“Në qetësinë shpirtërore njeriu gjen mençurinë, ndjeshmëria e sëmurë i lajthit”
Teodor Drajzer (Theodore Herman Albert Dreiser) është shkrimtari dhe gazetari amerikan i shkollës natyraliste, që i dha letërsisë amerikane një fytyrë moderniste.
Drajzer e skanoi jetën dhe mendësinë amerikane më shumë se gjithkush tjetër në të gjithë përmasat e saj sociale dhe morale.
Përzgjedhur mes 100 shkrimtarëve më të shquar të shekullit XX, lexuesi shqiptar e njeh prej kohësh me romanin e tij “Një tragjedi amerikane”. Në njëfarë mënyre, literatura amerikane ka Zolan e saj, megjithëse fama e tij nuk e ka përshkuar si duhet Atlantikun.
Teodor Drajzer, lindur në 1871, ishte një shkrimtar natyralist i angazhuar politikisht. Përgjatë rrugëtimit të jetës së tij, ka ruajtur pozicione të qendrueshme dhe guximtare. Kryevepra e tij “Motër Keri”, një histori e gjatë e shkruar në vitin 1900, rrëfen vuajtjet e Meeber Caroline, një vajzë e bukur që largohet nga vendlindja e tij, Wisconsin për t’u strehuar në Çikago.
Në mesin e shkrimtarëve që panë lindjen e shekullit të XX, silueta gjithpërfshirëse dhe origjinale e Drajzerit shpaloset kudo në skenën letrare amerikane. Ai bën pjesë tek ata persona, nga të cilët buron skandali- një skandal i qëllimshëm, një element i betejës së palodhshme kundër puritanizmit dhe hipokrizisë.
Taksimi i imoralitetit, përndjekja nga censura, ligjërata familjare dhe fetare, shqetësimi kryesor i Drajzer është piktura e njeriut “natyral”, për ambicien vetjake në çlirimin e kufizimeve që i marrin frymën.
Pasqyra që i jep shoqërisë amerikane pasqyron imazhin shqetësues të shanseve zhgënjuese, instinkteve të ndrydhura, aspiratave të papërmbushura. Ka shkruar një mori veprash të njohura në mbarë botën, ndër të cilat “Stoiku”, “Titani”, “Motra Keri”, “Një tragjedi amerikane” etj.
Në vitin 1925, romani i parë i Drajzer “Një tragjedi amerikane” bazohej në një histori të famshme vrasjeje, libër i cili e solli Drajzerin një nivel të sukseshëm të kritikës letrare, por edhe komercial, gjë që ai nuk kishte arritur kurrë më parë dhe nuk do të ishte e barabartë më pas.
Me kalimin e kohës u përfshi në një shumëllojshmëri aktivitetesh politike, çka bëri që të zbehet krijimtaria e tij letrare dhe çoi në ngadalësimin e prodhimtarisë së tij. Të vetmet publikime të rëndësishme në fund të viteve 1920 ishin koleksione tregimesh dhe esesh të shkruara më parë, si “Zinxhirët” (1927) apo “Galeria e grave” (1929) etj.
Drejzer njihet si romancier, por një vend të rëndësishëm zë edhe si novelist. Në vitin 1918 do të publikojë koleksionin e parë të tregimeve “Liri dhe histori të tjera”. Nga ana tjetër, ai përfshihet në politikë, në bordin socialist, ku lufton kundër pabarazive sociale dhe publikon libra relevantë dhe kritikë për sistemin në të cilin jeton.
“Drajzer shikon Rusinë”, botuar në vitin 1928, përshkruan vitin që kaloi në Bashkimin Sovjetik, por gjithashtu “Amerika tragjike” dhe “Amerika është ruajtja e vlerave”, të cilat përbëjnë një pjesë kritike të politikës amerikane.
Për fat të keq, Drajzer nuk do të ketë kohë për të folur për fundin e Luftës së Dytë Botërore, pasi do të vdesë më 28 dhjetor 1945 në Hollywood.
Drejzer u përfshi në shumë fushata kundër padrejtësive sociale, njëherazi si socialist i flaktë shkroi shumë ese politike.
“Arti është krijuar që të përjetohet e jo të kuptohet. Andaj, çdo herë artet, kur dëshirojnë të jenë të kuptueshëm, çdoherë thonë budallallëqe”, – shprehet Drajzer.