MENU
klinika

Rezart Prifti

Heronjtë e munguar të një proteste (një kronike e munguar)

29.12.2018 - 09:32

Që në moshë të herët duke patur një pavarësi të çuditçme, kisha një liri që ndonjëherë më frigonte. Jo se sot nuk jam i ri, duke qenë se kam vetëm 32 pranvera mbi supe! Në zgjedhjet që bëja si i ri, me atë hapsire që kisha, përherë i hapja avaze vetes. Një zgjedhje që bëra herët ishte të lexoja Nietzsche-n, jo atë të Fushë Krujës por të vërtetin dhe pikërisht libri i parë i tij që kam leçitur ka qenë “Ecce Homo”, ose në shqip “Si bëhet njeriu ai që është”.

Më mësoi shumë ai libër. Përpos një doze të fortë autoironie që e mora në atë kohë mësova se vuajtja dhe mundi nuk kanë në vetvete ndonjë gjë fisnike, por rezultati i tyre po! Thënë këtë në

formën e parantezës dua të shpreh se ndaj qaramanëve kam një refuzim që tanimë më është kthyer në biologjik.

Një studiues gjerman (Who Are You? – Valentin Groebner) thotë se: Pikë së pari, identiteti individual i njeriut përcaktohet nga mirënjohja (njohja) e të tjerëve. Pikë së dyti, në shoqëritë moderne ky identitet i njeriut bëhet i pamundur kur mirënjohja nuk shfaqet në një periudhë të arsyeshme kohore, ose ajo manipulohet gjatë rrugës. Le të biem dakord në parim për këtë përkufizim…
Edhe këtu mësova shumë! Mësova të përcaktoj në terma moral mirënjohjen, e cila në shoqërinë tonë është si ujët e pakët. Gjithashtu, mësova se mirënjohja do një shkallë të lartë intelekti, humiliteti dhe shpirti njerëzor e qytetar. Çdo proces i cili kërkon kohë në kontekstin shqiptar ka probabilitet të madh të korruptohet ose të ndotet, ashtu dhe shpirti dhe ndërgjegjia e njerëzve.

I dashur lexues i vëmendshëm, para se të hyj në temë më lejo dhe një parantezë të fundit. Kësaj here duhet të kërkoj ndjesë se në ndodhitë faktuale nuk mund të tregoj deri në fund detajet. Kjo për arsye të miat që kanë të bëjnë me etikën, moralin, fjalëdhënien dhe qytetarinë. Ndoshta detaje të plota do dalin pas shumë vitesh në ndonjë libër kujtimesh dhe njerëzit që broçkullisin sot do kuptojnë sa arqidhe kanë qenë të rinj…

Kjo protestë ishte si një mision kërkimi në trekëndëshin e Bermudes. Misioni ishe arsimi i një kombi dhe midis tre ishujve humbi kjo shpresë… Po nga mund të dilnin heronjtë në këtë kontekst socio-politik të shoqërisë tonë?

Heroi i parë mund të kish qenë qeveriu! Nuk ka njeri që nuk e di dhe nuk e ka kuptuar se në këtë vend ka marre erë gjithçka, ka humbur çdo lloj vlere e parimi dhe në fund të ditës shteti është kthyer në një organizatë pa qëllim dhe pjesë e një shpure njerëzish që po bëjnë masakra brezave të tërë me veprimet e tyre. Po pse jemi këtu? Vetëm, e vetëm prej një shkaku: mungesa e arsimit cilësor! Në mungesë të vizionit, të ndërgjegjes dhe të një shkëputje të frikshme nga realiteti asnjë nuk pati guximin të dilte nga rradhet e të merte hapin e vogël për ndryshimin e madh. Asnjë trim nga balozët e shtetit nuk doli të thosh, ore ju kam dhjerë mu në pemë që mbollët, se në mos të edukojmë këta njerëz prap do ti prishin ashtu si kanë prishur e vandalizuar çdo gjë në këtë vend. Nuk doli ndonjë baloz nga shteti, e as krye shtetari, e të thosh që arsimi këtu është tmerr dhe jo vetëm ajo hale që e quani universitet por edhe më poshtë akoma. Se ka vite që thotë se nuk ka profesionistë, por se nga dalin këta profesionistë nuk e di, se mendon se janë si anëtarët e partive që e marrin në shtëpi ose në forume profesionin e llap-pirjes. Nuk doli ndonjë baloz nga shteti dhe të bëhej hero e shkuar heroi duke i dhënë kësaj shoqërie e këtyre njerëzve që rrojnë mes injorancës mendore dhe shpirtërore prej shekujsh!

