MENU
klinika

Antonio Belushi

Gjithmonë i lindur me kombin dhe shqiptarët

31.12.2018 - 12:43

Antonio Belushi (apo siç e thërrasin në mjedise arbëreshe, zoti Ndon) është një prift nga diaspora e Kalabrisë. Ka lindur më 15 mars 1934, në Frasnitë (it. Frascineto) në një familje të thjeshtë. E ëma ishte endëse shumë e zonja, kurse i ati ishte bari dhe, ashtu si shumë të tjerë, ditë për ditë merrte rrëzën e Pollinit për të kullotur tufën e tij.

Kur të rritej, të dyja këto mjeshtëri të prindërve, Belushi do t’i bënte si objekte studimi në dy vepra etnografike me rëndësi e pikërisht në “Argalia në tekste origjinale arbëreshe” dhe “Blegtoria në Frasnitë”, tashmë të njohura nga studiuesi.

I ati, duke parë dëshirën dhe dhuntitë e dalluara të Ndonit për shkollën e dijen, bëri çmos që t’i siguronte mundësinë që të rritej në mënyrë tjetër, të bëhej më shumë se një bari dhe për këtë ambicie krenare ishte gati të bënte çdo sakrificë. Kështu, Ndoni i ri u fut në karrierën kishtare në seminarin Pontefik Gregorian të Romës, ku më 1958 mori bakaloreatin në filozofi dhe, po në të njëjtin universitet, më 1962 mori licencën e teologjisë së shenjtë. Pra, Belushi, ndonëse bir bariu dhe me tërë gjasat që të ndiqte udhën e t’et, nuk u bë bari, por u bë “bari i shpirtrave” dhe më 1962 nisi udhën e meshtarisë.

Pasi bëri një stazh të shkurtër në Francë, në kishën bizantine të Shën Julianit në Paris, u kthye në vendlindje dhe për një periudhë qe lektor në Seminarin e Shën Vasilit, pastaj kaloi si ndihmës-famullitar në Shën-Sofi. Kështu filloi jeta e tij si prift, i afërt e i lidhur ngushtë me popullin, i papërtuar dhe i kudogjendur pranë të varfërve, të sëmurëve dhe hallexhinjve, gjithnjë buzagaz dhe i gatshëm për t’u bërë shërbime të përvuajturve e për t’u dhënë zemër e kurajë me fjalën e tij të ëmbël, me këshillat e tij të urta. Shpejt, ai hyri thellë në shpirtin e besimtarëve dhe pa se në ato mjedise të largëta e disa të harruara, kishte edhe shumëçka për të ruajtur, për të njohur e vlerësuar, kishte materiale të paçmueshme etnologjike e folklorike, ruhej gjuha shqipe. Kjo e ftoi Belushin në një lëmë interesant kërkimesh dhe ai, siç do ta thotë edhe vetë më vonë, “u kthye në një nxënës” të zellshëm dhe fiksoi pa pushim visarin e pasur të gurrës popullore arbëreshe. Është koha kur në Kalabri e më gjerë në diasporën arbëreshe të Italisë po mëkëmbej një brez i ri veprimtarësh kulturorë, poetë e studiues, folkloristë e autorë këngësh; të gjithë i përbashkonte një shqetësim i vetëm, të mbahen edhe më tej si arbëreshë, të ruajnë gjuhën shqipe, ta flasin, po edhe të mësojnë ta shkruajnë atë krahas italishtes, të gjallërojnë kulturën arbëreshe dhe jetën artistike të ngulimeve të tyre; të shpien më tej “vravashkën” e De Radës. Secili në lëmin e tij përpiqet ta thotë një fjalë të re: poetët si K. Kandreva, V. Ujko, P. Napolitano, G. Del Guido etj., i qepen poezisë së kultivuar dhe botojnë vëllimet e para, çelet në Kozencë katedra e gjuhës shqipe, nisin të dalin disa revista arbëreshe, shtrohet gjerësisht kërkesa e arbëreshëve për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e tyre. Në këtë “kor” të bukur të kulturës arbëreshe, afrohet shpejt edhe Ndon Belushi, i cili zgjodhi për të hulumtuar një lëmë të lënë pothuajse djerr, por aq të vlefshëm: kërkimet etnologjike rreth botës arbëreshe.

