Gjermania synon të lehtësojë imigrimin për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe të rregullojë qëndrimin e ish-refugjatëve të integruar.
Tre ditë para pushimeve të fundvitit dhe pas debatesh shumë të gjata, qeveria e kancelares Merkel miratoi dy projektligje për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Ato u prezantuan të mërkurën nga tre ministra: Horst Seehofer, ministër i Punëve të Brendshme, Hubertus Heil, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Peter Altmaier, ministër i Ekonomisë, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin. Projektligji i parë rregullon imigrimin e fuqisë punëtore nga jashtë, ndërsa projektligji i dytë u mundëson si ish-azilkërkuesve të refuzuar (me Duldung) të kthehen në imigrantë ekonomikë.
Risitë e ligjit për imigrimin e të kualifikuarve
Projektligji për imigrimin e të kualifikuarve, në gjermanisht: Fachkräftezuwanderungsgesetz, synon të heqë pengesat aktuale për imigrimin e rregullt ekonomik. Ai do të sjellë këto ndryshime në krahasim me ligjin aktual:
– unifikohet termi “punëtor i kualifikuar” , ku sipas ligjit të ri, përfshihen si të diplomuarit me arsim të lartë, ashtu edhe ata pa arsim të lartë, por me kualifikim profesional;
– hiqet kontrolli i prioritetit për të kualifikuarit me kontratë pune: Deri tani viza e punës jepet vetëm kur është konfirmuar se nuk ka gjermanë ose shtetas të BE-së me të njëjtin kualifikim që mund ta bëjnë atë punë, me ligjin e ri ky verifikim bie.
– hiqet kufizimi për imigrim vetëm për profesionet që kishin mungesa të fuqisë punëtore dhe hapet tregu për çdo të kualifikuar;
– ngjashëm si me të diplomuarit me arsim të lartë, edhe të kualifikuarit e tjerë do të kenë shans të vijnë në Gjermani me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë. Parakusht për të marrë këtë vizë janë njohuri të gjuhës gjermane (minimumi niveli A2) dhe para të mjaftueshme për të siguruar jetesën gjatë periudhës së kërkimit të punës në Gjermani. Sipas ministrit të brendshëm Seehofer, pasi ta kenë gjetur vendin e punës dhe të kenë bërë edhe kontratën, ata duhet të aplikojnë sërish në ambasadë për vizë pune.
– përmirësohet mundësia e qëndrimit në Gjermani për të bërë kualifikime ose provime për njohje të diplomës ose certifikatës së bërë në vendin e prejardhjes;
– thjeshtohet procedura e vizave, përqendrohen kompetencat te zyra e të huajve dhe përshpejtohet dhënia e vizave për fuqinë punëtore.
Çfarë ndodh me ish-azilantët?
Projektligji i dytë ka të bëjë me ndryshimin e statusit nga ish-azilkërkues i refuzuar (statusi aktual: Duldung) në imigrant. Për këtë kalim është paraparë një leje qëndrimi e përkohshme prej 30 muajsh, në gjermanisht kjo leje quhet “Beschäftigungsduldung”, para se të kalohet te leja e qëndrimit të rregullt. Por nga ky rregull përfitojnë vetëm ata azilantë që kanë plotësuar këto kushte:
– të kenë qenë në marrëdhënie pune me orar të plotë prej së paku 18 muajsh;
– të jenë në gjendje t’i mbulojnë vetë shpenzimet e jetesës;
– të kenë familje të integruara, për shembull, fëmijët të frekuentojnë shkollën rregullisht;
– të jenë prej së paku një viti me statusin Duldung;
– të kenë njohuri gjuhe së paku në nivelin A2;
– të mos kenë qenë të dënuar penalisht;
– të mos kenë bërë përpjekje për të fshehur identitetin e vërtetë.
Ky ligj për ish-refugjatët është paraparë të jetë i vlefshëm fillimisht deri në mesin e vitit 2022. “Nëse përvoja me të do të jetë e mirë, ai do të zgjatet, përndryshe do të rishikohet”, tha ministri i brendshëm Seehofer.
Kur mund të hyjnë në fuqi ligjet?
Të dy ligjet do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2020. Por më parë duhet të miratohen nga parlamenti (Bundestag) dhe Këshilli Federal (Bundesrat).
Me gjasë që në parlament projektligjet të pësojnë ndryshime të vogla, sidomos për sa i përket afatit të testimit të ligjit për personat me Duldung. Frika më e madhe e kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve është se dhënia e lejes së qëndrimit për azilkërkues të refuzuar mund të shërbejë si joshje për shumë imigrantë ekonomikë që të vijnë në Gjermani ilegalisht, fillimisht si azilantë, me shpresën se më pas mund të kthehen në imigrantë.
Matthias Middelberg, deputet i CDU-së nga Komisioni i Bundestag-ut për Çështje të Brendshme ka paralajmëruar që tani në një intervistë dhënë gazetës “Neue Osnabrücker Zeitung” se planifikon të flasë me SPD-në për shkurtimin e këtij afati.
Siç bëri të ditur ministri i brendshëm Seehofer, projektligji i jep mundësi qeverisë që ta pezullojë ligjin, në rast se konstatohen abuzime masive.
Pritet që ligjet të kalojnë në Bundestag dhe Bundesrat deri nga mesi i vitit 2019, në mënyrë që të mund të vihen në jetë në fillim të janarit të vitit 2020. Sipas ekspertëve, që nga miratimi i ligjit e deri në ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për implementimin e tij nevojiten gjashtë muaj./DW