Heroi i dytë mund të kish qenë opozita! Po çfarë duhet të kish bërë opozita për tu bërë hero në këtë qerbela? Pikërisht asgjë! Opozita ka vite që rri e ha dhjamin e vet duke mos bërë asgjë tjetër dhe pikërisht në momentin e gabuar zgjodhi të bënte diçka. Çdo grupim politik, madje çdo vemje që pretendon të mos jetë politike ka për synim në fund të ditës të bëjë politika e të marrë vendime bazuar mbi njohuritë dhe idealet e veta, ose e thënë ndryshe pushtet. Por në historinë tonë ka patur aq pak burra ose gra të cilët kanë kapërcyer përtej asaj çka vështronin për të vajtur atje ku duhet parë saqë vetëm në shekullin e fundit ne nuk kemi njohur asnjë të tillë. Edhe ky fatalitet ka ndodhur nga mungesa e edukimit. Po si nuk doli një burrë a grua opozitare me pak ndërgjegje e të bënte xhestin e madh e të mos bërit asnjë gjë vetëm e vetëm që të ndihmonte në kauzën e madhe dhe në heqjen e kobës që i ka rënë këtij vendi në edukim?…
Heroi i tretë mund të ish studenti! Këtu i dashur lexues do më lejosh të ndalem pak për dy arsye. E para, sepse është zanati im farkëtimi i tyre dhe e dyta sepse me përgjegjësi të plotë e them që jam aq në kontekst të kësaj vorbulle sa asnjë tjetër.

Parimet që kam ndjekur në mënyrë të pa kompromis dhe shpesh herë deri në vetë sakrifikim janë: qëndrueshmëria, këmbëngulja dhe qytetaria. Të treja këto kanë bërë që përherë të jem i prirur drejt racionales, shtuar këtu dhe formimin ekonomik më kanë bërë edhe më operacional. Unë e kam tmerr tjerrjen e leshit dhe zgjatjen e gjërave kot për arsye se e vlerësoj shumë jetën dhe kohën që humbet me to. Sa kalova në 3 ditë prej kësaj proteste njerëzve u duhet një karrierë e tërë për ta kaluar, edhe këtë përpos modestisë e them me shumë fakte dhe argumenta nëse do të jetë nevoja.
Për hir të së vërtetës, edhe para se ajo që quhet dita e parë e protestës të fillonte, e kisha dëgjuar mos-dakordësinë që studentët e arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit kishin me tarifën e provimeve të mbartjes. Për shumë njerëz që më kanë pyetur si nisi kjo protestë këtu qendron përgjigjia. Ajo nisi nga një event që në psikologji quhet “trigger event” dhe falë dinamikave sociale që kemi sot kaloi në “snow ball” dhe këtë sqarim e bëj për masën e madhe të dallkaukëve që nuk e kuptojnë akoma si nisi. Ditët e para jam kontaktuar në mënyrë të habitshme nga grupe studentësh nga fakultete me të cilat nuk kisha lidhje fare si inxhinieria, arkitektura, politekniku, shkenca sociale, FSHN.