Për vite me radhë, në revistën “Shejzat”, ai botoi me vijime studimin “Blegtoria në Frasnitë”. Belushin, ashtu si edhe shumë veprimtarë të tjerë të ditëve tona, e mundon shumë fakti që kultura arbëreshe është një kulturë analfabete, e pasur, por e pashkruar, e vyer, por e panjohur, prandaj edhe synon që atë ta bëjë “alfabetë”, ta bëjë që ajo të shkruhet, të njihet e të vlerësohet.

Për këtë qëllim, ai iu vu mbledhjes dhe përshkrimit të gjithçkaje që i bënte përshtypje nga traditat dhe doket arbëreshe, mbledh toponiminë dhe fjalët e urta, ndjek leksikun dhe frazeologjinë. Ashtu si shumë priftërinj të tjerë arbëreshë, Belushi nuk u mor vetëm me sa i kërkonte “rasoja” e famullitarit, por iu vu kërkimeve e njohjes së një kulture që po birrej e që duhej shpëtuar. Kur më 1965, ai emërohet si famullitar në ngulimin e largët arbëreshë të Shën Kostantinit, në krahinat e Potencës, mendoi se gjithë ai material duhej vënë në dorë të studiuesve, prandaj themeloi edhe revistën “Vatra jonë”.

Në të, krahas lëndës mirëfilli fetare: njoftime për shërbesat, për kremtimet e festave e për veprimtaritë e kishës, nisi të botojë edhe rubrikën e tij të kulturës, në fillim me “këngë të shenjta”, pastaj edhe me lëndë tjetër nga folklori arbëresh.

Periudha që qëndroi si famullitar në Shën Kostantin, ngulim me jo më shumë se 1500 banorë albanofonë, qe shumë e frytshme për Belushin. Kaloi aty tetë vjet të jetës së tij, plot punë, pa pushuar për asnjë çast, duke qëmtuar e regjistruar të gjitha vlerat e një kulture të pasur, por të panjohur. Vetëm pak muaj pas arritjes në atë katund, Belushi kishte krijuar një arkiv me materiale të pasura rreth kulturës popullore, këngë tradicionale e rapsodi, formula magjike e tregime, përralla, urime, mallkime, lojëra popullore, toponime e antroponime, emërtime e përshkrime të veshjeve, të gjellëve, të riteve e besimeve popullore rreth lindjes, martesë, vdekjes etj.

Nga kjo punë e madhe grumbulluese, Belushi kaloi në mbarështimin e botimin përkatës në revistën “Vatra jonë” dhe në organe të tjera. Botoi katër numra të “Vatrës” (1966, 1967, 1968, 1969), në të cilën mund të thuhet se na ka dhënë të gjithë jetën e Shën Kostantinit arbëresh.

“Vatra jonë” është, si të thuash, “mëma” e revistës së mëpastajme të Belushit “Lidhja”, që themeloi më 1980 në qytetin e Kozencës. “Lidhja” është sot, pa dyshim, një nga revistat kulturore më të njohura të diasporës shqiptare, që bie në dorë të një numri përherë e më të madh lexuesish, jo vetëm në Itali e në Greqi, po edhe në Republikën e Shqipërisë e në Republikën e Kosovës, si edhe gjetkë ku ka arbëreshë e shqiptarë, sidomos në SHBA. Ajo është, gjithashtu, një revistë e kërkuar edhe nga studiuesit e shkencave albanologjike kudo që gjenden, gjë që e dëfton edhe letërkëmbimi e bashkëpunimi i tyre me drejtuesin e “Lidhjes”.

Një pjesë të mirë të kërkimeve etnologjike dhe kulturore të A. Belushit e zënë kërkimet rreth arbëreshëve të Greqisë. Qysh më 1965, kur vizatoi për herë të parë ngulimet arvanite (ai i quan arbërore), studiuesit tonë i lindi dëshira e flaktë që t’i përvishet me zell hulumtimit në ato mjedise, të grumbullojë të dhëna për folklorin e tyre, të regjistrojë të folmet dhe doket zakonet e tyre, duke na sjellë kështu një material të vyer e nga vise për të cilat dihej pak gjë ose aspak.

