Ish-deputeti i PD Arben Imami ka dalë kundër kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që sipas tij bëhet në kundërshtim të hapur me statusin e propozuar dhe miratuar prej tij vetë.
Në një deklaratë për mediat, Imami pasi shpreh mbështetjen për protestën studentore iu bën thirrje të vazhdojnë pa ndalim rrugën e virtytit, dijes dhe dashurisë për vendin.
Ai shprehet se ky Kuvend në këtë kohë vulos frymën e përçarjes së Partisë nga baza në qendër.
Ndaj thekson ai, i bindur plotësisht në principet mbi të cilët e nisem këtë luftë për liri dhe demokraci, ju bëj me dije se pjesëmarrja ime në atë Kuvend do të ishte e pamoralshme.
DEKLARATA E IMAMIT:
Shqipëria është në një moment delikat dhe deciziv për të ardhmen e saj.
Mijëra studentë dhe pedagogë prej 10 ditësh kanë mbushur sheshet e Tiranës dhe qyteteve të tjera universitare për shkak të krizës së plotë politike, ekonomike dhe sociale. Establishmenti korruptiv politiko-financiar që po drejton dy partitë e mëdha në vend, ka detyruar rininë e vendit të dalë në sheshe e të kërkojë me forcën dhe kurajën e së drejtës shpërbërjen e kësaj status quo-je.
Si pedagog i lëvizjes studentore dhe bashkë themelues i Partisë Demokratike u bëj thirrje studentëve dhe pedagogëve të vazhdojnë pa ndalim rrugën e virtytit, dijes dhe dashurisë për vendin. Historia jonë na tregon se të drejtat fitohen.
Pikërisht në këto ditë z. Basha zgjedh të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, në kundërshtim të hapur me statutin e propozuar dhe miratuar po prej tij.
Kuvendi po mblidhet pa vendim të Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe në kundërshtim flagrant me frymën demokratike të një partie perëndimore që ka rrëzuar komunizmin.
Ky Kuvend vulos frymën e përçarjes së Partisë nga baza në qendër. Një opozitë që drejtohet në mënyrë autoritare nuk jep shpresë për një Shqipëri demokratike dhe ky është mesazhi më i gabuar që Lulzim Basha po u dërgon studentëve në protestë dhe gjithë shoqërisë shqiptare.
Ndaj i bindur plotësisht në principet mbi të cilët e nisem këtë luftë për liri dhe demokraci, ju bëj me dije se pjesëmarrja ime në atë Kuvend do të ishte e pamoralshme.