Jam takuar me të gjithë grupet e djemve dhe vajzave të cilët kërkonin vetëm këshilla dhe asgjë tjetër. Kur 8 pikat e famshme të Jehovait u formuluan, të njëjtat grupe dhe të tjera më kontaktuan për tu sqaruar për to sepse për shumë ishin të pa artikuluara. Kuptova që fare mirë nuk kish asgjë të stisur aty dhe të gjithë ata që më kishin kontaktuar dhe takuar kishin një pikë të përbashkët me ekonomikun, një shok ose një shoqe që u kish thënë se unë mund ti ndihmoja. Kjo si rezultat i thirrjeve të mia prej 4 vjetësh për gjithçka që nuk shkon dhe shumë të tjera. Të them të drejtën mu be zemra mal(!) dhe aty vendosa ti vija fytyrën asaj pune duke i marrë të gjitha kostot e mundshme përsiper. Kur them kosto nuk e kam fjalën për kërcënime, por kosto oportune i themi ne të ekonomisë, duke marrë parasysh që bëj 4 punë. E sqaroj këtë për arsye se kam dëgjuar pedagogë që me paturpësinë më të madhe kanë thënë se janë kërcënuar dhe studentë që më kanë gënjyer në sy për presione në punë, por duke qenë se rrjeti i informacionit që kam është i konsiderueshëm munda ti verifikoj fare thjeshtë që ishin mashtrime dhe viktimizime patetike. Të paktën mësova me kë kisha të bëja…

Sa herë veja te ministria shumë studentë që i njihja deshën që të merrja megafonin e të nxirrja dy llafe. Ishte dita e tretë dhe kisha bërë një tentativë për të mbledhur një grup pedagogësh për të ardhur aty. Tentativa mu sabotua në mënyrë diletante dhe të nesërmen përfundova me një mikeshën time artiste. Në kulmin e protestës në orën 11:00 isha shumë afër një vatre (sepse kish disa grupe dhe aty ishte e bukura) afrohem dhe mes shumë fytyrave të njohura u gjenda natyrshëm. Ishte një auditor i paparë!

Koicidencë për mua ishte se papritur naltmadhnia kish dalë live dhe kërkonte dialog. Ndërkohë që unë thashë dy fjalët e mia ay i madhi po tirrte të vetat. Kjo rriti shikueshmërinë dhe nëse do tregohem cinik vizibilitetin tim. Po në kontekstin e cinikut mund të them që ishte mirë ëer mua, por si i thonë një fjale njeriun e mirë e shikon perëndia…

Në ditën e pestë protesta kishte kapur kulmin dhe impakti kish arritur psikologjikisht te shumë njerëz dhe me një besueshmëri të pa lekundur. Them psikologjikisht sepse fizikisht është një diskutim tjetër që ka të bëj me numra. Numra të cilët sa do të thjeshtë të jenë i trembin injorantët. P.sh: në 2017 në Shqipëri kanë qenë të rregjistruar 115 093 studentë dhe ku maksimumi i protestës arriti diku te 5000 persona…

Por në “negotiations” dhe “conflict resolution”, lëndë dhe aftësi këto për të cilat asnjë student në shqipëri nuk ka njohuri dhe është injorant i skajshëm, (kjo tregon dhe sa jashtë tregut është arsimi ynë) palët duhet të zbardhin pjesën teknike të punës dhe mbi të gjitha për të optimizuar duhet kapur ai që quhet momentum.
Unë mendova se ishte momentumi i duhur dhe për këtë duheshin formuar përfaqësi nga fakultetet që të prodhonin një dokument për të bërë gjënë më konkrete. Gjithashtu, një rregull që duhet thënë në teknikat bazike të negociatave që përmenda mësipër është: “do not respond to threats”! Kryeministri ynë është politikan zamani dhe këtë ai e dinte dhe kushdo që do ish në vend të tij do kërkonte bisedime sepse nuk do ti përgjigjesh ultimatumit. Megjithatë, kjo vlen pak sepse nga ta dinin studentët këtë kur kish probleme më të rënda nga ç’mendoja unë.

Thashë ta nisja nga ekonomiku dhe po si rastësi studentët atë mbazdite do të bënin një mbledhje. Disa prej organizatorëve të takimit u bënë thirrje disa pedagogëve për mbështetje, midis tyre dhe unë. Kur hyra në katin e parë të fakultetit ishin të paktën 500 vetë dhe ishte një emocion i paparë. Në të vërtetë kisha ide të tjera, por kur pashë sytë e studentëve aty thash kjo kauze nuk mund të bie në asnjë rast.