Atje Belushi u njoh dhe u miqësua me studiues e veprimtarë kulturorë arvanitë, si Jorgo Marugas, Aristidh Koljas, Vangjel Ljapis etj. dhe nisi midis tyre shkëmbimi e lidhja kulturore e shpirtërore, si dhe vajtje-ardhjet e ndërsjella. Nga ana e Belushit, sigurisht, këto udhëtime në Greqi ishin gjithmonë për kërkime etnologjike e gjuhësore folklorike. Gjithnjë i palodhur, gjithnjë me magnetofonin në dorë, Belushi shkel me këmbët e veta çdo qendër të banuar albanofone të diasporës arbëreshe në Greqi, takohet me vendasit, flet me ta në gjuhën amtare shqipe, regjistron prej tyre biseda të lira e folklor.

Me t’u kthyer në Itali, ai i vihet botimit të asaj lënde tek “Zgjimi”, “Vatra jonë” dhe sidomos tek “Lidhja” e tij.

Rrethi i kërkimeve të A. Belushit në ngulimet arvanite të Greqisë ka ardhur duke u zgjeruar. Ai përfshin ngulimet e Atikës, të Beocisë, të Peloponezit, të Korintit, të Argolidës, të Eubesë dhe të ishujve të tjerë të Greqisë, në të cilët shtrihet diaspora shqiptare. Në këto materiale pasqyrohet mjaft qartë gjendja e sotme reale e të folmeve arbëreshe të Greqisë, si në fushën e fonetikës e të gramatikës, ashtu edhe në atë të leksikut e të formimit të fjalëve.

Mund të themi se të dhënat gjuhësore të ligjërimeve të gjalla të arbëreshëve të Greqisë mbushin një zbrazëti të ndjeshme, sidomos për dialektologjinë dhe për historinë e gjuhës shqipe në përgjithësi. Ato japin mundësi, që faktet e dukuritë të vështrohen e të analizohen në sistem, në një shtrirje të gjerë më të plotë diakronike e sinkronike si deri sot. Botimi i këtyre materialeve origjinale nga A. Belushi, krahas botimeve të vëllimeve me studime që po bëhen nga vetë studiuesit arbërorë të Greqisë, po i japin shkencës së sotme gjuhësore mundësi të reja, që të arrijë në përfundime më të plota e më të sakta në përcaktimin e tipareve të të folmeve arbëreshe të Greqisë, të lidhjeve e afërsive që paraqesin ato, nga një anë, me të folmet arbëreshe të Italisë dhe, nga ana tjetër, të dyja së bashku, me dialektet e shqipes në trojet kompakte ballkanike. Bash për këtë arsye, botimet e A. Belushit për arbëreshët e Greqisë kanë tërhequr vëmendjen e një vargu studiuesish nga fusha e gjuhësisë, e etnografisë, e folkloristikës etj.

Antonio Belushi ka botuar edhe një numër vëllimesh më vete si: “Canti sacri” (“Këngë të shenjta”), përmbledhje me këngë tradicionale arbëreshe (1971), “Argalia” (1977), “Magia, miti i credenze popolari” (1983) dhe, së fundi, “Dizionario fraseologica degli albanesi d’Italia e di Grecia” (1989). Këto vepra me vlera etnologjike, folklorike e gjuhësore, janë recensionuar e çmuar lart nga studiuesit e fushave përkatëse, sepse lënda e tyre është një pasqyrë e gjallë jetës së vëllezërve tanë arbëreshë, e pasurisë së madhe shpirtërore e kulturore të tyre, e gjenisë krijuese të diasporës sonë, që dëshmojnë se populli shqiptar dhe gjymtyrët e tij të “shprishura”, në diasporë kanë pasur e kanë gjithnjë edhe një shpirt poetik e krijues që të mahnit.

Së fundi, theksojmë se Antonio Belushi është edhe një veprimtar i gjallë e një arbëresh zemërmadh, gjithmonë i lidhur me Shqipërinë e me shqiptarët kudo që gjenden, në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni, apo në diasporë. Lidhjet e tij me personalitetet më të shquara të shkencës e të kulturës së sotme shqiptare, si dhe figura të shquara të botës që i dalin zot çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, e bëjnë Antonio Belushin një figurë me emër të madh e me shumë përkrahje në botë. Puna e tij e frytshme i shërben njohjes, vlerësimit dhe përparimit të mëtejshëm të kulturës e të shkencës shqiptare, po edhe më gjerë.

Gjovalin SHKURTAJ

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN