. Në fakt, Parlamenti me 36 deputetë e rrëzoj projekt ligjin mbi punëtorët, dhe të detyruar, me qenë se rrëzimi i saj do të tërhiqte me vete edhe Qeverinë, Kabineti Frashëri nuk është më në fuqi.

Para se të mblidhej seanca e mbas drekës dhe pakë minuta para se të çelej mbledhja, filloi të qarkonte në korridoret e Parlamentit se Qeveria nuk do të vinte në seancën, mbasi në një mbledhje që pati sot në drekë në Kryeministri, paskish vendosur që të jepte dorëheqjen. Mirpo ky lajm nuk gjeti vërtetësi. Gjithë anëtarët e Kabinetit me z. Frashëri në krye u paraqitën së bashku dhe bile u vu re se ishin të gjithë me humor të mirë. Llozhat dhe galeritë e Dhomës, ndërkaq janë mbushur. Rrall paraqet Parlamenti të tillë pamje. Të huaj, funksjonarë të naltë, popull, kanë zaptuar prej kohësh vendet disponibël, ndërsa një shumicë e madhe qëndronte jashtë godinës e ndaluar nga policia për arsye se mungonin vendet. Kur z. Kotta (kryetar i Parlamentit, Koço Kota), çel mbledhjen dhe këndohet lista e deputetëve, një heshtje e madhe zapton sallën.

Vëzhgimet e deputetëve edhe të publikut drejtohen herë nga bankot e Ministrave, herë nga z. Hiqmet Delvina, Mihal Kaso, Seit Toptani dhe Esheref Frashëri, të cilët kanë qenë të parët në mbledhjen e djeshme që çelën fushatën kundër rrëzimit të dekret ligjit që shkatoi krizën qeveritare. Mbas disa bisedimesh që po i botojmë gjerësisht këtu më poshtë, deputetët ftohen nga ana e Kryetarit të Dhomës për të ushtruar të drejtën e tyre në propozimin e paraqitur prej Qeverisë. Përfundimi që parashikohej nuk u ndryshue. Qeveria u rrëzua dhe qysh nga ora 4, Kabineti Frashëri është më dorheqës. Legjislatura e dytë e Mbretërisë, që u dëftua kaq e butë gjatë 4 vjetëve, pa 4 ditë karshi Qeveritarëve të mëparshëm, këto ditët e fundit u paraqit dinamike, dhe nëse kabineti Frashëri mujti të kapërcente shtërngatën që iu vërsul ditët e para të ekzistencës së tij, nuk pati po atë fat edhe tashti në mbarimin e sipër të Legjislaturës.

Mbas përfundimit të votimit, në fyturat e shumicës së madhe të deputëtëve, shënoheshin shenjat e sadisfaksjonit, ndërsa në disa qarqe u vu pyetja se kush do t’i zinte vëndin Qeverisë dorheqëse. Për detyrë kronike dhe me rezervën e duhur shënojmë se simbas të thënave posht e lart, si Kryeministër i ri i paraqitet z. Kotta, ose z. Berati (Dhimitër Berati), i cili munt të formoj Kabinetin edhe me një ose dy kolegë të qeverisë dorheqëse. Ësht mejtim i përgjithshëm ndërkaq dhe pamvarsisht nga personat që do të formojnë Qeverinë e re, se kriza do marrë fund mbrënda 24 orëve, mbasi është nevojë që Kabineti i ri duhet të votojë nenin e Statutit për afatin e zgjedhjeve gjer të martën në mesnatë, mbasi në atë datë mbaron edhe afati i këtij sesioni. Votuan pro Qeverisë z.z. Asim Jakova, Maliq Bushati dhe Kasëm Radovicka. Abstenuan: z.z. Vasil Averami, Faik Dishnica dhe Tefik Mborja.

Arsyet e krizës qeveritare

Përveç tre deputetëve që i dhanë vot-besiminn dhe kaq të tjerëve që abstenuan, të tjerët ia mohuan besimin Qeverisë në seancën e djeshme, dhe kabineti mbas këtij rezultati u konsiderua dorëheqës. Mbi shkaqe dhe interpretimet që shoqëruan krizën qeveritare folëm në kryeartikullin e djeshëm. Sot do ta kqyrim realitetin e krizës nga një pikëpamje tjetër. Kush i ndjek me vërejtje rrjedhimet e jetës s’onë politike, do të ketë vënë re, sigurisht, se për herë të parë, brenda shumë vjetëve, Parlamenti merr drejt për drejt përgjegjësinë e shkaktimit të një krize qeveritare. Ndonëse vonë, d.m.th. mbasi kaluan 24 orë ne mejtime dhe në konsultime, kronika parlamentare shënon se rrëzimi i Qeverisë u shkaktua mbasi përfaqësia kombëtare i tërhoqi besimin.

Qeveritë e mëparëshme, ishin larguar nga fuqia me vendimin e dorëheqjes që merrte midis anëtarëve të saj dhe nuk ishte paraqitur rasti që të marrë përgjegjësinë Parlamenti për të shkaktuar krizë. Që të jemi objektivë dhe t’i vemi çështjes thellë, është nevoja të theksohet se Dhoma e Deputëtëve u gjet pa pritur përpara dilemës së krizës. Krizën e shkaktoj vetë Qeveria dhe çdo gjë u la të kuptohej, se vendimi i Kabinetit për të ngarkuar Parlamentin me përgjegjësinë e krizës s’ka qenë i kurdisur më parë, po u ideua në rrjedhimin e bisedimeve të seancës së pardjeshme dhe u maturua brenda 5 minutrave që okupuan mbledhjen e Ministrave në një nga dhomat e Parlamentit. Që erdhi papritur dilema e krizës, e pranoj edhe fakti se deputetët, u paraqitën të dizorintuar kur Kryeministri e vuri çështje besimi refuzimin ose pranimin e dekret-ligjit, dhe deputetët me gjithë se u tërhoqën në konsultime, s’mujtën dot t’u përgjigjeshin aty për aty dhe Kryetarit iu desh që të azhurnonte mbledhjen për dje mbasdreke.