Doli më keq nga çe prisja! Me atudentët e ekonomikut që në vit të parë bëjnë parimet e menaxhimit, organizimit, komunikimit dhe planifikimit nuk po merresh vesh i pari me të dytin. Kish njerëz që mbanin fjalime patetike me thirrje për kushtrim, kish debila që deshën vetëm protagonizëm, kish kamikazë që i jepnin urdhra njëri – tjetrit, e kish… e kish… Por me shumë mundim dhe akrobaci të papara në komunikim arrita të përcillja një informacion bazik për organizim nandertalesk. Fuqinë e mora nga dy gjëra. E para, mendova se janë të rinj e të hutuar dhe e dyta nga kryqëzimi i syve që kisha me shumë student aty që më bën të kuptoja në moment një gjë të rëndësishme. Thelbi nuk ish as menaxhimi, as komunikimi, as organizimi, as dreq e as shejtan, por ishte kultura që merr në shtëpi e familje njeriu.

Nga krahu tjetër ata pak nga pedagogë që kishin ardhe dy e morën fjalën si për të bërë adetin. Pikërisht atë që nuk duhej. Njeri foli për ligjin e arsimit të lartë dhe u thosh studenteve se duhet ribërë reforma… Kjo ish e padurueshme për mua se ajo ishte kauza e studentëve dhe jo e pedagogëve, dhe ligji ishte pikërisht një gur që duhet varur në qafën e pedagogëve, e jo studentëve. Por duke qenë se pedagogët dolën me pa mendere në këtë histori nuk patën mundësi të bëheshin heronj! Ndërsa tjetri duke qenë se ka 30 vjet aty kujtojë se mund ta mbështeste atë punë thjesht me shpirt dhe nxorri qitapin e fillojë të lexojë si në kohën e partisë. Një konflikt që kish me kryeministrin që në kohën e lulëkuqeve mbi mure e shkarkoi aty… Ore ç’paskan qenë këta! – mendova… dhe studentët brohorisnin po si në kohën e partisë për çdo gjë që thuhej pa ditur se ç’thuhej. Për ata që nuk njohin kontekstin me lejoni të shpjegoj që pedagogët më të kuotuar dhe më produktiv janë ata që rrinë sa më pak në institucion e që merren me punë të tjera dhe që kanë marrdhënie me tregun. Kjo për të vetmen arsye se i mban me këmbë në tokë dhe profesionistë. Ndërsa pjesa tjetër kalon në delirin e madhështisë ngaqë merret përherë me të vegjël…

Me përfaqësuesit që u zgjodhën mendohej të mblidheshin dhe të vendosnin një plan pune më të detajuar për kërkesat, se helbete duke qenë se je një intelektual në të bërë mirë do ish që të artikuloheshin më mirë ato. Në mbledhje do ishin diku tek 120 përfaqësues, si dhe unë me një kolegun tim të nderuar të departamentit të financës të cilët luanim rolin e moderatorit. Kur u nis mbledhja ishte një masakër për disa arsye.

Së pari, një mungesë e kulturës së komunikimit dhe një kafshëri e frikshme. Kryqëzoja sytë me ata pak qytetarë në sallë, se ishte shumë e thjeshtë për ti dalluar, nuk ishin të ngërdheshur, nuk u dilnin bulçitë nga vendi në të bërtitur dhe nuk flisnin si në mbledhje garnizonesh.
E dyta, u shokova se aty nuk funksiononte më autoriteti i pedagogut, as respekti me më të rriturin e as ai për më të diturin dhe mu kujtua eksperimenti i burgut i universitetit të Stanford. Aty mund të bëje çtë doje… por çtë doje sepse ishte aq kaos! I dalloje thjeshtë alpha-t, dalloje ndjeksit, dalloje mbushësat e topit, dalloje të fortët dhe madje dhe një dy tre syresh që kishin porosi të qarta. Megjithatë, mendova se duhet të fokusohesha tek objektivi se ishte mundësia e madhe të shkruhej historia. Mirëpo, vura re që vetëm unë po shikoja histori në atë mes se aty ishin ngërthyer njerëzit nga frika.

