Kjo Krishtlindje përveç gëzimeve të tjera, i gjeti një pjesë të mirë të kishave të Himarës në proces restaurimi, si dhe me ndërtime kishash të reja.
Kjo është një vlerë e shtuar për Himarën që dita-ditës pëson një ndryshim të madh në infrastrukturë po dhe në vlera kombëtare siç janë rikonstruktimet.
Jorgo Goro, Kryetari i bashkisë së Himarës në lidhje me kishat shprehet se “nuk ka urim më të bukur për Himarën tonë këtë Krishtlindje ku kemi lajme të mira me ndërtime kishash të reja, restaurime të disa kishave të rralla, rrugëve dhe mureve rrethuese të kishave dhe manastireve”.
Për Himarën dhe himariotët rikonstruktimi i tyre ai mendon se është një vlerë e veçantë, një vlerë që kthehet si dhuratë për ortodoksët e Himarës.
“Kishat të cilat i janë nënshtruar procesit të restaurimit në Himarë janë Kisha e Shën Thanasit nga Qeveria Shqiptare në Dhërmi, Kisha e Shën Spiridhonit, Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë-Fshat, Kisha e Shën Ilias në Dhërmi ndërtuar nga Komuniteti Dhërmias, Kisha e Shën Kozmait në Dhërmi, Kisha e Shën Spiridhonit në Vuno, si dhe rindërtimi i mureve rrethuese në Dhërmi”, shprehet Goro.
Ai falenderoi Kryepeshkopin Anastasi që i dha gëzim Himarës, për të parë nga afër dhe për të dhënë mesazhet e tij të vyera dhe për të bërë bashkë me himariotët Himarën e së nesërmes. Gjithashtu falenderoi gjithë komunitetin ortodoks dhe qeverinë shqiptare për projektin e rindërtitimit të bashkisë së Himarës.
Himara është një nga perlat e Shqipërisë nga shumë aspekte. Aty ndërthuren njëkohësisht, historia, gjeografia, bukuria, turizmi, trashëgimia kulturore.
Aty ku bashkohet mali me detin dhe historia në mijëvjeçarë midis shumë kulturave dhe shumë qytetërimeve. Të gjitha bashkë këto e kanë emrin Himarë, aty ku kënga me isopolifoni kthehet në magji.
E.K