Por në se i takon qeverisë nisjativa për të përfunduar kriza në këtë mënyrë, duhet të pohoet, dhe kjo na intereson sot më shumë, se Parlamenti, ndonëse mbas 24 orë iu përgjigj gjestit qeveritar me një akt thjeshtësisht parlamentar. E kishte në dorë Dhoma, që ta shtërngonte krizën me mohimin e besimit, duke pranuar dekret-ligjin, se kundër tij ishin shfaqur në seancën e mëparëshme vetëm 3-4 deputetë, ndërsa të tjerët nuk ishin kompromentuar. Pavarsisht nga shkaqet që e shtytën Parlamentin me rrëzue qeverinë, ne në vendimin e djeshëm të Dhomës, na pëlqen të shohim inagurimin e një periudhe të re në jetën parlamentare.

Na pëlqen të besojmë se deputetët t’anë këtej e tutje do t’a ushtrojnë kontrollin mbi qeverinë me efikasitet më të madh, ashtu sic e kemi kërkuar ne të “Vatrës” përherë. Mbasi një kontrollimi që munt të përfundojë edhe në saksone, e frenon qeverinë në keq veprime. Në se në Kabinetin Frashëri sanksioni parlamentar u vu në veprim për arsye të forta, sipas mejtimit t’onë, ky gabim nuk rrjedh nga sistemi që vet vetiu që u inagurua, por nga fakti, se Kabineti s’qëndronte mirë në sytë e kësaj Dhome qysh në fillim.

Por kur një Parlament del me vota të lira dhe prej këtij Parlamenti formohet një qeveri, ne jemi krejtësisht të bindur, se ushtrimi i të drejtës parlamentare me i tërheq Qeverisë besimin, është i destinuar të na sigurojë një administrim të mirë të fuqisë ekzekutive. Nga kjo pikëpamje duke kqyr përgjegjësinë që mori dje Dhoma, për të përfunduar në krizë qeveritare, ne e salutojmë me kënaqësi ushtrimin e së drejtës parlamentare, por me konditë që nuk do të kufizohet kjo e drejtë vetëm nga këta deputetë dhe vetëm kundër Kabinetit Frashëri.

Gabimet e qeverisë që irrituan parlamentin

(Mbledhja e djeshme e Parlamentit) Në orën 3 e 43, kryetari Koço Kotta hap mbledhjen dhe me pak fjalë shpjegon azhurnimin e dy dekret ligjeve mbi rrugët dhe propozimin e qeverisë se pranimin ose jo të këtyre dekret-ligjeve, e vë çështje besimi, vendoset që votimi parlamentar të bëhet nominal.

Zoti Andon Beça thotë se: mbasi kësaj qeverie kur është paraqitur, i kam dhënë me kenaqësi votëbesimin, dëshiroj të justifikoj arsyen që nuk ia jap më. 1) Se qeveria nuk u interesua aspak për lutjet që i kishin paraqitur kryepleqësitë e Fushë- Mbretit të Elbasanit, mbi mos vendosjen e emigrantëve n’atë vënd, mbasi ay nuk ishte i mjaftueshëm për as për banorët. 2). Për veprimet arbitrare të Ministrit t’Arsimit, se edhe manifestimet e Elbasanit kanë qenë të shkaktuara prej tij për çështjen e Shkollës Normale dhe 3), për mënyrën e administrimit të keq të Ministrit të Punëve të Mbrendshme me disa burgime dhe internime në Porto Palermo të disa Elbasanësve.

Vota nominale vazhdon, më në fund 36 votuan kontra, zz. Asim Jakova, Maliq Bushati dhe Kasëm Radovicka, në favor, kurse Faik Dishnica, Tefik Mbrorja dhe Vasil Avrami abstenuan. Më në fund, Kryemnistri z, Frashëri merr fjalën dhe falënderon Parlamentin për rregullin e votimit. Mbi arsyet e parashtruara nga z. A. Beça, do të ishte gati të përgjigjej, por mbasi Parlamenti u hoqi besim, nuk e shofin të nevojshme prandaj kerkojnë leje të largohen. Me kaq, Kryetari z. Kotta, e mbyll mbledhjen n’orën 3 e 50.

Kryeministri Frashëri falënderon gazetarët

(Mbledhja e Këshillit Ministruer). Këshilli Ministruer u mbloth menjëherë dhe bisedoi për orë 2 e 25. Z. Mehdi Frashëri pati mirësinë të pranojë gazetarët, të cilëve iu bëri këto deklarata: “Pikë së pari dua të falenderoj shtypin dhe gazetarët për fjalët e mira dhe përkrahjen që i kanë dhënë Qeverisë. Qeveria tashti pas votës së mosbesimit të Parlamentit në bazë të nenit 113 të Statutit vendosi të japë dorëheqjen, të cilën do t’ia parashtroj N. M. Tij Mbretit (sot ora 9 e 30).