E treta pra, ishte një frikë e paparë nga ata që u zgjodhën si përfaqësues për të marrë çdo lloj vendimi dhe gjithë kohës siguroheshin që ata ishin aty vetëm për të komunikuar… se ca dreqin do komunikohej nëse nuk merrej ndonjë vendim vetëm në një situatë sureale si ajo e atjeshme mund ta prodhonte. Nga krahu tjetër këta përfaqesues kishin presionin e grupeve të tyre që u shkruanin nga mediat sociale për çka ndodhte. Madje kishte dhe debila që në fund të ditës deshën përmbledhjen e mbledhjes në rrjetet sociale se çka kish ngjarë. O tempora o mores!!! Nëse ekonomiku ka diku rreth 5000 studentë, aty ishin rreth 120 përfaqësues dhe në pikun e protestës arriti 500 protestues nga ai fakultet. Këta fejsbukxhinjtë u bënin gjyqin këtyre që ishin aty dhe madje u jepnin dhe sugjerime si komandantë brigade nga kafenet që ishin ulur dhe nga shtëpia që po shikonin telenovela.

Kur unë dhe kolegu im filluam të artikulonim pikat vumë re që një pjesë e mirë e tyre nuk i kuptonin studentët e ekonomikut e jo më akademia e arteve apo mjekësia. O zot! – thash… Nisem ti shpjegonim, unë me timen ai me mënyrën e tij, por jo, edhe kjo ishte e pamundur.

Ndërkohë një kamikaz aty merr listën e përfaqësuesve që ishte me emër mbiemër dhe adresë email-i dhe ja fut vrapit. Ishte krijuar një atmosferë si gjendje e jashtëzakonshme… çdo gjë funksiononte si jashtë logjike. Megjithatë, pasi i shpjeguam pikat arritëm të nxirrnim një si biçim memorandumi që u bënte ftesë fakulteteve të tjera për t’ju bashkaur dhe në unison të nisesh zyrtarisht drejt qeverisë. Ëndrra ime ishte që ekonomiku ta bënte këtë i pari dhe në mënyrën më rigoroze, ndaj dhe po këmbëngulja tek procesi. Procesi legjitimon çdo gjë! Se deri në momentin që po shkruaj këto rreshta mungon koka e protestës dhe procesi… çdo gjë është një katrahurë irracionaliteti.

Të nesërmen jo vetëm që përfaqësuesit nuk ishin në terezi por dhe protesta fillojë të përcahej. Me lloje soje makinacionesh ai grup përfaqësuesish u zhbë dhe puna që ish bërë ato ditë kishte ikur kot. Ishte e pamundur për mua atëherë dhe tani që po shkruaj këto rreshta të shpjegoj irracionalitetin e njerëzve pjesëmarrës aty, ndaj dhe sapo bleva 5 libra që merren me këtë punë…
Për disa ditë rresht tentoja me një grup studentësh të bënim të njëjtën gjë dhe më dukej procesi si tek kalaja e Rozafës, ditën ngrihesh e natën bitisesh. Kur kuptova që unë isha ai që duhet të lija një cicë brenda e një jashtë fillojë të komplikohej i gjithë procesi dhe po mendoja gjatë ta bëja apo jo. Në fakultetin e ekonomisë ishte në pregatitje një coup d’etat dhe mbledhja prej 4 orësh me dekanin dhe studentët (300 spartanë) ka qenë një menaxhim i frikshëm në mbrapa skenë, ku akoma të dyja palët nuk janë të ndërgjegjshme për çfarë ndodhi atë natë aty. çfarë ndroje kisha?!

Në gjithë javën që pregatitej përfaqësia erdhi një pikë që studentët u kthyen kundra pedagogëve. Atë ditë para mbledhjes me studentët, unë dhe kolegu im vajtëm për herë të fundit si në ndihmesë të tyre në organizim. Kolegu im pasi u tha qe ish në mbeshtetje të kauzës, shtoi se po tërhiqej nga aty për arsye se ishte krijuar një situatë e papërballueshme në komunikim dhe me të drejtë u largua menjëherë. Unë u kisha thënë disa studentëve që nuk mund ti ndihmoj më në organizim sepse në atë dinamikë të frikshme të ngjarjeve unë kisha marrë një vendim në moment të fundit dhe në orë të vonë të natës të cilin e kisha peshuar për tërë natën dhe kisha marrë një vendim. Ishte një ndjesi sikur po ecja zbathur në ujë… u them që unë do mbështes me gjithë shpirtë kauzën tuaj në çdo formë por nuk mund të vij tu ndihmoj si deri tani se kam frikë se me vendimin që kam marrë do tu prish punë.

Vazhdova të rrija tek mbledhja e fundit se isha shumë kurioz a do ta ndiqnin atë rrugën që kishin nisur. ç’të shikoja! I ndiqja gjithë kohës dhe imazhi i parë që më vinte ishte ai i pikturës “The Scream”. Ish bërë një gjendje e jashtëzakonshme! Njeri thoshte bëj apelin dhe merru dhe numrin e pashaportës. Njëri u ngrit dhe me një kushtrim që kam për ta mbajtur mend gjatë tha se pedagogët nuk kanë më pune me ne, portesta është e jona dhe ata mund të rrijnë e të dëgjojnë vetëm aty, duke bërë me gisht drejt një banke. Pedagog unë isha aty… Zot fali se nuk dinë ç’bëjnë thash…

Tek po ndiqja dinamikën barbare të zhvillimit vura re se po humbiste qëllimi dhe objektivi, tanimë ishte vetëm mazokizem. Vetëm çështje arsimore nuk ishte, vetëm kërkesa nuk kishte më dhe kauza më dukej larg. Mendova a ja vlen ta lë një cicë këtu në këtë kala dhe të murosem me ta?!…

Me dhimbje mu kujtua viti i largët 1997 kur unë fatkeqësisht isha në Tepelenë, ende fëmijë. Ishte e njëjta situatë, që sot e lexoj me kërshëri te At Zef Pllumi, njerëz pa njohuritë e mjaftueshme që syrgjynosnin të tjerë mbi bazën e dyshimit dhe thashethemit për bindjet ndryshe, besimin ndryshe dhe më e keqja akoma për mendimin ndryshe. Në vitin 1997 gjyshi nga ana e mamasë ndërron jetë dhe banonte në Memaliaj. Duke u nisur si familje na ndalon rrugës postblloqet të ngritura atëherë nga ato që quheshin komitete shpëtimi. Njerëzit që ishin në këto komitete ishin po të njohur, komshinj dhe miq në ditë normale, pak a shumë si janë studentët në ditët normale. Vetëm se në rastin konkret kishin nga një kallashnikov në qafe e në dorë. Pasi ndaluan na thanë se ju nuk mund të kaloni sepse është gjendje e jashtëzakonshme dhe rrezikoni për destabilitet… Kulmi!

Kjo skenë mu kujtua atë ditë para se tu flisja dhe njëherë për tu fokusuar tek objektivi dhe të ruanin racionalitetin dhe qytetarinë. Por vura re që më vështronin e nuk më shikonin. Dal nga mbledhja dhe mbaj mend që kam thëthirë mbi 8 cigare rresht. I vetmi mendim që më vinte ishte se si ata nuk e kuptonin që mund të hynin në histori dhe të bënin një akt civilizimi, se si unë nuk munda ta çoja deri në fund atë nismë që mora dhe të dilte një proces i cili do krijonte precedentë për të cilët shoqëria po pret dhe ka nevojë jetike.

U mblodhën një grup i madh studentësh që kishin lënë sallën pasi kisha dalë unë dhe me vështirësi i dëgjoja kur më flisnin, e kisha mendjen gjetiu.
Vijimësia e historisë nuk do kallauz. Unë mora vendime që më përkisnin mua dhe protesta vijojë si vijojë duke e lënë kauzën e shoqërisë shqiptare në një hendek dhe ambiguitet të frikshëm.
Në vit të parë u them studentëve se historia përsëritet dhe në një shoqëri si kjo e jona që nuk ka njerëz që ta shkruajnë dhe bosht vlerash që të gjykohen njerëzit bëhet një eter i pafund. Në 1997 ishte e përgjakshme, ndërsa sot është komike, ashtu si e ka thënë ai filozofi: herën e parë tragjike dhe herën e dytë komike. Studentët që ishin qytetarë besuan, erdhën, panë e lanë punët e tyre dhe ikën… Se kanë kuptuar që duhet të punojnë akoma më fortë se është e vetmja që të nxjerr para në afatgjatë.

Në këtë kronikë të munguar të protestës janë dhe disa heruc (heronj të vegjël) të cilët u munduan me të tyret. Po si fillim është media e cila përpos lajmit ka për detyrim të emancipojë shoqërinë. Vura re që është shumë larg misionit të saj. Në një vend që media më e madhe janë fejsbukxhinjtë ai ka shumë të drejtë kur i thotë kazan. Në tre ditë unë dola njëherë i Monës, njëherë i Ramës, njëherë i Bashës, i Sorosit, i Veliajt, dhe tëmën ore edhe i Henri Cilit. Perlë! Gjithë mendjet e varfra në fillim e besonin pastaj ranë pre e fatalitetit të konstruktit të tyre të gjykimit se nuk po merrnin vesh ca po bëhej e u bënë tap me tallavanë e thashethemnajave. Kishte njerëz që duhet të më takonin dhe më thoshin të takoheshim në ndonjë vend të qetë. Më vinte për të qeshur, jo i thosha se nuk mund të ndjek këtë marrëzi që nuk e konceptoj dot. Megjithatë unë nuk e humba objektivin. Veç ai ka rëndësi!

Kjo protestë nuk prodhojë kokë sepse shoqëria jonë nuk ka bythë… njerëzit nga familja dalin pa bythë, ose kokën në vend të bythës e ndaj goja u mban erë të keqe sa herë flasin e nuk artikulohen. U fol masivisht për 8 pikat, a thua se ishin pikat e dëshmitarëve të Jehovait, por asnjëherë nuk u fol se si do realizoheshin dhe cilat ishin prioritetet e tyre dhe nuk u vu asnjëherë gishti në plagë. Pikërisht sepse në shoqërinë tonë nuk shkohet asnjëherë thellë, por siç thotë ai në emision mos hyr në detaje se më humbet audiencën. Në tallavanë e madhe duke qenë se njerëzit të prezumojnë të fajshëm ngatërrojnë shpesh herë faktet me opinionet, ky quhet dogmatizëm.

E në rast se dikush lufton dogmatizmin do jesh o i shitur ose i blerë sepse ky është i vetmi transaksion që njeh kjo shoqëri. Ku të gjithë njerëzit bëjnë llogaritë nga televizori, telefoni, e nga jashtë. E vetmja mënyrë për të ndryshuar një sistem është të futesh e të shkatroshë sistemin. Çështja nuk është a do futesh apo jo, por sa të madhe e ke ndërgjegjen të mos të përpije sistemi. E kështu vendosa unë ta bëj, jo sot jo, por këtu e 4 vjet përpara. E kështu vate kjo punë…

Së fundmi uroj që studentët të bëhen shkaku që arsimi i këtij vendi të bëhet prioritet, uroj që të mbushin mendjen e tyre me mjete alternative, uroj që të zgjerojnë horizontet e tyre sepse nuk mungojnë mundësitë e të mos bëhen mish për top, por mbi të gjitha uroj që të mbushin shpirtin sepse shpirti i varfër është e vetmja veçori e njeriut e cila të hedh poshtë zgjuarsinë, profesionalizmin dhe punën, mbizotëron mbi të gjitha këto çuditërisht.

Në gjithë këtë qerbela unë do të vazhdoj misionin tim kudo që të jem dhe me më shumë energji akoma.
Disa më shanë e më qortuan, disa më vlerësuan e lavdëruan, unë mbeta po ky që ish…